A mund ta përsërisë Roxhersi mrekullinë e Ranierit? Ja çfarë thonë statistikat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 15:05

A mund ta përsërisë Roxhersi mrekullinë e Ranierit? Ja çfarë thonë statistikat

Nëse marshimi i Lestërit drejt titullit të Premier Ligës në 2016- ën erdhi si një surprizë shokuese, atëherë skuadra e tanishme e Brendën Roxhersit duhet të konsiderohet një rivale e denjë e Liverpulit. “Dhelprat” po thyejnë edhe rekordet e heronjve të Klaudio Ranierit në çdo kategori, përfshirë golat e shënuar, të pësuar dhe më e rëndësishmja, pikët pas 14 javëve të para. Djemtë e Roxhersit kanë fituar 10 nga 14 javët e para dhe renditen në vend të dytë, -8 pikë nga Liverpuli dhe +3 nga kampionët në fuqi të Mançester Sitit. 

skysports-ranieri-rodgers-leicester_4827399

Por a mund t’i rivalizojë ata me të vërtetë për titull? Duket se “reds”-at kanë ndërtuar një avantazh të papenetrueshëm, por Lestëri është më pranë tyre se çdo skuadër tjetër dhe shifrat e provojnë këtë. Nga skuadra kampione e Ranierit (2015-16) kanë mbetur vetëm 8 futbollistë: Kasper Shmajkëll, Ues Morgan, Ben Çiluell, Kristian Fuks, Mark Ollbrajton, Daniel Amartej, Xhemi Vardi dhe Demarai Grej.

Pas 14 javësh në 2016-ën, ata kishin grumbulluar 29 pikë, duke fituar 8, barazuar 5 dhe humbur vetëm 1 nga ato ndeshje. Sot kanë tri pikë më shumë falë 10 sukseseve, 2 barazimeve dhe 2 humbjeve. Nuk është një sekret që skuadra e Roxhersit po luan një futboll më ofensiv, duke shënuar 4 gola më shumë se skuadra kampione e “Dhelprave”. Megjithatë, diferenca që bie më shumë në sy është ajo në mbrojtje: skuadra ka pësuar vetëm 9 gola, që do të thotë, jo pak por 12 gola më pak sesa ekipi i Ranierit në 14 ndeshjet e para.

Leister

Përgjatë karrierës së tij, Roxhers e ka vendosur theksin gjithnjë te dominimi i topit nga skuadrat e tij. Ranieri, nga ana tjetër, preferonte ta dorëzonte topin dhe godiste me kundërsulmin e tij vrasës. Gjatë 14 ndeshjeve të këtij sezoni Lestëri ka një zotërim topi mesatar prej 57.83%, krahasuar me 42.43% në 2015-’16. Ata kanë regjistruar gjithashtu 529.79 pasime për ndeshje, gati 200 më shumë se 351.84 me ekipin kampion.

Saktësia e pasimit është rritur gjithashtu nga 70.5% në 82.41%. Lestëri aktual është gjithashtu një skuadër më kërcënuese në 1/3- at e fundit të fushës. Aktualisht ata krenohen me një efikasitet konvertimi 16.1% ndaj 13.03% që e kishin në kohën e Ranierit. Kjo skuadër e shënjestron gjithashtu më shpesh portën gjatë ndeshjes (14.64 goditje nga 13.74) ndërsa goditjet në kuadrat i ka gjithashtu më të larta (5.21 krahasuar me 4.71).

Në mbrojtje ekipi është shumë më tepër solid sesa në sezonet e shkuara: këto 14 javë, Lestëri ka mbyllur 6 ndeshje pa pësuar gol, ndërsa në gjithë sezonin 2015-’16 kjo shifër ishte 15. Ata po pësojnë gjithashtu 0.64 gola për ndeshje dhe jo 0.95 sa në sezonin ku u shpallën kampionë. Edhe goditjet e pësuara janë më të ulëta (9.71 krahasuar me 13.66) dhe pritshmëria e golave të pësuar është më e ulët, nga 1.21 në 2015-16 në 0.99 aktualisht.

Krahasimi Lester

“Dhelprat” mund ta përforcojnë statusin e tyre si ekip pretendent në javët e ardhshme, duke qenë se edhe kalendari i favorizon. Tri sfidat e tyre të ardhshme janë ato kundër Uotfordit, Aston Vilës dhe Noruiçit. Megjithatë, gjatë periudhës festive ata do të udhëtojnë drejt Mançester Sitit dhe presin Liverpulin, dy ndeshje që do të vendosin përfundimisht nëse ata janë kandidatë të vërtetë për titull. Çfarëdo që të ndodhë, një gjë është e sigurt, se klubi po ecën në drejtimin e duhur.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"