Abazaj merr zemër pas dopietës me Shpresat, do fitore ndaj Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2017 | 9:40

Abazaj merr zemër pas dopietës me Shpresat, do fitore ndaj Teutës

Kristal Abazaj, pas dopietës së shënuar me Shpresat në Reikjavik, konfirmoi veten si ylli i Luftëtarit. Protagonist i padiskutueshëm në kampionatin e fundit me bluzinjtë, 21-vjeçari nga Tropoja në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, nuk i ka fshehur emocionet e sfidës në Islandë.

Abazaj

Mesfushori ka marrë më shumë zemër pas atij dygolëshi, ndërsa thekson se me gjirokastritët do të bëjnë një tjetër sezon të mirë. “Të luash për ekipin kombëtar Shpresa është një ndjesi e veçantë. Kur jep maksimumin e mundshëm dhe e konkretizon me rezultat, kënaqësia është e dyfishtë.

Fitorja ndaj Islandës na motivon më shumë për të synuar kryesimin në grup, edhe pse na duhet të sfidojmë kundërshtarë si Islanda dhe Irlanda e Veriut në dy përballjet e mbetura.

Kam fituar në këto takime një eksperiencë më shumë, gjë të cilën do ta transmetoj në kampionatin shqiptar, si pjesë e Luftëtarit prej dy sezonesh”, u shpreh fillimisht Abazaj, autori i tre golave për fanellën kuqezi të 21-vjeçarëve.

STARTI – Talenti i gjirokastritëve nuk mund të mos fliste edhe për transfertën durrsake, ndërsa thekson se ekipi do të bëjë gjithçka mundet për ta nisur mbarë.

“Në përballjen ndaj Teutës kemi vetëm një objektiv, marrjen e rezultatit pozitiv. Aftësitë e kontingjentit të sezonit të fundit janë të mjaftueshme për të përballuar një kampionat të vështirë. Me Teutën nuk do ta kemi aspak të lehtë, pasi është një skuadër që në përbërje të saj ka afruar shumë lojtarë cilësorë.

Abazaj

Ky fakt nuk na step, përkundrazi na jep më shumë besim në vetvete për të nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri. E vlerësojmë kundërshtarin për kualitetet që ka brenda tij, si dhe për cilësitë e trajnerit Gugash Magani, por në fushën e lojës luajnë 11 kundër 11.

Objektivi ynë përfundimtar në mbyllje të sezonit 2017-2018 është të bëjmë më mirë se sezoni i fundit, gjë të cilën besoj se do t’ia dalim, falë ruajtjes së grupit, mirëkuptimin mes njëri-tjetrit në fushën e lojës.

kristal abazaj

E njohim njëri-tjetrin shumë mirë, ndaj dhe Luftëtari si në sezonin e fundit do jetë më shumë kompetitiv”, përfundoi Abazaj. Sakaq, bluzinjtë vijuan përgatitjet me seancën e pasdites në stadiumin “Gjirokastra” me objektiv marrjen e maksimumit nga transferta durrsake.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"