Abazaj ndryshon skemën e Pogradecit, Alillari: I shënoj Besëlidhjes, është viti ynë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2020 | 17:07

Abazaj ndryshon skemën e Pogradecit, Alillari: I shënoj Besëlidhjes, është viti ynë

Pogradeci do të luajë me Besëlidhjen sot, në një ndeshje e cila do të përcaktojë vazhdimësinë. Shanset për t’u ngjitur në elitë kalojnë fillimisht nga kjo finale. Liqenorët besojnë te fitorja dhe është Artion Alillari ai që mundohet të shtojë entuziazmin para “play off”-it. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi mendon se do të gjejë edhe golin në “Elbasan Arena”.pogradeci

“Jemi në momentin më të mirë të mundshëm. Gëzojmë një formë të mirë dhe ato luhatje që patëm i kemi hedhur pas krahëve. Gjithçka do të shkojë mirë nesër (sot). Besoj shumë se do të shënoj kundër Besëlidhjes. Më kanë munguar golat, ndonëse e rëndësishme është që ne të fitojmë dhe skuadra të ketë ende shpresa për t’u ngjitur në elitë”, tha fillimisht shënuesi më i mirë i Pogradecit.

NDRYSHIMI I SKEMËS – Ardjan Abazaj ka hequr dorë nga skema 3-5-2 dhe është kthyer tek ajo klasike 4-4-2. Trajneri pret një ekip me prapavijë më të kujdesshme në këtë duel, e megjithatë ndryshe mendon Alillari: “Nuk besoj se ne me këtë skemë do të jemi mbrojtës, pasi kemi një strategji edhe më të përpunuar në këto raste. Kjo do të shihet në fushën e lojës. Ju siguroj se do të jemi një ekip shumë sulmues”. Në ndihmë të ofensivës do të jetë edhe Topllari me Shkullakun.pogradeci

Edhe pse të vendosur në mesfushë, ata kanë për detyrë që të godasin portën. Në mbrojtje është rikthyer Hysenllari, por ka shumë mundësi që ky të jetë një alternativë nga stoli. Stafi teknik mund t’i besojë sërish Berberit në këtë pozicion, sikurse edhe në takimin e fundit. “Ne kemi një ekip në të cilin bëjnë pjesë edhe të rinjtë. Pozitiv është fakti se kemi një ndërthurje brezash dhe përvoja shkrihet me forcën dhe energjitë e të rinjve. Kjo tregon se Pogradeci do të ketë vazhdimësi dhe mendoj që nesër (sot) do të shihni një grup që do të luftojë deri në sekondën e fundit për të arritur qëllimin”, përfundoi sulmuesi.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"