Açka qetëson Marantasin, Dushkaj: Koha e kthesës së madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2019 | 22:45

Açka qetëson Marantasin, Dushkaj: Koha e kthesës së madhe

Luftëtarit i është shtrënguar “laku”. Pikët janë kthyer në domosdoshmëri, ndaj përballë Teutës do të luajnë vetëm për fitore. Rrugë tjetër nuk kanë, nëse duan që t’i largohen fundit të tabelës. Skuadra ka sfiduar reshjet e dendura të shiut dje dhe ka vijuar stërvitjen me ritëm të lartë në fushën “Lefter Millo” të Dervicianit.

luftetari

Grupi është plotësuar, pasi u rikthye edhe Donald Açka. Mesfushori ka munguar në dy seancat e fundit pas atij dëmtimi që mori kundër Partizanit, e megjithatë janë mjekët që konfirmojnë se është gati për javën e 12- të kundër durrsakëve. Fizioterapisti Juxhin Korbeci për “Panorama Sport” shprehet:

“Dëmtimi në kofshën e djathtë për fat të mirë nuk përbën problem. Ai është gati për nesër. Si staf mjekësor gjykuam që mesfushori të mos merrte ngarkesa fizike për dy ditë, por sot iu bashkua grupit. Dhe nuk besoj se ka pengesë për takimin kundër Teutës”.

Megjithatë, mungesat janë të pashmangshme në këtë 90-minutësh, pasi zyrtarisht të padisponueshëm janë edhe Aurel Demo e Donald Rapo. Mbrojtësi nuk është rikuperuar ende, ndërsa kapiteni është i skualifikuar prej kartonëve. Në këtë liste mund të përfshijmë edhe Realdo Filin me Hilgen Cerezo, të dënuar nga klubi.

jurgen-dushkaj

DUSHKAJ – Jurgen Dushkaj beson te kthesa. Sulmuesi 24- vjeçar për gazetën thekson se ka skuadra është “e etur” për pikë. “Me Teutën është një ndeshje e vështirë. Do japim gjithçka që të arrijmë te fitorja. Mendojmë vetëm për 3 pikët.

Dëshira për të marrë pikë dhe për t’u ngritur në tabelë është evidente te çdo lojtar. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, pavarësisht renditjes. Ne ndjekim urdhrat e trajnerit dhe japim maksimumin në stërvitje. Jemi të bindur se rezultatet pozitive javë pas jave do të vijnë”, përfundoi 24-vjeçari, i afruar gjatë merkaton e verës te bluzinjtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"