AEK-u e kërkon me parametra zero, Hoxhallari mban “peng” Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2018 | 14:46

AEK-u e kërkon me parametra zero, Hoxhallari mban “peng” Tiranën

Tirana nuk do që të humbasë Erion Hoxhallarin. Dhe sidomos me parametra zero, ndaj është duke marrë masa që të evitojë një gjë të tillë. Kur dihet që kontrata e mbrojtësit të majtë skadon në muajin maj, vetë presidenti Refik Halili po merret ekskluzivisht me rinovimin.

Hoxhallari

Firmë ende nuk ka, por te bardheblutë janë të sigurt që lojtari do të mbyllë shumë shpjet marrëveshjen dhe zyrtarisht. Deri më tani ekziston vetëm një “pakt” mes klubit dhe 23-vjeçarit. Palët kanë rënë dakord që të presin deri në fund të janarit për zgjatjen e kontratës, e cila, nëse ndodh, do të jetë për të paktën dy vite dhe me rritje të ndjeshme të rrogës.

Por, në rast se vjen një ofertë joshëse financiare gjatë këtij muaji, pra deri para mbylljes së merkatos së dimrit, do të nisin procedurat për transferimin e tij. Dhe, nëse ndodh kështu, atëherë do të jetë e panevojshme që të firmoset një tjetër kontratë. Por, nëse plani i Tiranës për ta shitur që tani dështon, kryeqytetasit do të ulen me Hoxhallarin dhe këtë herë për ta bindur që të hedhë “të zezën mbi të bardhë”.

hoxhallari

Por, rreziku që kjo të mos ndodhë, ekziston. Madje, mund të thuhet që janë të pakta shanset që ai të firmosë në muajin shkurt, pasi edhe menaxherët po insistojnë që ai ta mbyllë sezonin te Tirana dhe të mbetet me parametra zero. Motivi: kështu do e kenë më të lehtë për të gjetur ekipin ideal për ish-futbollistin e Shpresave. Dhe, nëse lojtari do të shmangte rinovimin, është e sigurt që bardheblutë nuk do të rrinë “duarkryq”.

Ata do të bëjnë çmos që ta bindin lojtarin, pasi nuk mund të mbeten pa përfituar asgjë nga ky “xhevahir”, për të cilin kanë investuar prej vitesh. Nëse mbrojtësi nuk pranon që të firmosë, mund të përsëritet precedenti “Doka”.

Kujtojmë nga fundi i kampionatit të kaluar, kur Tirana militonte në elitë, mbrojtësi i djathtë u la jashtë për disa ndeshje pasi nuk po pranonte që të nënshkruante kontratë. Vetëm pasi firmosi, 20-vjeçari iu rikthye formacionit. Gjithsesi, duhet parë si do të mbyllet telenovela “Hoxhallari” që zgjat prej më shumë se 3 muajsh.

ADELA MERKO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"