A mund të bëhesh futbollist me zor?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2018 | 20:50

A mund të bëhesh futbollist me zor?!

YLLI AGA

ylli aga

Tentativa për vrasje ndaj Ernest Gjokës, më shumë se vëmendja që mori përtej pjesës sportive, meriton të vihet në krye të axhendës së çdo klubi apo akademie futbolli, për mënyrën sesi po e menaxhojnë rritjen dhe edukimin e të rinjve.

Kjo sepse është e sigurt se sulmi ndaj trajnerit të Vllaznisë nuk mund të shikohet si një rast i veçuar, por meriton të vlerësohet si një përshkallëzim i presioneve që ushtrohet në shumë forma dhe me frikën se ky rast mund të hapë një spirale të re dhune në futbollin tonë. Nëse dëshirojmë që në futbollin e madh të ketë hapësirë për më të talentuarit, atëherë duhet që rasti i fundit të shërbejë si një mësim për drejtuesit, trajnerët, futbollistët dhe të afërmit e tyre.

Presioni ndaj trajnerëve, fenomeni që kërcënon futbollin tonë

Rasti i ditëve të fundit në Shkodër mori vëmendje maksimale, për shkak se në qendër të sulmit ishte trajneri i ekipit të parë dhe se, mbi të gjitha, u vu në rrezik jeta e tij. Por shumëkush që e ndjek, qoftë edhe në mënyrën më periferike futbollin tonë, është në dijeni të problematikave nga më të ndryshmet që mbizotëron tek ekipet e të rinjve. Rasti më i përhapur është shfrytëzimi i njohjeve personale, ku i kërkohet vëmendja më e madhe për të njohurit. Një tjetër formë, dhe kjo jo pak e njohur, janë pagesat ilegale që prindër të ndryshëm bëjnë ose janë të detyruar të bëjnë për trajnerët, në mënyrë që fëmijët e tyre të marrin më shumë aktivizime. Dhe e fundit, por më e rrezikshmja, është dhuna, fillimisht verbale dhe më pas fizike, që bëhet mbi trajnerët për të favorizuar futbollistë të caktuar.

vllaznia

Për secilin rast, trajnerë të caktuar kanë mbajtur një qëndrim të ndryshëm. Janë jo të paktë ata, të cilët u kanë qëndruar strikt bindjeve të tyre, por nuk mungojnë rastet kur trajnerët janë kategorizuar te një nga format e mësipërme, duke ndikuar në mënyrë të qartë te cilësitë, karakteri dhe e ardhmja sportive e shumë futbollistëve. Në këtë pikë është e domosdoshme që drejtuesit e klubeve apo të akademive sportive të marrin në një analizë të detajuar të gjithë trajnerët dhe grupet e lojtarëve, në mënyrë që të ribëhen seleksionime profesionale, të caktohen rregulla para të cilave çdo formë presioni të mos gjejë hapësirë për të arritur te trajnerët dhe të vihet në krye të çdo axhende edukimi jo thjesht sportiv, por i përgjithshëm, për çdokënd që synon të bëhet në të ardhmen një profesionist.

Rasti “Gjoka”, si pasaportë për integritetin e trajnerit

Me siguri asgjë nuk do të kishte ndodhur nëse Gjoka do të kishte lejuar edhe futbollistë që nuk e meritojnë të bëhen pjesës e ekipit të parë. Por, pranimi i një fakti të tillë do të nënkuptonte se licenca e tij nuk do të kishte asnjë vlerë, integriteti i tij do të shumëzohej me zero, statusi i tij në sytë e futbollistëve profesionistë do të ishte i nëpërkëmbur dhe e sigurt që Vllaznia do të kishte më pak shanse për të mbetur mes më të mirëve të futbollit tonë.

Në betejë për të drejtën, për të ndershmen, për profesionalizmin, Gjoka zgjodhi të qëndronte në anën e duhur dhe sigurisht në këtë pikë nuk meriton komplimente, pasi kjo është A-ja e profesionit të tij, por gjykuar në kontekstin e realitetit shqiptar, qëndrimet e tij duhet të jenë një mësim edhe për shumë trajnerë të tjerë, veçanërisht te futbolli i moshave, që të evitojnë kompromiset e vogla apo presionet e çdo forme nëse duan të bëjnë përpara në profesionin e tyre. Sepse, për fat të mirë, zgjedhjet e tyre janë në provim çdo fundjavë dhe një “juri” e madhe specialistësh dhe tifozësh, do të japin vlerësimin për to. Dhe më e pakta, integriteti i trajnerit nuk duhet të jetë në dyshim.

Talenti nuk humbet kurrë

Forma e zgjedhur nga dhunuesi i Gjokës për t’i dhënë kuptim të ardhmes së tij sportive është gjëja e fundit që një i ri duhet të mendojë dhe jo më të veprojë. Kjo sepse nuk ka një fushë të dytë në realitetin jo vetëm shqiptar, që një aspiranti për futbollist profesionist të mund t’i mbyllen dyert e së ardhmes. E para si parim, asnjë titullar klubi apo trajner nuk ka shanse t’i mbyllë dyert një talenti sepse gjithë puna dhe suksesi i tyre matet pikërisht sa të aftë janë për t’i gjetur dhe promovuar ata. Dhe nëse nuk arrijnë ta gjejnë në ekipet e tyre të moshave, tek ekipe të tjera të të njëjtit qytet, në të njëjtin kampionat, janë të gatshëm ta kërkojnë deri në shtetet më të humbura të globit.

E dyta, si një rregull i pakundërshtueshëm, nëse dikush e pretendon veten talent apo të afërmit e tij e njohin për të tillë, nëse i gjejnë dyert e mbyllura në klubin ku ndodhen aktualisht, janë të lirë për ta gjetur fatin e tyre diku tjetër. Dhe, në këtë rast, do të kenë edhe një motiv më shumë sepse do t’u vërtetojnë edhe trajnerëve të paaftë dhe një klubi se çfarë talenti nuk arritën të evidentojnë.

Duke qenë një prej atyre që ndihem i përfshirë te futbolli i moshave, për shkak të angazhimit të njerëzve të mi të afërt, marrëveshja që kam vendosur me ata është se do të kenë interesimin dhe mbështetjen time ditën që dikush jo i klubit ku militojnë, por kundërshtarë apo palë të treta, do më sjellin konsiderata pozitive për vlerat e tyre. Nëse jo, ata duhet të motivohen për të bërë shumë më tepër dhe unë do të jem i qetë se futbolli deri në këtë moment është vetëm pasioni i tyre, por jo një profesion prej të cilit mund të sigurojnë jetën e tyre.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"