Frika nga epidemia, Gjimshti & CO rrëfejnë dramën: Nuk na lënë as të japim dorën, s’flasim lirshëm me shokët e dhomës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2020 | 8:23

Frika nga epidemia, Gjimshti & CO rrëfejnë dramën: Nuk na lënë as të japim dorën, s’flasim lirshëm me shokët e dhomës

Një sëmundje ngjitëse e quajtur Koronavirus ka alarmuar gjithë botën, pasi në shumë shtete ajo është përhapur me të madhe. Gjithçka nisi nga qyteti kinez Vuhan dhe nga atje janë infektuar mijëra njerëz. Përhapja e madhe e virusit ka ndikuar edhe në aktivitetet sportive, ku në disa shtete janë ndalur, ndërsa në disa të tjera ndeshjet po zhvillohen pa tifozë. Italia është një nga shtetet më të prekura nga Koronavirusi, ku janë shtyrë dhjetëra ndeshje, ndërsa disa të tjera janë zhvilluar pa praninë e tifozëve. Deri më tani më shumë se 100 mijë persona në botë janë infektuar nga ky virus, ndërsa 3383 kanë ndërruar jetë.Untitled-1-780x439

JETA NË BERGAMO DHE KËSHILLAT

Njëri nga mbrojtësit e Kombëtares shqiptare, i cili ka qenë më i dalluari këtë edicion në Serinë A, Berat Gjimshiti, ka folur dje për të përditshmen kosovare “Telegrafi” rreth situatës së krijuar nga Koronavirusi në Itali. “Shpresoj që virusi sa më shpejt të ndalet dhe të mos ketë më viktima. Është një gjendje kaotike, por shpresoj që sa më parë të ndalet. Personalisht nuk kam frikë nga ky virus, por ka persona të tjerë që frikësohen dhe është shumë normale”, u shpreh fillimisht mbrojtësi shqiptar i Atalantës. Berati tregon se jeta në Bergamo po zhvillohet normalisht, edhe pse janë këshilluar që sa më pak t’i frekuentojnë qendrat tregtare apo restorantet. “Jeta në Bergamo është duke u zhvilluar normalisht, edhe pse jemi këshilluar që sa më pak të dalim nëpër qytet, qendra tregtare apo lokale të ndryshme”, vazhdoi Gjimshiti.

Një ndeshje e Atalantës është shtyrë në Serinë A, ndërsa këtë fundjavë klubi nga Bergamo nuk do të luajë fare. Në mesjavën e ardhshme, Atalanta do të zhvillojë në kuadër të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve ndeshjen e kthimit ndaj Valencias, e cila është programuar pa tifozë. “Ndoshta është më mirë që po luhet pa tifozë ose që po anulohen ndeshjet, pasi kështu nuk do të infektohen persona të tjerë nga virusi. Natyrisht që dëshira jonë është të luajmë me tifozë, por ne do t’i zbatojmë urdhrat që kemi”, tregon mbrojtësi.

Edhe klubi i Atalantës i ka këshilluar lojtarët që sa më pak të kenë kontakt mes tyre. “Jemi këshilluar që sa më pak t’i flasim njëri-tjetrit për dore. Momentalisht është një gjendje e rëndë, por shpresoj që së shpejti të kalojë”, përfundoi lojtari kuqezi.hekuran

ZVICRA NDALOI E PARA FUTBOLLIN

Shteti zviceran ka ndaluar përkohësisht futbollin dhe nuk do të luhet deri më 21 mars. Në rast se nuk ka përmirësim të gjendjes, atëherë ndeshjet mund të shtyhen edhe për një kohë të pacaktuar. Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Hekuran Kryeziu, aktualisht luan te gjiganti zviceran, Zyrih.

Kampionati është pezulluar për shkak të Koronavirusit dhe kjo nuk i pëlqen gjilanasit. Ai ka thënë se po kalojnë një moment të çuditshëm, pasi duhet të kenë shumë kujdes kur dalin. “Është një situatë e çuditshme, pasi në qytet ka më pak njerëz, ndërsa duhet të kemi kujdes edhe me shokët e skuadrës. Në dhomën e zhveshjes nuk kemi shumë kontakte, pasi nuk përshëndetemi me njëritjetrin me dorë dhe duhet që vazhdimisht t’i pastrojmë duart për çdo gjë që prekim”, thotë Kryeziu.

27-vjeçari tregon se i mungojnë ndeshjet e futbollit, edhe pse po stërviten vazhdimisht, madje nga dy herë në ditë. “Normalisht për ne futbollistët është problem që nuk luajmë, pasi dëshira është të jemi në fushë çdo javë, por që duhet t’i zbatojmë rregullat e shtetit. Jemi në pritje të shohim se çfarë do të ndodhë, pasi po flitet për përfundim të parakohshëm të kampionatit, por shpresoj që çdo gjë të kalojë dhe të mos ketë më të prekur dhe viktima nga ky virus i tmerrshëm”, përfundoi mesfushori. Kryeziu është rikthyer nga një lëndim i gjatë i pësuar vitin e kaluar dhe tashmë ka filluar të luajë me Zyrihun, ndërsa do të jetë i gatshëm për ndeshjet vendimtare të Kosovës këtë muaj.azerbajxhan kosova herolind shala

NORVEGJIA MBYLLI EDHE SPITALET

Virusi ka prekur edhe shtetin skandinav të Norvegjisë, ku janë regjistruar qindra raste të prekura. Mesfushori i Kosovës, Herolind Shala, luan te klubi kryeqytetas Valerenga, ndërsa ka treguar gjendjen në shtetin skandinav. Fatmirësisht, kampionati norvegjez ende nuk ka filluar edicionin e ri, nisur nga shkaku i motit të ftohtë, por klubet po hasin në vështirësi për të luajtur ndeshje miqësore.

Shala ka treguar se së fundmi i është anuluar një kontroll i zemrës, që e bëjnë të gjithë futbollistët e klubit para fillimit të sezonit. Shkak është bërë fakti se sekretaret e spitalit janë infektuar me Koronavirus. “Njësoj si pothuajse në gjithë Evropën, edhe këtu në Oslo janë prekur nga Koronavirusi. Kemi pasur për të shkuar për kontroll të zemrës gjithë ekipi para fillimit të sezonit, por na kanë lajmëruar se spitali është mbyllur, sepse disa punëtorë janë infektuar me këtë virus”, tregon Shala për gazetën kosovare “Telegraf”.

Ndërkohë, kampionati norvegjez pritet të fillojë në muajin prill dhe mesfushori i Kosovës beson se gjithçka do të jetë në rregull. “Deri në fillim të edicionit do të kalojë gjithçka dhe lutem që të mos ketë më viktima dhe të prekur nga ky virus”, përfundoi Shala, i cili ka qenë pjesë edhe e Kombëtares së Shqipërisë deri në Europianin 2016.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"