“Korabi më ka befasuar, kalojmë pengesat dhe ngjitemi”, sulmuesi Marku: Nuk e prisja të luaja në Kategorinë e Parë, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2020 | 23:15

“Korabi më ka befasuar, kalojmë pengesat dhe ngjitemi”, sulmuesi Marku: Nuk e prisja të luaja në Kategorinë e Parë, por…

Korabi është një nga ekipet që njeh vetëm fitore deri në këto momente, si në Kupë ashtu dhe në kampionat. Merita për këtë fillimsezoni të suksesshëm u takon të gjithëve që nga lojtarët deri te stafi. Taulant Marku surprizoi këtë verë me zgjedhjen e tij, teksa vendosi të largohej nga Kastrioti në Superiore për t’iu bashkuar dibranëve në Kategorinë e Parë. Në ndeshjen ndaj Vorës, Marku ishte autori i golit që zhbllokoi takimin, duke gjetur kështu për herë të parë rrugën e rrjetës me fanellën e Korabit.

taulant marku

Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi flet lidhur me zgjedhjen për të kaluar të dibranët, përshtatjen, golin e shënuar dhe objektivat. “Ardhja ime te Korabi ishte surprizë edhe për mua. Unë nuk e kisha menduar, që këtë sezon do të luaja me një ekip të Kategorisë së Parë. Fillimisht kam pasur një bisedë me presidentin Mziu dhe projekti i klubit më bindi. Kjo është edhe arsyeja që pranova të bëj këtë zgjedhje, që më rezulton e duhura. Jam i habitur nga organizimi perfekt me të cilin funksionon ky klub. Te Korabi, pjesa më e madhe e lojtarëve luajnë bashkë prej vitesh dhe ekipi është në harmoni. Më kanë pritur shumë mirë dhe më kanë bërë të ndihem në familje”, tha fillimisht Marku.

I pyetur për golin e parë me dibranët, por edhe pritshmëritë, ai shton: “Nuk dua ta fsheh lumturinë e golit të parë. Shpresoj të mos ndalem së shënuari edhe në ndeshjet e ardhshme. Kategoria e Parë këtë vit ka rivalitet shumë të madh dhe deri ditën e fundit të kampionatit nuk do të ndalë ‘lufta’ e fortë për Superiore”. Marku shpreson që ekipi të vazhdojë me këtë ritëm edhe pse është një kampionat i gjatë dhe shumë i vështirë. “Nuk duhet të kënaqemi vetëm me ndeshjet e zhvilluara deri tani, por duhet të punojmë për vazhdimësinë”. Në fundjavë, Korabi do të ndeshet në transfertë me Partizanin B dhe Marku deklaron se, ndaj këtij kundërshtari duhet shumë kujdes. “Partizani B, pavarësisht rezultateve, është një ekip i mirë. Ky takim ka marrë vlerësimin tonë maksimal. Kam besim se, nëse i zbatojmë mirë detyrat, do arrijmë suksesin e radhës”, përfundoi sulmuesi.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"