A ndikoi Botërori negativisht në Shqipëri? Ja ç’ndodhi me turistët nga Anglia dhe Gjermania

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2018 | 14:47

A ndikoi Botërori negativisht në Shqipëri? Ja ç’ndodhi me turistët nga Anglia dhe Gjermania

Edhe pse numri i turistëve të huaj që vizituan vendin gjatë muajit Qershor u rrit me 58 mijë vizitorë më shumë, ra në sy një rënie drastike në të dhënat që vinin nga disa vende të Europës.

Anglia, Polonia, Gjermania dhe Zvicra regjistruan një numër më të vogël se ecuria e deriatëhershme. Çfarë kanë këto shtete të përbashkët? Ato ishin kualifikuar në Kampionatin Botëror, i cili nisi më 14 Qershor, dhe grupet e mëdha të tifozerive udhëtuan drejt Rusisë për të mbështetur ekipin kombëtar.

Krahasuar me periudhën Janar-Maj, raporton “SCAN“, ecuria vjetore e hyrjeve nga Anglia ra me 15.3 pikë përqindje, për Gjermaninë ra me 22.8 pikë përqindje, ndjekur nga Polonia me një rënie prej 17.5% dhe Zvicra me 3.4%.

Rënia e individëve që prenotuan pushime gjatë Qershorit u vu re edhe nga tur operatorët e këtyre vendeve, me në veçanti Britaninë e Madhe, ku mbërritja e Anglisë deri në gjysmëfinale të kompeticionit i shtyu më tej pushimet. Ndërsa në rastin e Gjermanisë, e cila u eliminua në fazën e grupeve, shtyrja e rezervimeve zgjati vetëm dy javë, megjithatë dha efekt negativ në uljen me rreth 15% të prenotimeve për destinacione të ndryshme turistike.

Menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës, tur operatorët regjistruan një bum prenotimesh me mbi 250% rritje krahasuar me ditët e mëparshme, çka do të thotë se gjithsesi tifozët nuk do të heqin dorë nga bregdeti.

Të ndikuar nga Kupa e Botës mund të jenë edhe tifozët e Suedisë dhe Danimarkës, ku vendi ynë është një destinacion shumë në modë vitet e fundit.

Në rastin e Shqipërisë, kjo do të thotë se rreth 5 mijë turistë të munguar në datën e zhvillimit të kampionatit, mund të vizitojnë vendin tonë në fund të Korrikut apo gjatë muajit Gusht./SCAN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"