Abazaj: S’mjafton loja e mirë, dua ekip cinik në Lushnjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2020 | 12:11

Abazaj: S’mjafton loja e mirë, dua ekip cinik në Lushnjë

Pogradeci nuk e ka ulur aspak ritmin e stërvitjes gjatë këtyre ditëve, edhe pse temperaturat janë ulur ndjeshëm. Pasi gjetën rrugën e fitores, liqenorët nuk kanë më në plan të ndalen. Të vetmit futbollistë që shqetësojnë stafin teknik, janë mbrojtësi Kasa dhe mesfushori Abazaj. Ata po vuajnë dëmtimin nga ndeshja e kaluar, por ka të ngjatë që rikthehen sot. Në Lushnjë skuadra do të zbresë me një formacion disi ndryshe në vendosje, ndërsa pritet që të luajnë me tre mbrojtës. Ardjan Abazaj beson te vazhdimësia, megjithatë ka një porosi për ekipin. Në kushtet kur ka mungesë pikësh, trajneri pret një ekip më cinik.

Abazaj222

“Jam i bindur se ekipi do të arrijë të marrë tri pikët nesër (sot). Mjaft më me lojëra të mira! Duhet të tregohemi edhe pak cinikë për fitoren. Në futboll rëndësi kanë pikët. Dhe ne këto na mungojnë. Të vjen keq kur sheh këta djem që stërviten shumë dhe në fund kanë mbetur të zhgënjyer.

Nuk më shqetëson aspak fakti se jemi në këtë pozicion. Shumë shpejt do të ngjitemi edhe në renditje. Kemi para një rrugë shumë të gjatë dhe kurrsesi nuk kemi dalë jashtë objektivave. Unë besoj se shumë shpejt do të jemi mes kryesueseve. Në Lushnjë do të jetë e vështirë. Përballë do të kemi një kundërshtar të fortë, por ne do të shfrytëzojmë euforinë e tij, por edhe të tjera dobësi që kanë. Gjithsesi, le të flasim më mirë në fushë. Në qoftë se ne japim jo 100%, por 75% të asaj që kemi, nuk do ta diskutojmë fitoren”, u shpreh tekniku i Pogradecit.

KAPITENI – Në prag të kësaj sfide, ka folur edhe kapiteni Sajmir Jahaj. Ai evidenton se renditja nuk është reale dhe pas kësaj transferte, do të nisë ngjitja. “Të vjen keq kur sheh këtë ekip në atë vend të klasifikimit, por nuk mendoj se ka ndonjë problem. Gjithçka do të jetë kalimtare. Nëse ne fitojmë me Lushnjën, unë them me bindje të plotë se do të jemi në katër vendet e para në fazën e parë. Më pas, do të vijë ngjitja drejt kreut të tabelës. Uroj dhe shpresoj që të kemi edhe pak fat. Kjo, pasi na ka munguar në shumë ndeshje. Ekipi është në rritje dhe stabël në lojë. Kjo do të na sjellë edhe suksesin. Tashmë edhe sulmi është çliruar plotësisht dhe do të kalojmë nëpër një fazë, që edhe golat nuk do të na mungojnë. Në Lushnjë shkojmë vetëm për fitore. Ne do të luajmë gjithçka për gjithçka”, përfundoi mesfushori.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"