Abramoviç do Pep Guardiolën, Mançini plani B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2015 | 10:21

Abramoviç do Pep Guardiolën, Mançini plani B

pepRoman Abramoviç po bën çmos që ta largojë Pep Guardiolën nga kthetrat e Mançester Sitit. “The Sun” ka zbuluar se presidenti i Çelsit i ka premtuar trajnerit spanjoll se do t’i japë gjithçka që do kërkojë vetëm që ai të ulet në stolin e “Stamford Bridge” prej sezonit të ardhshëm. Mançester Siti është skuadra favorite për të siguruar shërbimet e trajnerit në largim të Bajernit, madje, sipas shtypit spanjoll, mbrojtësi argjentinas Martin Demikelis u ka treguar miqve dhe familjarëve se gjithçka është mbyllur dhe prej sezonit të ardhshëm katalanasi do të drejtojë “qytetarët”.

Por hierarkia e kampionëve të Anglisë mendon ende se ata kanë një shans për të prishur planet e rivalëve dhe ta sjellin 44- vjeçarin në Londër. Blutë janë optimistë edhe për faktin se bashkëshortes së trajnerit nuk i pëlqen qyteti i Mançesterit, por ajo do pranonte me kënaqësi të transferohej në Londër. Mançini – Por në Itali i bëjnë llogaritë ndryshe. Interi është në alarm se në rast se Abramoviçi nuk dërgon deri në fund ëndrrën e tij, atëherë do t’i hedhë sytë nga trajneri i tyre, Roberto Mançini. Madje, ata arrijnë deri në pikën sa të përmendin edhe shifra të mundshme akordi.

Teknikut italian do t’i ofrohej një kontratë 2- vjeçare nga e cila do të përfitonte 8.5 milionë euro në sezon dhe shansi për të ndërtuar një skuadër që do të rikthehej konkurruese që prej sezonit 2016/17. Por derisa të mbërrihet te një skenar i tillë, duhet pritur edhe një përgjigje e Diego Simeones, një tjetër dëshirë e vjetër e manjatit rus, por të cilit ai do duhet të paguante klauzolën e prishjes së kontratës me Atletikon. Nga e gjithë kjo zhurmë merkatoje në Angli, ai që do të përfitojë është vetëm trajneri Gus Hidink, i cili e ka të përcaktuar destinacionin e tij deri në fund të sezonit dhe një tërheqje e tillë vëmendjeje nga rezultatet e skuadrës vetëm sa do shkarkonte disi presionin nga lojtarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"