Abazaj “snobon” Apoloninë: Pas dy javësh Pogradeci rimerr kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2020 | 18:42

Abazaj “snobon” Apoloninë: Pas dy javësh Pogradeci rimerr kreun

Ardjan Abazaj “skanon” Pogradecin. Fitorja me Lushnjën i ka dhënë qetësi, por tashmë është i gjithi i përqendruar te Besa. U druhet kavajasve, ndërsa i cilëson si ekipin e vetëm që di të luajë futboll. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai nuk i trembet as Apolonisë, aq sa paralajmëron rokadë pozicionesh pas dy javësh.Ardian Abazaj

Pogradeci është i dyti, i pranueshëm ky pozicion për ju?

Ky është realiteti, ndonëse e kemi të vështirë të pajtohemi me këtë pozicion. Por nuk na shqetëson kundërshtari i vendit të parë, pasi është shumë pranë nesh dhe besoj se në këto dy ndeshje të mbetura nga faza e dytë do rimarrim kreun. Gjithsesi, të mendojmë për takimin e radhës, që është shumë i vështirë.

Pse i vështirë, kur keni diferenca të mëdha pikësh?

Besa është ekipi që deri më tani luan më bukur se të gjitha ekipet me të cilat jemi ndeshur. Një kundërshtar me shumë futbollistë cilësorë, që ka përgatitje fizike dhe luan hapur. Natyrisht që edhe ata kanë pikat e dobëta, nga ku ne do të përfitojmë. Por unë më shumë besoj te forca e ekipit tim sesa mangësitë e kundërshtarit.

Si është gjendja e skuadrës pas Lushnjës?

Shumë mirë. Jemi lart moralisht dhe të plotë, pasi janë rikthyer të pezulluarit dhe të dëmtuarit. Na mungon vetëm Hidri i skualifikuar.Abazaj222

A do të ndryshojë formacioni fitues?

Këtu edhe unë jam në një pozicion mjaft të vështirë. Kam shumë futbollistë që mund t’i hedh që nga minuta e parë si titullarë, por ja që duhet ta filloj me 11 futbollistë. Por pozitiv është fakti se kam një pankinë shumë të fortë, kjo do më ndihmojë që në varësi të situatave të lojës të bëj edhe zgjedhjet e vazhdimësisë.

I ndiqni kundërshtarët?

Të them të drejtën vetëm kur luajmë vetë. Natyrisht më intereson që ata të gabojnë.

Besa nuk luan në fushën e vet, a ju favorizon ky fakt?

Besa është një ekip shumë i mirë dhe luan futboll të bukur në çdo fushë. Në këtë rast nuk besoj se do të ketë ndikim, unë jam me idenë se ai që është ekip pretendent, nuk e vendos fatin nga faktori fushë.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"