Abazaj: Kuqezi falë Luftëtarit. Halili: Mund të mësoj nga… Keidi Bare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2017 | 19:00

Abazaj: Kuqezi falë Luftëtarit. Halili: Mund të mësoj nga… Keidi Bare

Vetëm pak orë pasi u përballën në ndeshjen Luftëtari – Tirana, Kristal Abazaj dhe Grent Halili u bënë shokë skuadre në Përfaqësuesen U-21.

Mesfushori dhe sulmuesi janë dy nga afrimet e reja të Alban Bushit për miqësoret ndaj Moldavisë më 23 mars në “Elbasan Arena” dhe katër ditë më pas në “Selman Stërmasi”.

Ata rrëfyen për “SuperSport” emocionet kuqezi në stërvitjen e parë që ekipi ynë zhvilloi sot në stadiumin “Besa” të Kavajës.

U-21 stervitje 1

Abazaj

“Jam shumë i lumtur për grumbullimin. Është diçka e veçantë kur luan me ekipin përfaqësues ‘Shpresa’ dhe shpresoj të tregoj vlerat e mia. Një meritë e madhe shkon për Luftëtarin, sepse falë hapësirave që kam pasur te skuadra gjirokastrite, jam bërë pjesë e Përfaqësues së 21-vjecarëve. Por, nëse jam në Kombëtare falë Luftëtarit, kjo do të thotë që e kam bërë mirë detyrën time te skuadra ku luaj.

Objektivi me Luftëtarin është mbijetesa. Jemi në rrugë të mbarë deri tani dhe besoj se me një tjetër trepikësh do t’ia arrimë qëllimit. Përsa i përket Përfaqësues, duam të bëjmë figurë të mirë në dy miqësoret ndaj Moldavisë, në mënyrë që të përgatitemi për kualifikueset e radhës. Nuk ka asgjë mes meje dhe trajnerit Milinkoviç, ai më përgëzoi që jam pjesë e Kombëtares dhe unë dua ta falënderoj, sepse më ka ndihmuar të arrij këtu ku jam sot. Nuk kam kurrfarë konflikti me trajnerin”.

U-21 stervitje 2

Halili

“Nuk vij nga një moment i mirë me Tiranën, por jam shumë i gëzuar që do të jem pjesë e ekipit ‘Shpresa’ për dy ndeshjet e ardhshme. Shpresoj, por nuk e di nëse do ta arrij golin patjetër. Megjithatë kam bindjen se do të bëjmë mirë në këto dy miqësore. Dua të shënoj, edhe me Kombëtaren ‘Shpresa’ por edhe Tiranën në ndeshjet e ardhshme. Të luaj përkrah futbollistëve që janë pjesë e Atletikos së Madridit si Keidi Bare është diçka pozitive për mua, pasi mund të mësoj shumë më tepër nga këta lojtarë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"