A do vazhdojë në stolin e Bajernit? Flik kundër rrymës: Sezoni do të luhet dhe do të përfundojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2020 | 14:34

A do vazhdojë në stolin e Bajernit? Flik kundër rrymës: Sezoni do të luhet dhe do të përfundojë

Përpara se të shpërthente pandemia e Koronavirusit, dukej se Hansi Flik do të mbetej në stolin e Bajernit të Mynihut përtej këtij sezoni. Por Covid-19 po shkakton pasiguri për planifikimin e të ardhmes. Megjithatë, për trajnerin Flik, kjo situatë personale nuk është aspak një problem.

received_205207707433495

Garantimi i të ardhmes së tij në stolin e kampionëve nuk është një prioritet i 55-vjeçarit, i cili gjatë një interviste për Agjencinë Gjermane të Lajmeve tha: “Për momentin ka shumë gjëra më të rëndësishme sesa e ardhmja ime”.

Drejtuesit e rekordmenëve gjermanë, pasi i kishin garantuar fillimisht pankinën zëvendësit të Niko Kovaçit, deri në fundit e vitit 2019, e zgjatën qëndrimin e tij të paktën deri në verë. Pasi përmirësoi rezultatet, Rumenige vazhdoi ta konsideronte pozicionin e trajnerit provizor, të palëkundur.

“Ne patëm një seri rezultatesh pozitive dhe luajtëm futboll të suksesshëm”, tha Flik përpara se të ndërpritej kampionati dy javë më parë. Bajerni mbetet në garë për të tre trofetë e këtij sezoni, Bundesligë, Kupë e Gjermanisë dhe Ligë Kampionesh. “Unë besoj se sezoni do të vazhdojë të luhet dhe do të përfundojë. Por tani janë të gjithë të vetëdijshëm se e vetmja mënyrë për ta mbyllur atë është të luhet me dyer të mbyllura”.

Aktualisht lojtarët vazhdojnë të stërviten në shtëpi, por a do të kemi së shpejti rinisjen e përgatitjeve jashtë. Disa klube kanë nisur ta aplikojnë këtë. “Bajerni vazhdon ta shikojë ndryshe këtë. Dhe ne do donim që të vepronim duke qenë shembull për të tjerët”, tha Flik, duke dashur ta përdorë skuadrën e tij për të sensibilizuar për të qëndruar brenda, edhe pse Federata Gjermane e Futbollit i ka këshilluar klubet që të stërviten individualisht deri më datë 5 prill.

Androkli Dralo – Panoramasport.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"