Ademi: Vllaznia, në ankand në dhjetor. Nuk e dimë sa aksione do të shiten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2017 | 9:32

Ademi: Vllaznia, në ankand në dhjetor. Nuk e dimë sa aksione do të shiten

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, njëherësh edhe presidentja e Vllaznisë, ka folur për “Panorama Sport” për sa i përket procesit të privatizimit të klubit kuqeblu. Edhe pse prej muajsh është paralajmëruar se do të nisin procedurat, në mënyrë që fillimi i vitit të ardhshëm ta gjejë Vllazninë të privatizuar, ende nuk ka siguri për atë që pritet të bëhet. Sipas Ademit, bashkia do të hapë ankandin deri në muajin dhjetor, ndërsa synon që të ketë sa më shumë aksionere.

voltana ademi cungu

PRIVATIZIMI

“Procesi i privatizimit do të vazhdojë, por ne kemi hasur vështirësi në përgatitjen e termave të referencës. Nga konsultimi që u kemi bërë të gjitha materialeve, na rezulton se nuk ka një ekspertizë të tillë në Shqipëri apo nuk ka një shembull që të jetë ndjekur më përpara me një klub tjetër futbolli.

Pra, nuk kemi një ekspertizë shtetërore për këto lloj sipërmarrje, nëse mund ta quaj kështu. Prandaj kemi kërkuar mbështetje për hartimin e termave të referencës dhe mendojmë se gjithçka do të jetë gati brenda këtij muaji në duart e Bashkisë Shkodër, në mënyrë që më pas të nisë procesi i vlerësimit.

Ademi

Më pas, deri në fund të këtij viti, do t’i hapim rrugë ankandit për blerjen e aksioneve. Është një çështje më vete se kush do të jetë aksioner. Nuk jemi kurrsesi të sigurt nëse do të blihen 5 aksione, 50 apo 49. Ne dëshirojmë që Bashkia Shkodër të mos jetë aksionere e vetme në klubin e futbollit, por të jenë sa më shumë aksionerë”, deklaroi Ademi.

MBËSHTETJA

E pyetur se çfarë do të bëjë në rast të dështimit të këtij procesi, kryebashkiakja Ademi ka theksuar faktin se institucioni që drejton, do të vazhdojë që ta mbështesë fuqimisht Vllazninë. “Deri atëherë kur të arrihet ky privatizim, ne do të vazhdojmë ta mbështesim Vllazninë. Ky është një vullnet institucional, politik, por edhe personal i imi. E kam theksuar se klubin do ta mbështes deri në momentet që do të kalojë në duart e privatit.

cungu ademi

Vllaznia është një skuadër që u përket të gjithëve. Në këto kushte, të gjithë duhet të kontribuojmë për skuadrën e zemrës”, ka përfunduar numri një i Bashkisë Shkodër. Kujtojmë që në fillim të këtij sezoni, Ademi i ka qëndruar shumë afër klubit, duke e ndjekur në të dyja ndeshjet e kampionatit. Ajo ka garantuar se Vllaznia nuk do të ketë asnjë problem financiar, edhe pse shpesh lojtarët janë ankuar për vonesat e rrogave, veçanërisht sezonin e kaluar.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"