Abilaliaj: Alveshin nuk e blen njeri, Bushiç con ekipin në Europë. Duro i ka marrë 150% grupit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2018 | 21:20

Abilaliaj: Alveshin nuk e blen njeri, Bushiç con ekipin në Europë. Duro i ka marrë 150% grupit

Arbër Abilaliaj e shikon të vështirë, po jo të pamundur rrugën e Flamurtarit drejt Kupave të Europës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi vlonjat shprehet se largimet e janarit nuk do të ndikojnë në ekip, pasi bëhet fjalë që kanë pasur pak minuta në dispozicion. Abilaliaj kritikon Alvesh për bilancin negativ të golave, ndërsa vlerëson kapitenin Bushiç.

abilaliaj

Abilaliaj, si e shihni ecurinë e Flamurtarit në vitin 2017?

Kam përshtypjen se trajneri Shpëtim Duro ka marrë 150% të atij grupi që ka pasur në dispozicion. Ka qenë një fazë e parë dhe gjysmë e fazës së dytë shumë e mirë. Pra, është bërë një mbyllje viti kalendarik shumë e mirë, për këtë flet edhe renditja, ku Flamurtari aktualisht është i dyti në tabelën e klasifikimit të Kategorisë Superiore.

Deri më tani janë afruar katër futbollistë në merkato. Keni krijuar një ide në lidhje me këta lojtarë?

Nga referencat këto afrime duken interesante. Me sa kam lexuar dhe parë, të gjithë ata lojtarë, që kanë ardhur duket se janë të mirë. Varet pastaj se sa do të përshtaten me ekipin në një kohë të shkurtër siç është kjo e janarit dhe se sa do të arrijnë ata që të bëhen bashkë me grupin aktual, që e përsëris, që mbylli një fazë të parë dhe gjysmën e të dytës shumë të mirë. Se çfarë do të bëjnë lojtarët e rinj, kjo mbetet për t’u parë.

Janë larguar Jakovljeviç, Mersini, Neziraj dhe tre të tjerë në huazim. Cili është komenti juaj?

Për mendimin tim, janë larguar disa lojtarë cilësorë, por që nuk kanë qenë në planet e trajnerit Duro. Ata kanë ikur për t’u zëvendësuar nga ata që i shkojnë më përshtat filozofisë së trajnerit. Them se largimi i tyre nuk do të ndikojë pasi ata janë aktivizuar vetëm pak minuta me Flamurtarin.

Abilaliaj

Ndërkohë flitet edhe për një largim të mundshëm të sulmuesit Alvesh. Jeni dakord me një gjë të tillë?

Alvesh të shitet… Po kush e blen? Alveshin e penalizojnë shumë golat. Trajneri Duro i mat sulmuesit me gola dhe asiste. Alvesh është një lojtar i mirë, por nuk po e zgjidh ngërçin që ka.

Çfarë mendoni se nuk shkon me brazilianin?

Nuk është për filozofinë e trajnerit. Kjo e penalizon atë disi. Është kualitativ, krijon volum loje, por ka dy vite te Flamurtari dhe ka shënuar shumë pak.

Po për Bushiç, keni një vlerësim?

Ka një mesatare të mirë. Është një lojtar tejet i rëndësishëm për ekipin, kjo për eksperiencën dhe inteligjencën që ka, por edhe për golat që ka realizuar.

Do të thotë që ka bërë mirë deri tani në skuadër, apo jo?

Ka profilin e një lojtari apo kapiteni, që mund ta çojë Flamurtarin në Kupat e Europës.

Është i arritshëm një objektiv i tillë?

Uroj të jetë plotësuar me lojtarë të ardhur, të përshtaten mirë për mangësitë e fazës së parë. Por vështirësi do të ketë, pasi edhe ekipet e tjera nuk janë më ato të fazës së parë. Nuk është më ai Kukës apo ai Partizan. Janë forcuar, ndaj Flamurtarit do t’i duhet të luftojë që të mbajë vendin e dytë.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"