Administratori Lici tregon se e zbuloi skandalin: Mashtrim si nëpër filma, ja historia e Çinarit

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 16, 2018 | 21:34

Administratori Lici tregon se e zbuloi skandalin: Mashtrim si nëpër filma, ja historia e Çinarit

Një histori e denjë për filma. Kjo që ka ndodhur me lojtarin e Vllaznisë, Eraldo Çinari, është një ngjarje e pazakontë për futbollin shqiptar. Një histori e rrallë ku sigurisht që flitet për mashtrim, dyshime, falsifikim dhe llogari bankare jashtë Shqipërisë. Administratori i ri i Vllaznisë, Suad Lici, zbuloi të gjithë këtë histori dhe e denoncoi te kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

lici1-750x430

Kjo e fundit pretendon se i është falsifikuar firma dhe ka bërë kallëzim në Prokurori që të hetojë në lidhje me çështjen. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport” është administratori i klubit, Suad Lici, i cili tregon gjithçka në lidhje me këtë ngjarje të rrallë. Ai e konsideron si një histori të denjë për filma, ndërsa thotë se do t’i shkojnë deri në fund. Shpreh keqardhje vetëm për karrierën e lojtarit, pasi sipas tij nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përveçse një marrëveshje të re me Deportivo Alavesh që të paguajë 100 mijë euro për kartonin e lojtarit.

“Jemi të gatshëm që të negociojmë duke parë kontratën që ka lojtari me Vllazninë. As unë dhe asnjë tjetër nuk mund të hyjmë në burg për çështje parash. Ne kërkojmë vetëm që të zbatojmë rregullat e klubit dhe të shtetit. Me sa kam informacion, kryetarja e Bashkisë e ka dërguar çështjen për ndjekje penale dhe do ta hetojë Prokuroria”, thotë ndër të tjera Çinari.

Vllaznia doli me një reagim zyrtar një ditë më parë në lidhje me çështjen Çinari. Ju si administratori i ri i klubit keni zbuluar se diçka nuk shkonte në transferimin e lojtarit drejt Alavesh në Spanjë. Çfarë keni konstatuar?

Është një histori si nëpër filma. Unë veproj duke u bazuar te shkresat. Më kanë bërë një kërkesë për lejen e kalimit për lojtarin Eraldo Çinari, ku ndër to ishte edhe marrëveshja që dikur klubi Vllaznia kishte rënë dakord me Alavesh. Sapo kam parë firmën e kryetares së Bashkisë, i kam çuar shkresë përcjellëse dhe më ka kthyer përgjigje zyrtare që nuk ka pasur asnjë lloj marrëveshje me klubin spanjoll. Unë menjëherë i kam vendosur në dijeni spanjollët. Ata pretendojnë se u ka shkuar gjithçka nga e-mailet e klubit. Por, dokumente zyrtare janë vetëm ato që kam komunikuar unë me klubin spanjoll dhe kroat që i kam bërë të ditur çdo situatë në detaje. U kam bërë të ditur se lojtari ka klauzolë 100 mijë euro.

Çfarë i keni thënë klubit të Deportivo Alavesh?

Jemi të gatshëm që të negociojmë duke parë kontratën që ka lojtari me Vllazninë. As unë dhe asnjë tjetër nuk mund të hyjmë në burg për çështje parash. Ne kërkojmë vetëm që të zbatojmë rregullat e klubit dhe të shtetit. Ua kam bërë të qartë edhe familjarëve të lojtarit, të cilët kanë thënë që kanë marrëveshje. Me sa kam informacion, kryetarja e Bashkisë e ka dërguar çështjen për ndjekje penale dhe do ta hetojë Prokuroria.

Firma e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi është falsifikuar?

Kryetarja e Bashkisë thotë se firma dhe i gjithë dokumenti i marrëveshjes është i falsifikuar. Numri i llogarisë bankare të klubit të futbollit Vllaznia figuron në Itali, gjë që është krejtësisht absurde. Është një lojë shumë e pisët.

Ka ndonjë person apo grup personash ku dyshoni se mund ta kenë bërë këtë?

Nuk mund të akuzoj askënd. Janë organet ligjzbatuese ato që hetojnë. Ne do të vendosim në dispozicion çdo dokument që zotërojmë për këtë çështje. Çdo dokument e kemi të protokolluar. Ne protokollojmë çdo dokument që na vjen dhe del nga klubi. Ne nuk kemi se çfarë të fshehim në këtë histori. Kemi shpresuar se do të gjendej një zgjidhje me marrëveshje, por për sa kohë gjërat mbeten në vend dhe ne i jemi drejtuar edhe FIFA-s, gjërat do të shkojnë keq.

Mua më vjen shumë keq në aspektin sportiv për lojtarin, sepse viktimë e kësaj historie do të jetë vetë futbollisti dhe karriera e tij. Dhe nëse çështja shqyrtohet dhe FIFA merr një vendim, masat do të jenë ekstreme. Në të gjithë këtë histori, klubi i Vllaznisë është krejtësisht i pastër. Mjafton të vërtetohet se numri i llogarisë është në Itali. Dhe ata që e kanë bërë këtë gjë, të japin llogari përpara ligjit. Gjithçka është shumë e thjeshtë. Në aspektin sportiv, lojtari mund ta vuajë shumë dhe për këtë më vjen keq.

Sa rrezikon Çinari në rast të një dënimi?

Këtë nuk di ta them me saktësi, por lojtari rrezikon shumë. Vetë futbollisti është në dijeni të kësaj. Nuk më ka ndodhur ndonjëherë një gjë e tillë dhe të them të drejtën, të presim se çfarë do të ndodhë. Klubit spanjoll ia kemi vendosur në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe klauzolat e kontratës. Shkresa që pretendojnë spanjollët se është arritur marrëveshja është pa numër protokolli, kështu që është lehtësisht e verifikueshme që shkresa nuk ka dalë nga klubi Vllaznia. Pavarësisht pretendimeve, të gjitha janë të verifikueshme. Edhe familjarët janë viktimë. Nuk e di si ka ndodhur e gjithë kjo histori.

Sa para janë derdhur në numrin e llogarisë që ndodhet në Itali?

Klubi spanjoll pretendon se ka derdhur 20 mijë euro në numrin e llogarisë që ndodhet në Itali. Ne nuk e dimë nëse janë derdhur dhe kush i ka marrë ato para. Spanjollët pretendojnë se u ka shkuar një e-mail nga klubi Vllaznia që jemi dakord për shifrën e 20 mijë eurove. Ky dokument më ka ardhur mua në dorë dhe në momentin që kam parë firmën e kryetares së Bashkisë i kam bërë shkresë përcjellëse dhe ajo është habitur kur e ka parë.

Kryetarja e Bashkisë ka dërguar vetëm një dokument ku thotë se jemi të gatshëm si klub që të negociojmë duke u shpjeguar atyre kontratën, pikat dhe detyrimet që duhet të paguhet për lojtarin në fjalë. E gjithë kjo për të mos u bërë pengesë për lojtarin. Çdo gjë është e thjeshtë dhe e qartë.






www.minuta90.com