Administratori i Vllaznisë: Nëse Cicmil e ka bërë me qëllim, haram buka që ka ngrënë këto 2 vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2017 | 10:00

Administratori i Vllaznisë: Nëse Cicmil e ka bërë me qëllim, haram buka që ka ngrënë këto 2 vjet

Administratori i Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a, Astrit Gjyrezi, ka shprehur mendimin e klubit për thashethemet e përhapura pas takimit me korçarët. Sipas tij, Vllaznia nuk ka luajtur asnjëherë teatër në këtë sezon. Ajo në asnjë takim nuk ka toleruar e, aq më tepër, në përballjen me Skënderbeun.

Gjyrezi - lojtari kontrata

“Vllaznia nuk ka toleruar në asnjë moment të këtij takimi. Nuk ka vend për teatër. I kam parë pa asnjë përjashtim të mërzitur në maksimum të gjithë lojtarët e ekipit. Ishte një përballje që nuk mund të baltoset dhe të luhet me djersën e këtyre djemve për gjëra që ndodhin në futboll. Kemi fituar takime në limite dhe po ashtu u ndëshkuam.

Siç dhe luajtëm nuk e meritonim të humbnim, për të mos thënë se e meritonim një fitore në këtë takim. Të gjithë jemi mërzitur prej kësaj humbjeje, të cilën ende s’e besojmë. Mërzia ka qenë e madhe te të gjithë lojtarët. Kam parë si rrallëherë edhe lot në sytë e tyre”, u shpreh Gjyrezi.

CICMIL

Deklaratat e forta të teknikut Cungu për qendërmbrojtësin malazez, Stefan Cicmil, nuk pritet që të pasohen me masa ekstreme. Por, me një kalim të tij në ekipin e “Vllaznisë B”, për pjesën e mbetur të sezonit. Sipas Gjyrezit, problemet sportive të shfaqura nga malazezi nuk janë fakte për një tolerim të tij.

“Pavarësisht deklaratave të momentit të teknikut Cungu për Cicmilin, ne duhet të ndalemi dhe ta shikojmë më mirë rastin e tij. I ndodh çdo lojtari një gjë e tillë. Nuk na shkon mendja te një e qëllimshme. Tekniku e ka gjykuar në aspektin e kërkesave të tij teknike. Ai nuk e ka akuzuar në asnjë moment lojtarin. U ndëshkuam nga gabimet tona.

Por, nëse do të ketë gjë të qëllimshme, unë nuk do t’i thosha as më shumë e as më pak, por vetëm fjalën ‘haram buka që ka ngrënë këto dy vite te Vllaznia’. Nuk duhet të dalim në deklarata të nxituara dhe të nxitemi nga ajo që në ngjau në ato minuta të shtesës. Nuk kemi pasur kohë që të merremi me një gjë të tillë, pasi kemi mbërritur vonë në Shkodër. Megjithatë, do të shikojmë me gjakftohtësi dhe nuk duhet të ngutemi.

E thashë edhe më parë, nuk më shkon mendja se Cicmil ka pasur ndonjë gjë me dashje në këtë takim. Unë do të thosha që të gjithë, si ata që ishin si titullarë e ata që u futën si zëvendësues, dhanë vlerat më të mira. Vlerat reale të kësaj skuadre që kemi treguar sidomos në këtë pjesë të dytë të sezonit”, ka vijuar ai.

LUFTËTARI

Vllaznia ka një finale për vendin e katërt atë me Luftëtarin. Kuqeblutë, pikërisht pas humbjes 2-3 me Luftëtarin, humbën vendin e katërt në takimin e fazës së dytë. Ndërsa të mërkurën shpreson që ta rimarrë sërish ndaj kësaj skuadre vendin që mund ta çojë në Kupat e Europës.

“Përballja me Luftëtarin është një finale për mendimin tim për vendin e katërt. Kemi humbur dy herë mundësinë për ta rimarrë këtë pozicion. E pafalshme ishte me Korabin, por grinta e karakteri që treguan me Skënderbeun më bën të shpresojmë se kësaj here do ta prekim sërish vendin e katërt.

Një përballje e vështirë për ne, por që me vlerat që kanë këta djem, kam besimin tek arritja e një fitoreje në këtë takim. Ne do të kërkojmë vendin e katërt dhe mendoj se e meritojmë një gjë të tillë. Unë do të dëshiroja që në këtë takim të kemi edhe mbështetjen edhe të tifozërisë sonë. Ekipi ka nevojë për ta në këto momente”, ka deklaruar administratori i klubit të futbollit Vllaznia, Astrit Gjyrezi.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"