Abraham: Ja si do të veprojë Rexhinaldo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2018 | 17:00

Abraham: Ja si do të veprojë Rexhinaldo

Çështja “Rexhinaldo” ka trazuar jo pak skuadrën e Laçit dy ditët e fundit. Shkak është bërë paraqitja në polici e sulmuesit nigerian që ka deklaruar se ndihej i frikësuar nga presidenti Laska që, sipas tij, e kishte goditur. Por, të mërkurën lojtari ka kryer stërvitje të diferencuar me skuadrën dhe është sqaruar me presidentin e Laçit në prani të gazetarit të “Panorama Sport”. Ndërsa ditën e djeshme ka ardhur edhe pajtimi mes lojtarit dhe Laskës dhe autori i 12 golave është stërvitur normalisht me ekipin. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Panorama Sport” Abraham Alençu, i cili është aktualisht pjesë e stafit të kurbinasve dhe menaxher i ekipit. “Rexhinaldo ka dalë në stërvitje dhe çdo gjë është në rregull. Ka pasur një mosmarrëveshje, por çdo gjë është zgjidhur. Nga ana e tij dhe presidentit është sqaruar çdo problem. Unë e kam këshilluar dhe i kam thënë se çdo gjë është në rregull, kam biseduar edhe me presidentin dhe tani situata është e qetë”, ka thënë ish-mbrojtësi, që ka luajtur për vite në kampionatin shqiptar dhe është tërhequr nga futbolli pas aktivizimit me Laçin.
abraham
FRIKA – Abraham ka deklaruar se tashmë Rexhinaldo nuk frikësohet më për asgjë dhe është gati për të qenë në fushë në ndeshjen ndaj Luftëtarit. “Ju konfirmoj se është shumë i qetë dhe nuk frikësohet për asgjë. Është grumbulluar me ekipin dhe nuk ka asnjë pezullim për të. Do të jetë gati për ndeshjen e radhës”, ka mbyllur Abraham. Ky i fundit prej kohësh është menaxheri i Laçit, kryesisht për lojtarët që vijnë nga Nigeria, por dje ka konfirmuar se do të jetë edhe menaxher i Rexhinaldos në të ardhmen. Sulmuesi që u shfaq për herë të parë në Superiore te Luftëtari ka një kontratë 1-vjeçare me kurbinasit, por është ende shpejt për të folur për të ardhmen e tij, pasi më parë duhet të mbyllet kampionati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"