Administratori Lici: Alavesh konfirmoi absurditetin, ja si e zgjidhëm çështjen e Çinarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2018 | 20:40

Administratori Lici: Alavesh konfirmoi absurditetin, ja si e zgjidhëm çështjen e Çinarit

Erald Çinari firmosi për Partizanin në limitet e merkatos së verës. Lojtari i Vllaznisë kaloi muajin më të “nxehtë” të karrierës së tij, duke rrezikuar që gjërat të shkonin keq për shkak të një mashtrimi me transferimin e tij te Deportivo Alavesh në Spanjë. Me spanjollët që pretendonin se kishin depozituar 20 mijë euro në një numër llogarie në Itali duke siguruar shërbimet e lojtarit, gjithçka më pas rezultoi se ishte një mashtrim.

lici1-750x430

Administratori i ri i Vllaznisë, Suad Lici, zbuloi gjithçka, ndërsa çështja ka përfunduar edhe në Prokurori, pasi është falsifikuar firma e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi. Dy ditë më parë, gjithçka u mbyll me sukses dhe Çinari firmosi për Partizanin, ndërsa shkodranët kanë arkëtuar një shifër prej 60 mijë eurosh nga ky transferim.

cinari3

LICI – Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, është administratori i Vllaznisë, Suad Lici, që tregon prapaskenat e transferimit dhe thotë se klubi spanjoll nuk shprehu më interes për transferimin e lojtarit. “Ne ia kishim dërguar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm Deportivo Alavesh përsa i përket lojtarit, por ata nuk shfaqën interes. Nuk ka më lidhje Alavesh në këtë histori, pasi gjithçka u mbyll dhe futbollisti u transferua te Partizani. Për aq kohë sa nga klubi i Vllaznisë nuk ka dalë kartoni i transferimit, nuk ka pasur asnjë çështje.

Përsa u përket parave, është diçka absurde pasi spanjollët pretendojnë se i kanë derdhur paratë në një numër llogarie që është në Itali. Por, klubi shkodran nuk ka një numër llogarie në Itali dhe kjo është absurde”, u shpreh fillimisht Lici në prononcimin e tij. Më tej, administratori ka konfirmuar edhe shifrën e transferimit të Çinarit te Partizani.

suad lici

“Lojtari është transferuar te klubi kryeqytetas për 60 mijë euro. Futbollisti kishte edhe një vit kontratë me Vllazninë, ndërsa Partizani ishte shumë i interesuar për të. Gjetëm gjuhën e përbashkët me futbollistin dhe me klubin e kuq dhe u bë  i mundur transferimi”, thotë Lici. Ndërsa, përsa i përket çështjes së falsifikimit të dokumenteve dhe firmës së kryebashkiakes së Shkodrës, administratori i kuqebluve konfirmon se çështja është duke u hetuar nga Prokuroria.

LËVIZJET – Ndërkaq, Lici ka folur edhe në lidhje me lëvizjet e fundit të merkatos te Vllaznia, duke prekur çështjen e Ardit Krymit dhe afrimeve të të huajve. Ndërsa konfirmon se do të ketë të tjera afrime në vazhdim. “Përsa i përket Krymit, për momentin nuk mund të deklaroj ndonjë gjë konkrete. Jemi duke punuar çdo ditë dhe siç e ndiqni, informojmë publikun dhe tifozët me deklaratat që bëjmë të ditura.

Nesër(sot), klubi do të dalë sërish me një deklaratë dhe do t’i keni të gjitha të sakta”, u shpreh administratori i Vllazninë. I pyetur edhe për çështjen e përgjysmimit të pagave të lojtarëve titullarë, Lici përgjigjet: “Besoj se kemi gjetur gjuhën e përbashkët me të gjithë lojtarët. I keni lexuar të gjitha në shtyp. Pjesa më e madhe e futbollistëve kanë shprehur gatishmërinë që të ndihmojnë Vllazninë dhe unë i falënderoj publikisht”, përfundoi reagimin e tij për gazetën administratori i Vllaznisë, Suad Lici.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"