Absurdi te Tomori, klubi ka një muaj e gjysmë pa administrator

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2021 | 23:48

Absurdi te Tomori, klubi ka një muaj e gjysmë pa administrator

Në Berat nuk u ndahen dot “surprizave”. U bë një muaj e gjysmë që klubi nuk ka një administrator. Që pas largimit të Ismet Ajazit (doli në pension dhe për këtë motiv dha dorëheqjen), nuk është zgjedhur një i ri. Kur dihet që Tomori nuk ka një president dhe menaxhohet prej bashkisë, pa frikë mund ta themi që nuk e ka një “kokë” drejtuese.

Tomori Dalipi

Duket absurde që po zvarritet emërimi i pasardhësit, duke e lënë vakant një post kaq të rëndësishëm. Më shumë sesa një person që të merret me procedurat administrative, kërkohet një zyrtar që të ketë kontakte edhe me FSHF-në për çdo ndeshje dhe jo vetëm. Këtu nuk po përmendim një detaj tjetër, që lidhet me akademinë. Prej javësh askush nuk është aty që të menaxhojë ekipet zinxhir. Është e tepërt që të thuash se këtë detyrim po e kryejnë në mënyrë krejt vullnetare persona të tjerë dhe të punësuar pranë klubit Tomori.

Shtrohet pyetja: A është e mjaftueshme kjo? Si ka mundësi dhe e pashpjegueshme që Bashkia e Beratit dhe kreu i saj, që mban edhe detyrën e presidentit, ka harruar që për një muaj e gjysmë nuk ka administrator? Është kjo një harresë, neglizhencë apo thjesht po kërkohet kohë për të “studiuar” kandidaturat alternative…

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"