90 minuta zjarri në Pogradec, Abazaj: S’heqim dorë nga elita, me Lushnjën duhet të diskutonim vendin e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2020 | 10:31

90 minuta zjarri në Pogradec, Abazaj: S’heqim dorë nga elita, me Lushnjën duhet të diskutonim vendin e parë

Liqenorët luajnë shansin e fundit për të shpresuar për Superioren. Ata janë në rrugën më të gjatë të mundshme, sepse duhet të kapin vendin e dytë e më pas të ndjekin formulën e kampionatit me ndeshjet shtesë. Do të jetë një sfidë e zjarrtë, edhe pse në kampin pogradecar e largojnë presionin. Trajneri Ardian Abazaj ende nuk e beson se Pogradeci do të luajë për vendin e 2-të. Ai ka punuar me skuadrën për të kaluar me sukses ndeshjen me Lushnjën rivale dhe sot nuk ka gati vetëm mbrojtësin Hysenllari. Lojtarët e rikthyer ia shtojnë besimin për fitore. Liqenorët luajnë gjithçka për gjithçka, në të kundërt do të ngushëllohen me vendin e tretë. Trajneri Abazaj ka menduar për një skemë totalisht sulmuese. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai shprehet:

Pogradeci-Lushnja

Kundër Lushnjës luhet fati i sezonit. Sa e vështirë do të jetë për ju?

E kemi vlerësuar kundërshtarin dhe jemi përgatitur për një finale të vërtetë. Unë vazhdoj ta përsëris se me Lushnjën duhet të diskutonim vendin e parë dhe nuk do të kem atë gëzim që prisja edhe pas fitores me këtë kundërshtar. Vërtet edhe vendi i dytë është pozitiv, por duhet të ishim në vend të parë.

Çfarë keni parasysh kur thoni se duhet të ishit në vend të parë?

Kam parasysh faktin se koha fliste për ne. Po ta shohësh, në të gjitha takimet direkt jemi shumë më mirë, kemi çeduar në një moment të vetëm dhe pasojat janë këto, por loja e futbollit i njeh oshilacionet. Për ne nuk duhet të ndodhte në atë moment.

Pra, ju duket “mision i pamundur” ngjitja në Superiore?

Jo, në asnjë mënyrë nuk e them këtë, por do të ishte më bukur të ishim nga vendi i parë për vetë vlerat që ka ky ekip, për mbështetjen financiare, për kontigjentin dhe punën e madhe që është bërë. Gjithsesi, nuk heqim dorë, duhet të ecim në këtë rrugë me plot besim.

Kundërshtari juaj ka futbollistë me shumë përvojë. Si keni menduar se do të shkoni te fitorja, i vetmi rezultat që ju vlen?

Këtë ndeshje do ta fitojë ai ekip që do të japë maksimumin. Jemi dy ekipe me përvojë dhe këtu nuk ka diferenca, por do të fitojë ai ekip që edhe do të gabojë më pak.

pogradeci

Lushnja ka edhe barazimin në favor të saj…

Prandaj them se do të jetë një ndeshje e vështirë. Ai ekip që kërkon fitoren është pak më i kontraktuar dhe me mjaft emocion, por do të vazhdojmë të luajmë siç edhe kemi luajtur deri tani. Forca jonë qëndron te grupi.

Skema e lojës, me siguri do të jetë sulmuese, apo jo?

Natyrisht që po. Jo vetëm për atë që do të jemi me tre sulmues të deklaruar në fushë, por i gjithë ekipi do të jetë i prirur drejt sulmit. E rëndësishme është që të mos kalojmë në aventurë, nuk duhet të pësojmë gol, sepse kështu do të na bëhej gjithçka shumë më e vështirë. Duke qenë se kemi disa lojtarë që rikthehen dhe për më shumë në vijën sulmuese, them se Pogradeci do t’ia dalë ta fitojë këtë ndeshje vendimtare.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"