Administratori Olsi Bregu: Apolonia, me mentalitetin dhe besimin për të mbijetuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2021 | 22:07

Administratori Olsi Bregu: Apolonia, me mentalitetin dhe besimin për të mbijetuar

Pas 17 javëve kampionat, vetëm 1 ndeshje para mbylljes së fazës së dytë, Apolonia renditet në vendin e tetë në Kategorinë Superiore, larg pretendimeve që fierakët kishin në fillim të sezonit. Gjithsesi, brenda skuadrës ka besim dhe optimizëm që do të mbijetojnë, çka del edhe nga intervista që administratori i klubit, Olsi Bregu, dha për “Panorama Sport”.

Olsi Bregu

Bregu, një javë para mbylljes së fazës së dytë, Apolonia në vend të tetë, 1 pikë më shumë nga vendi i fundit dhe 8 pikë larg vendit të shtatë. A është brenda parashikimeve dhe pritshmërive tuaja kjo ecuri?

Duhet pranuar që ka qenë një kampionat i vështirë për ne gjer tani. Superiorja e sivjetshme ka pasur konkurrencë, rezultate surprizë dhe luftë të fortë. E vërteta është se Apolonia është larg asaj që pretendonim, për një sërë arsyesh. E nisëm keq, reaguam, patëm sërish probleme me drejtimin në pankinë, çka u reflektua edhe në rezultatet e skuadrës.

Megjithatë, me ardhjen e trajnerit Kamarata, mendoj se ka mbetur mbrapa ai moment delikat dhe skuadra po reagon pozitivisht.

Megjithatë, ndodheni sërish në pozicion delikat në renditje. Ku e besoni atë që thoni për reagim pozitiv të skuadrës?

E shoh në mënyrën se si skuadra luan në fushë, por edhe në rezultate. Dikur ekipi e humbiste toruan pas pësimit të një goli dhe ndeshja mbyllej thuajse aty, ndërsa prej javësh skuadra është rritur në aspektin e përballimit të kundërshtarit dhe lufton gjer në fund. E kemi parë këtë gjë me Partizanin, me Laçin, madje dhe së fundmi me Tiranën. Pavarësisht se humbëm me kampionët, kemi qenë në lojë gjer në minutën e fundit, duke kërkuar barazimin. Nëse vazhdojmë kështu, me këtë mentalitet dhe shpirt gare, nuk do të jetë e largët dita që të shkëputemi nga fundi, edhe pse na duhet shumë mund, forcë dhe besim.

A jeni i kënaqur nga merkatoja dimërore?

Janë të ditura vështirësitë e kësaj periudhe për të gjetur lojtarë cilësorë. Megjithatë, ne bëmë përpjekjet tona maksimale për të forcuar ekipin, sipas nevojave të organikës. Fakti është që kemi tentuar disa lojtarë, kemi testuar shumë të tjerë, por nuk ka qenë e thënë që të nënshkruanim. Disa ishin larg kërkesave tona, disa të tjerë nuk përmbushnin cilësinë dhe ne arritëm që të ofronim ata lojtarë që ju i dini. Diop është një mbrojtës i ri dhe me të ardhme. Ai është përshtatur shumë shpejt me grupin dhe bëri një debutim të mirë me Tiranën, edhe pse pak ditë kishte që stërvitej me skuadrën.

Po kështu, ne jemi optimistë për sulmuesin Vasilj, mendojmë se është një lojtar që do të rrisë konkurrencën në vijën e parë dhe do ta ndihmojë skuadrën për të rritur numrin e golave të shënuar. Sa i përket Shanajt dhe Zaimit, i pari është lojtar perspektive dhe më shumë shihet si kontigjent për të rinjtë dhe U-21, ndërsa Zaimi si alternativë në mbrojtjen tonë, sipas nevojave që do të ketë skuadra. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar që rikuperimi i Krasniqit, arritja gradualisht e formës së duhur nga Andoni dhe Duda do të ishin tjetër ndihmesë dhe forca të shtuara për ekipin tonë.

Apolonia ka një kalendar të vështirë, pasi do të luajë dy ndeshje radhazi në transfertë me Teutën dhe Vllazninë. Sa optimistë jeni për këto dy përballje?

Nuk ka më ndeshje të lehta, sepse çdo skuadër ka objektivat e vet. Megjithatë, janë dy javë me dy nga ekipet më të mira të këtij sezoni, me të cilat kemi humbur në ballafaqimet e mëparshme. Teuta dhe Vllaznia nuk kanë nevojë për fjalë të shumta, por është detyra jonë që t’i përgatisim me kujdes të dyja ndeshjet. Unë kam besim te stafi teknik dhe trajneri Kamarata, kam besim te forca dhe ndërgjegjja e djemve të skuadrës, ndaj nuk ka pse të mos jemi optimistë. Apolonia nuk shkon në asnjë ndeshje për të humbur dhe javë pas jave takimet marrin rëndësi të veçantë, kështu që na duhet të guxojmë për rezultate maksimale përballë çdo kundërshtari.

Sa i përket situatës së krijuar në ndeshjen e fundit në tribunën qendrore, pasiguri që shkaktoi dhe zhvendosje të shikuesve, ka ndonjë masë paraprake për të mos pasur më probleme të tilla në të ardhmen?

E vërteta është se stadiumi “Loni Papuçiu” ka pasur probleme me konstruksionet metalike, për shkak të erës dhe, për të pasur siguri, u bë dhe zhvendosja në tribunat anësore. Edhe pse kjo nuk është çështje e klubit, ne kemi marrëdhënien e duhur me bashkinë dhe do të koordinojmë bashkëveprimin me këtë institucion për restaurimin sa më të shpejtë të pjesës së dëmtuar.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"