Adani vë bast për Asllanin: Mesfushor total, mund të konsiderohet titullar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 19:59

Adani vë bast për Asllanin: Mesfushor total, mund të konsiderohet titullar

Fundjava që lamë pas nuk ishte ndër më të lumturat e Kristjan Asllanit me fanellën zikaltër pas asaj paraqitjeje jo të mirë ndaj Vijarealit, por kjo nuk e ka zbehur aspak talentin dhe besimin e Interit dhe opinionit sportiv në Itali për 20-vjeçarin. Ka qenë Lele Adani që analizën për “La Gazzetta dello Sport” mbi të rinjtë që pritet të pushtojnë këtë vit Serinë A, e ka nisur me elozhet për elbasanasin.

Adani.Sky.Sport.750x450

KOMENTI – “Si fillim, të sqarojmë dhe t’u japim një herë e mirë fund të gjitha fjalëve që thuhen vërdallë: Asllani nuk është vetëm një zëvendësues për Brozoviçin, është shumë më shumë se aq”, e ka nisur ish-mbrojtësi zikaltër fjalën e tij mbi mesfushorin duke detajuar më pas edhe cilësitë e tij.

“Për mua ka gjithçka që duhet për t’u konsideruar titullar i Interit. Jam i bindur se si Simone Inzagi, ashtu edhe klubi e dinë shumë mirë çfarë goditjeje kanë bërë dhe sa shumë u leverdis që të investojnë kohë dhe besim te Kristjani, sepse është një mesfushor total.  Di të bëjë gjithçka: të marrë topin dhe ta shpërndajë atë në çdo mënyrë, të driblojë, të ushtrojë presion duke zgjedhur kohët perfekte në çdo lëvizje. Di të vrapojë dhe ka këmbë të edukuara, por mbi të gjitha është gjithmonë një hap para të tjerëve dhe di t’u vjedhë kohën kundërshtarëve.

Për këtë pres nga Interi që t’i mundësojë hapësirat e duhura, pasi edhe zikaltrit luajnë një futboll të përshtatshëm me karakteristikat e tij. Nuk mendoj se ekziston një trajner që nuk do të ishte i lumtur të kishte në dispozicion shërbimet e Asllanit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"