95-vjetori i Besës/ Dashamirësit e futbollit kavajas një apel për ringritjen e klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2020 | 18:48

95-vjetori i Besës/ Dashamirësit e futbollit kavajas një apel për ringritjen e klubit

Në të tjera kushte, dje qyteti i Kavajës duhej të festonte një përvjetor që përbën dashurinë më të madhe ndër dekada të këtij qyteti, atë për Besën. Në fakt, dje nuk ndodhi asgjë dhe kjo dëshmon qartë situatën ku ndodhet futbolli kavajas. Burime nga bashkia dhe klubi informojnë se pritet që Presidenti Ilir Meta ditët e ardhshme të dekorojë disa ish-futbollistë kavajas.

Bizhdili

Futbolli kavajas ka bërë histori në kampionatet shqiptare dhe ka arritur të përfaqësohet edhe në arenën ndërkombëtare. Historia 95-vjeçare mbart qindra futbollistë, por mjafton të citojmë emra si Qamil Teliti, i cili me golin e tij i solli të parën kupë Shqipërisë në Ballkaniadën e 1946-s.

Pastaj me radhë të tjerë korifenj, si Qemal Vogli, Sulejman Maliqati, Shefqet Topi, Xhavit Daiu, Muharrem Karriqi, Dashnor Bajaziti e deri te brezi më i ri, si Altin Rraklli, Andi Lila e Sokol Cikalleshi. 95 vitet e Besës janë një thesar i madh, trofe dhe emocione pa fund, si pak klube në Shqipëri.

APELI – Brezat e sotëm nuk mund të kënaqen duke dëgjuar histori, por duhet të bëhen vetë protagonistë të gëzimit. Takimi i fundit me suksesin për Besën ka qenë një dekadë më parë, në 2010-ën, kur verdhezijntë fitonin Kupën e Shqipërisë.

Të shumta kane qenë premtimet e gjithë kryebashkiakëve që kanë drejtuar Kavajën pas 1990-ës, por fakt mbetet se që nga viti 1975, kur u inaugurua stadiumi, asnjëherë nuk ka njohur një rikonstruksion total. Në këto dekada po bëhet një punë e mirë te grupmoshat, që kërkojnë infrastrukturën e nevojshme. Në këtë 95- vjetor, apeli i gjithë dashamirësve të futbollit kavajas është për investime në stadium dhe rikthimin e Besës në Superiore.

F. FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"