A u tallën francezët me Himnin e Islandës? Përgjigjet Deshamp

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2016 | 17:58

A u tallën francezët me Himnin e Islandës? Përgjigjet Deshamp

Trajneri i Francës, Didier Deshamp, është detyruar që të mohojë publikisht që të jetë tallur bashkë me ish-shokët e tij të kombëtares, me himnin e Islandës, gjatë një ndeshje mes dy përfaqësueseve në vitin 1998.

Në shtatorin e 18 viteve më parë, Deshamp ishte kapiten i Francës që sapo ishte shpallur Kampione Bote, ndërsa përballej me Islandën në Reikjavik. Pamjet filmike të atëhershme treguan lojtarët e Francës që qeshnin me njëri-tjetrin ndërsa dëgjohej himni i kombëtares vendase.

2491

Në konferencën për shtyp të ditës së sotme, një gazetar islandez e ka kujtuar përsëri këtë histori të vjetër, duke sjellë reagimin e Deshamp.

“Më kujtohet mjaft mirë çfarë ndodhi në atë ditë, por e keni keqinterpretuar gjithçka. Asnjë prej lojtarëve francezë nuk u tall me himnin e Islandës. Po qeshnim vetëm për faktin se personi që po këndonte “Marsejezën”, i dha një theks ndryshe fjalëve dhe kjo është arsyeja e vërtetë pse filluam të qeshnim. Ajo ndeshje më kujtohet mirë se na ktheu me këmbë në tokë. Ishim në qiellin e shtatë pas fitores së Botërorit dhe sfida përfundoi në barazim.

Në kemi një respekt të jashtëzakonshëm për Islandën, ka lojtarë që kanë luajtur në kampionatin anglez dhe nuk janë dosido. Ata nuk janë këtu rastësisht, nuk i kanë vjedhur asgjë askujt për të mbërritur deri këtu. E meritonin të fitonin me Anglinë për atë që treguan në fushën e lojës”, tha Deshamp.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"