Abibi mban pezull Kastriotin, krutanët kthejnë sytë nga portieri i Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2019 | 15:04

Abibi mban pezull Kastriotin, krutanët kthejnë sytë nga portieri i Partizanit

Largimi i Amarildo Çekrezit nga Kastri oti duket i pashmangshëm, ndonëse ende nuk i ka marrë letrat zyrtarisht. Që pas kërkesës që elbasanasi bëri për të marrë lejen e kalimit, krutanët janë vënë në kërkim të një portieri për të mbrojtur katërkëndorin në sezonin 2019-2020. Pak ditë më parë u rikonfirmua portieri Bruno Puja, i cili ndonëse ka mjaft cilësi, është në një moshë shumë të re dhe drejtuesit kanë menduar që të afrojnë edhe një portier me eksperiencë.

Xhika

PISTAT – Pas kërkesës për “divorc” të Çekrezit, fillimisht në Krujë vendosën në krye të listës së preferencave Alesio Abibin. Ata e kontaktuan dhe negociatat e para ishin pozitive, pasi portieri i Tiranës dukshëm shfaqi interes për t’u transferuar te Kastrioti. Mirëpo, ai kërkoi më shumë kohë për të vendosur, pasi do të shqyrtonte edhe disa oferta të tjera që i kishin ardhur nga ekipe të Kategorisë Superiore, por edhe jashtë vendit. Edhe pse kanë kaluar disa kohë, kjo përgjigje nuk ka ardhur ende. Të vendosur para kësaj situate, krutanët nuk kanë ndenjur duke pritur.

Ata janë hedhur në kërkim të një tjetër gardiani, sërish nga ekipet elitare dhe sërish në kryeqytet. I kontaktuari i radhës është portieri i Partizanit, Dashamir Xhika. Nga burime pranë klubit mësohet se krutanët i kanë bërë ofertë 30-vjeçarit dhe kanë negociuar fillimisht për një transferim të mundshëm. Portieri ka qenë i gatshëm dhe ka parashtruar kërkesat e tij për të pranuar ofertën. Pas hapit të parë mbetet të shihet nëse krutanët do të jenë në gjendje të plotësojnë dëshirat e portierit të 16 herë kampionëve të vendit. Kujtojmë që Xhika është ende nën kontratë, të paktën deri në Ligën e Europës dhe më pas mund të bëhet diçka për kalimin e tij në Krujë.

kastrioti

PËRGATITJET

Fillimi i kampionatit më 14 shtator ka ndryshuar edhe axhendën e 4 krutanëve. Përgatitjet nuk do t’i nisin më 15 korrik, por në javën e fundit të të njëjtit muaj. Ky vendim vjen pas shtyrjes së nisjes së sezonit 2019-2020. Kjo gjë i jep ende kohë Kastriotit për të gjetur elementët e duhur për repartet ku do të kenë nevojë për përforcime.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"