Aco Stojkov zyrtarisht te korçarët, Skënderbeu, merr bomberin e Maqedonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2015 | 15:17

Aco Stojkov zyrtarisht te korçarët, Skënderbeu, merr bomberin e Maqedonisë

Stojkov_AarauSkënderbeu godet në merkato. Aco Stojkov është zyrtarisht i bardhekuqve. Sulmuesi i Kombëtares maqedonase, ditën e sotme do u bashkohet korçarëve në Spanjë. Pas tratativave disaditore, drejtuesit arrijnë akordin me 31-vjeçarin, duke konkluduar me sukses këtë “operacion”. Transferimi i tij konsiderohet i suksesshëm, nisur edhe nga karriera e tij e pasur. Por jo vetëm kaq, pasi ajo që bind më së shumti është fakti që ai është në aktivitet, madje në pjesën e parë të këtij sezoni ka shënuar jo pak, por 9 gola. Me këtë përforcim, blindohet edhe sulmi, që në miqë- soret e zhvilluara në tokën spanjolle dëshmuan se problemet në këtë repart ishin të mëdha, referuar këtu edhe shifrave, pasi në tri ndeshje nuk është shënuar asnjë gol. I vetmi problem që u has ishte ana financiare, por, pas akordit të arritur, kuptohet qartazi që Takaj e ka bërë një sforco për të blinduar bomberin e Maqedonisë.

Konfirmimi – Një lajm të tillë e konfirmon vetë presidenti Ardjan Takaj. Për “Panorama Sport” ai pranon mbylljen me sukses të marrëveshjes, madje zbulon se sot lojtari do të niset drejt Spanjës, atje ku po akomodohet prej ditësh Skënderbeu. “Mund t’ju konfirmoj se Aco Stojkov është blerja më e re e Skënderbeut. Pas shumë tratativave me sulmuesin maqedonas, kemi arritur që ta mbyllim me sukses marrëveshjen me të. Nesër (sot) ai do t’i bashkohet ekipit në Spanjë”.

Karriera – Aco Stojkov është sulmuesi i Kombëtares së Maqedonisë me të cilën ka luajtur që nga viti 2002 43 ndeshje, duke arritur të shënojë pesë gola. Nga ana tjetër, për sa i përket karrierës së klubeve, që në vitet 2000 ky lojtar është cilësuar si një nga talentet e Maqedonisë dhe për 5 vjet ka qenë pjesë e Interit në Itali, por duke mos u aktivizuar në asnjë takim me zikaltrit. Momentalisht, luan në radhët e Rabotniçkit (Maqedoni), teksa në 11 takime ka shënuar plot 9 gola. Në total ky futbollist ka provuar të luajë edhe në kampionatin zviceran me Araun teksa në karrierën e tij ka zhvilluar gjithsej 122 ndeshje duke shënuar 57 gola.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"