AF Elbasani bëhet i frikshëm, afron një tjetër lojtar cilësor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2022 | 16:45

AF Elbasani bëhet i frikshëm, afron një tjetër lojtar cilësor

Jurgen Nexha është afrimi i radhës në Akademinë e Futbollit Elbasani. Mesfushori ka dalë dje në stërvitje me verdheblutë dhe është vënë menjëherë nën urdhrat e Gentian Stojkut, i cili sheh t’i shtohet “armata” e përforcimeve në skuadër.

eLBASANI

28- vjeçari ka një eksperiencë jo të vogël mbi supe, kryesisht me ekipin e qytetit të tij Shkumbinin, teksa më herët ka provuar edhe një aventurë të shkurtër me Elbasanin. Nexha shihet si një lëvizje që mund t’i bëjë shumë punë skuadrës në repartin e mesit të fushës, por mund të përdoret edhe në role të tjera në varësi të nevojave të skuadrës. Burime të gazetës pranë klubit pohojnë se deri në mbyllje të merkatos mund të ketë të tjera afrime.

Drejtuesit elbasanas nuk janë kursyer aspak këtë merkato vere, pasi do të kenë vitin e parë që militojnë në Kategorinë e Dytë dhe i kanë vënë vetes synim ngjitjen në të Parën. Sezonin e kaluar u krijuan dhe morën pjesë në Kategorinë e Tretë, ku u shpallën kampionë me të gjitha ndeshjet fitore dhe vetëm një barazim. Boshti i sezonit të kaluar është ruajtur, ndërkohë që përforcimet e bëra këtë merkato, kanë rritur ndjeshëm cilësinë dhe konkurrencën. Sakaq, testi i parë pas dy javësh përgatitje do të luhet sot me ekipin e Turbinës në Cërrik. Përballë verdheblutë do të kenë një skuadër që militon në Kategorinë e Parë dhe Stojku do të ketë mundësi ta shohë më konkretisht ekipin e tij në fushë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"