Acarohen Romero dhe Telushi, Kërçiku dëmtohet para ndeshjes. Ja pikantet në miqësoren e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2020 | 22:31

Acarohen Romero dhe Telushi, Kërçiku dëmtohet para ndeshjes. Ja pikantet në miqësoren e Partizanit

Pas humbjes 1-0 ndaj Trabzonsporit, dje të kuqtë u përballën me ekipin e njohur hungarez, Budapest Honved. Kjo ishte ndeshja e fundit në tokën turke e “demave”, të cilët do të stërviten edhe sot në Antalia, e më pas të premten do të kthehen në Tiranë. “Panorama Sport” ju sjell disa nga pikantet para dhe gjatë ndeshjes së humbur ndaj Honvedit.


partizani

* Mbrojtësi i djathtë, Dorian Kërçiku, që rezulton deri më tani edhe si afrimi i vetëm nga merkatoja e janarit, nuk u aktivizua në miqësoren e djeshme. Të kuqtë zhvilluan një seancë gjatë paradites, përpara se të luanin kundër Honvedit. Mësohet se Kërçiku pësoi një goditje në kofshë dhe stafi mjekësor mendoi që lojtari të pushonte, në mënyrë që të mos e rëndonte gjendjen duke luajtur në këtë miqësore.

* Budapest Honved kishte një shqiptar në formacion, madje luajti 90 minuta kundër “demave”. Bëhet fjalë për një emër të njohur, pikërisht mbrojtësin e majtë, Naser Aliji. Pas eksperiencës në Rumani, tashmë lojtari kërkon të kapë formën më të mirë në kampionatin hungarez, duke shpresuar se do të grumbullohet sërish në Kombëtaren shqiptare.

* Në minutën e 2-të të ndeshjes së djeshme, Alban Hoxha u përplas gjatë me sulmuesin kryesor të Budapestit, Moutari. Në fillim pati panik, duke menduar se portieri dëmtoi shpatullën, por pasi u ngrit nga fusha, Hoxha vazhdon lojën normalisht dhe alarmi ishte fals.

* Dy trajnerët italianë, Sormani në pankinën e Partizanit dhe Sanino te Honvedi, e ndoqën në këmbë të gjithë ndeshjen. Britmat e Saninos në transmetimin direkt të ndeshjes nga klubi i kuq në internet, u dëgjuan më tepër. Veçanërisht fjalët: “shpejt, shpejt” dhe “mos u tërhiq”.

* Në fillimin e pjesës së dytë trajneri Sormani nxori të gjithë stolin në nxehje, për t’i aktivizuar lojtarët pas minutës së 50-të.

* Në minutën e 20-të, Bruno Telushi rrëzohet afër zonës, por arbitri turk nuk jep faull dhe acaron lojtarët e kuq për faktin se aksioni vijoi me një rast të pastër për shënim nga hungarezët.

* Mesfushori venezuelian, Aristoteles Romero, u përplas me sulmuesin e Budapestit, Lanzafame, pas një faulli në anësore. Ishte hungarezi që u ngrit dhe i kërkoi llogari Romeros, por ky i fundit nuk ia përtoi, derisa arbitri ndërhyri dhe ndëshkoi me karton të verdhë Lanzafamen, si dhe akordoi faull në dëm të Partizanit.
parr

* Thuajse e njëjta situatë u përsërit në minutën e 65-të, kur një prej lojtarëve hungarezë ndërhyri rëndë ndaj Melos dhe më pas Telushi u acarua me një nga kundërshtarët, që nuk respektoi “Fair Play”-in.

* Trajneri Adolfo Sormani nuk pranoi të prononcohej dje pas ndeshjes së fundit miqësore në Turqi. Zyra për shtyp e klubit sqaroi se italiani ka kërkuar mirëkuptimin e mediave për të dhënë deklaratën e tij për miqësoren dhe jo vetëm në ditët e ardhshme.

* Mbrojtësi rumun, Deian Boldor, nuk u aktivizua ndaj Budapest Honved. Duke qenë se ai është i pezulluar nga Disiplina dhe nuk do të jetë i gatshëm ndaj Skënderbeut, Sormani preferoi të hidhte në fushë lojtarë të tjerë, ndërsa rumuni e ndoqi takimin nga tribuna e kompleksit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"