Abazaj si në ëndërr: E prisja këtë ditë, ja kush më lajmëroi për ftesën e Panuçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2018 | 22:56

Abazaj si në ëndërr: E prisja këtë ditë, ja kush më lajmëroi për ftesën e Panuçit

Ftesë nga Kombëtarja në ditën e verës dhe një gol në fitoren 2-1 të Luftëtarit ndaj Kukësit. Kristal Abazaj nuk e dinte se më 14 mars 2018 trajneri Kristian Panuçi kishte vendosur ta grumbullonte për miqësoren me Norvegjinë.

Vetëm të enjten ai mori lajmin e madh nga presidenti i klubit gjirokastrit, Grigor Tavo, ndërsa zyrtarisht dje e konfirmoi edhe vetë FSHF-ja në publikimin e listës së lojtarëve. Talenti i Luftëtarit është si në ëndërr, ndërsa në intervistën për “Panorama Sport” pranon se ka pritur të shpërblehet pas dy sezoneve mbresëlënëse me bluzinjtë. 21-vjeçari shpreson tashmë të debutojë me fanellën kuqezi në një stadium që, sipas tij, i sjell gjithmonë fat.

Abazaj-470x264

Kristal, kur e mësuat që do të ishit pjesë e Kombëtares?

Në fillim erdhi ftesa që do të grumbullohem me Kombëtaren U-21, por vetëm dje (të enjten) e mora lajmin që në klub ka ardhur një ftesë tjetër që do t’i bashkohem ekipit kombëtar A.

Kush ishte ai që ju lajmëroi i pari?

Lajmin e parë ma dha presidenti i klubit, Grigor Tavo.

Keni pasur ndonjë kontakt me trajnerin Panuçi në këtë periudhë…?

Nuk kam pasur kontakt personal me trajnerin, por thjesht e di që më ka ndjekur në çdo ndeshje kur kemi luajtur me Kombëtaren U-21.

Kush ka qenë komplimenti më i bukur që keni marrë pas kësaj ftese?

Kam marrë shumë komplimente të ndryshme, por më i veçanti ka qenë ai nga familjarët e mi. Kaq mund të them.

abazaj

Shpesh klubet e kampionatit shqiptar paragjykohen. Ju e keni shkuar nëpër mend në këto dy vite se mund të kapnit Kombëtaren nga Luftëtari?

Shikoni, unë kam dy vite që punoj shumë dhe stërvitem fort për t’u përmirësuar. Besoj që kur një lojtar punon kokë ulur dhe jep gjithmonë maksimumin në stërvitje dhe ndeshje, atëherë puna e tij do të shpërblehet një ditë. Kështu mendoj se është edhe rasti im.

Çfarë debutimi ëndërroni më 26 mars ndaj Norvegjisë?

Nëse trajneri më aktivizon sadopak, unë do të bëj maksimumin për t’ia shpërblyer besimin e dhënë, pse jo me një paraqitje të mirë. Ndeshja do të luhet në Elbasan dhe ai stadium me sjell fat gjithmonë.

Pas përfundimit të këtij sezoni, ku e shikoni veten?

Unë do të vazhdoj të jap më të mirën time me Luftëtarin deri në fund, për të arritur ato objektiva që kemi. Pastaj, në verë janë njerëz të tjerë që merren me merkaton. Shpresoj të bëhet më e mira.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"