Abilaliaj: Flamurtari kap Europën nëse grupi harmonizohet shpejt, vetëm Veliu e meriton shiritin e kapitenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2017 | 22:12

Abilaliaj: Flamurtari kap Europën nëse grupi harmonizohet shpejt, vetëm Veliu e meriton shiritin e kapitenit

Arbër Abilaliaj skanon Flamurtarin e sezonit të ri. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi vlonjat, flet për gjithçka. E, ndërsa vë re shumë ndryshime, i druhet harmonizimit të shpejtë të lojtarëve, por nëse kjo ndodh, Flamurtari është në Kupat e Evropës. Për Abilaliajn, ekipi duhet të qëndrojë larg problemeve jashtë fushe, ndërsa mendon se i vetmi, që sot meriton shiritin e kapitenit te Flamurtarit, është Franc Veliu.

abilaliaj

Abilaliaj, si e vlerësoni merkaton te Flamurtari?

Shumë emra, shumë ndryshime. Mendoj se trajneri Duro ka bërë mirë në zgjedhje. Verdiktin përfundimtar do e japë fusha. Problemi është se si do të harmonizohen të gjithë këta lojtarë për të luajtur si një ekip.

Mendoni se do të harmonizohen shpejt?

Kjo varet nga ambienti që do gjejnë në skuadër gjatë kampionatit dhe sigurisht nga puna e trajnerit, e cila do të jetë kolosale me kaq shumë ndryshime.

Por ka pasur edhe shumë largime. Mendoni se ndikon edhe kjo gjë?

Patjetër që po. Vitet e fundit për ambientin e Flamurtarit nuk është ndonjë risi. Kjo gjë nuk është pozitive.

Thatë se nuk është risi, por përse kjo politike e klubit?

Ndoshta bëhet nga halli, pasi lekët edhe janë, edhe nuk janë te Flamurtari. Është mister kjo punë. Që të bësh skuadër me standarde, lekët duhet të jenë gjithnjë në datën e caktuar për lojtarët, në mënyrë që të bësh plane afatgjate.

Kur ju keni qenë te Flamurtari, ka pasur probleme me pagesat?

Sigurisht që ka pasur vonesa, siç edhe po i vuajnë sot lojtarët. Ndoshta varet edhe nga statusi që ka kompania turke për momentin në klub, por menaxhimi në situata të tilla është shume i vështirë.

Si sulmues që keni qenë, si e shikoni sulmin te Flamurtari?

Shumë i mirë. Nëse kanë arritur të gjejnë dhe një sulmues krahu që të luajë përkrah Danilos dhe bashkë me Bushiç, sulmi është potent.

Kanë mbetur shumë pak lojtarë vlonjatë në ekip. Si e komentoni?

Nuk është ndonjë gjë e mirë edhe kjo sepse peshën e fanellës dhe ndeshjeve, vetëm një futbollist që është rritur me atë fanellë, mund ta kuptojë 100% dhe të jap 200 % pastaj nga mundësitë e tij.

Janë larguar lojtarë që ju i njihni mirë si Telushi, Kuqi, Halilaj, Shehaj, mendoni se mund edhe të qëndronin?

Patjetër që po, por janë zgjedhje të tyre personale edhe të trajnerit Duro.

Po flitet që shiriti i kapitenit t’i kalojë Veliut, por ka reagime nga disa tifozë që janë kundër. Keni ndonjë koment?

Nuk jam në brendësi përse tifozët mund të jenë kundër. Unë mendoj se Veliu është njeriu që e meriton të jetë kapiteni i Flamurtarit, pasi në atë ekip që është aktualisht, vetëm ai e meriton.

Ku mund të shkojë ky Flamurtar?

Nëse grupi harmonizohet pa problem, është në Kupat e Europës. Suksese Flamurtarit dhe shpresoj, këtë vit ecën në hapa të sigurt dhe jo në të njëjtën si këto vitet e fundit. Të luhet më shumë në fushën e blertë, se sa të përfshihet skuadra në hallet jashtë saj.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"