Abilaliaj firmos për Skënderbeun, korçarët ofertë edhe Azdren Llullakut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2015 | 12:16

Abilaliaj firmos për Skënderbeun, korçarët ofertë edhe Azdren Llullakut

AbilaliajArbër Abilaliaj lar gohet nga Flamur tari. Sulmuesi ka zyrtarizuar “divorcin” me vlonjatët dhe ka vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë te skuadra e Skënderbeut.

Korçarët kanë fituar kështu “duelin” me Partizanin për shërbimet e këtij lojtari. Dje, në orën 15:00, Abilaliaj ka marrë avionin në aeroportin “Nënë Tereza” për t’u nisur në Austri, atje ku edhe i është bashkuar skuadrës së tij të re, e cila prej disa ditësh po vijon fazën përgatitore.

“Divorci” me vlonjatët

Sulmuesi, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, ka deklaruar se nuk mund të qëndronte te Flamurtari për shkak se nuk ishte zgjedhja e parë e trajnerit dhe në këto kushte nuk mund të rrinte si një lojtar i dorës së dytë.

“Në kushtet ku unë nuk isha në planet e trajnerit Stanislav Levi, nuk mund të qëndroja në Vlorë. Trajneri më konsideronte si një lojtar të dorës së dytë dhe në këto kushte nuk mund të isha më pjesë e atij ekipi. Nuk mund të qëndroja si zgjedhje e dorës së dytë, ndaj vendosa që të largohesha. Më vjen keq se largohem nga vendi im, largohem nga tifozët, të cilët më kanë mbështetur dhe më kanë vlerësuar gjatë gjithë kohës”, thotë fillimisht Abilaliaj, por pa përjashtuar mundësinë e rikthimit. Ai e ka shumë të qartë se në një të ardhme do të rikthehet sërish në ekipin mëmë, pra te Flamurtari dhe një gjë të tillë nuk heziton ta pranojë.

“Nuk e përjashtoj mundësinë e një rikthimi te Flamurtari. Asnjëherë nuk i dihet në futboll”, shtoi ai.

Zgjidhja e kontratës

Gazeta ka zbuluar se Arbër Abilaliaj i ka falur 40 mijë euro Flamurtarit, duke e zgjidhur marrëveshjen me klubin në mënyrë konsensuale. “E kam zgjidhur në mënyrë konsensuale kontratën me Flamurtarin. Diskutova me drejtuesit dhe arritëm që të gjenim gjuhën e përbashkët. Në këto kushte, u ndamë si miq me njëritjetrin dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Arritëm marrëveshjen dhe unë bëra zgjedhjen time. Ndaj, nuk më mbetet tjetër gjë, veçse t’i uroj suksese të mëtejshme Flamurtarit”, deklaroi sulmuesi.

Aventura te Skënderbeu

Për sulmuesin, kalimi i tij te Skënderbeu është një sfidë personale si dhe një bindje për të gjithë ata që besuan dhe punuan për këtë transferim. Sipas sulmuesit vlonjat, të jesh pjesë e Skënderbeut është privilegj.

“Çfarë mund të thuash për Skënderbeun! Është një ekip prej pesë vitesh kampion dhe me të njëjtat objektiva edhe për sezonin e ri. Besoj se do të jetë sfida e radhës për mua. Por edhe mënyra për të rikthyer me punë dhe rezultate vlerësimin për të gjithë ata që më besuan dhe që punuan me mua për këtë transferim. Do të jap maksimumin tim. Sa për kontratën, mund të them se ajo është 1-vjeçare, ndërsa për detaje të tjera do të flas me drejtuesit në Austri”, përfundoi Abilaliaj.

LlullakuLlullaku

Skënderbeu nuk ndalet me afrimet në mer kato dhe tashmë po synon të bëjë të tijin edhe sulmuesin shqiptar nga Istogu, Azdren Llullaku, që është pjesë e Gaz Metanit në Rumani. Burime të sigurta pranë klubit korçar bëjnë me dije për gazetën “Panorama Sport” se ka nisur tashmë një interesim i bardhekuqve për sulmuesin në fjalë, që duan ta transferojnë në Korçë duke nisur nga ndeshjet e Ligës së Kampioneve.

Me Llullakun, presidenti Takaj mendon se do të bëjë goditjen e madhe në merkato për t’i dhënë Josës një sulmues të vlefshëm në formacionin e tij, duke rritur kështu forcën e ekipit bardhekuq. Prej kohësh, lojtari ka rënë në lupën e shumë ekipeve të elitës shqiptare, por së fundmi Skënderbeu ka nisur ta konsiderojë seriozisht për të marrë shërbimet e sulmuesit. Pavarësisht insistimit të Skënderbeut, e vetmja pengesë që klubi ka përpara është fakti që Llullaku është nën kontratë me ekipin rumun të Gaz Metanit. Sezonin e fundit, sulmuesi ishte titullar i padiskutueshëm tek ekipi rumun i elitës, ku në 30 takime të zhvilluara ka arritur të shënojë edhe tetë gola. Llullaku Ndërkaq, zërat që flasin për një interesim të Skënderbeut për Llullakun, nuk i ka mohuar as vetë sulmuesi nga Istogu, por ka nënvizuar se është nën kontratë me klubin e Gaz Metanit dhe do ende pak kohë që të prishë me konsensus marrëveshjen me ekipin e tij duke lënë të hapur çdo mundësi për të qenë pjesë e Skënderbeut, duke nisur nga Champions-i.

I pyetur nga “Panorama Sport” nëse i konfirmonte zërat që flasin për një mundësi transferimi te Skënderbeu, Llullaku ka preferuar të përgjigjet shkurtimisht.  “Kam disa kontakte me ekipin e Skënderbeut, por fillimisht më duhet t’i jap fund kontratës me Gaz Metanin. Në ditët në vijim do të takohem me drejtuesit e ekipit rumun për të biseduar rreth kësaj mundësie e më pas do të vendos për të ardhmen”, përfundon lojtari duke konfirmuar edhe një herë se interesimi i Skënderbeut për shërbimin e tij është real. Me Llullakun bardhekuqtë mund të ndërtojnë një repart të avancuar mjaft cilësor, që do t’i japë një dorë ekipit edhe në Champions. Synimi i skuadrës korçare është që të ecë sa më shumë në Ligën e Kampioneve, ose minimalisht të arrijë të kapë grupet e Ligës së Europës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"