90 minuta me dorë në zemër, ja pse Reali dhe Barcelona besojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2016 | 7:35

90 minuta me dorë në zemër, ja pse Reali dhe Barcelona besojnë

Kanë mbetur edhe 90 minuta nga fundi i kampionatit dhe të dyja skuadrat po bëjnë llogaritë për të triumfuar. Reali nuk i ka humbur ende shpresat dhe uron që Barcelona të bëjë një hap fals për t’i rrëmbyer vendin e parë. real madridNdërkohë, Luis Enrike dhe Leo Mesi nuk kanë ndër mend të dorëzohen. Gazeta e njohur “AS” ka analizuar situatën në të dyja kampet dhe tregon 10 arsyet pse të dyja ekipet mund të fitojnë titullin kampion në këtë sezon. Me Zidanin në krye, Reali ka pasur një ecuri fantastike dhe francezi mendon se me këtë 90- minutësh do të hyjë në histori. Nga ana tjetër, edhe Barcelona ka shumë arsye për të fituar, pasi deri tani ka bërë një kampionat fantastik dhe gabimet kanë qenë të pakta.

Arsyet

Pse triumfon Reali

1. Efekti “Zidan”- Me francezin në krye të skuadrës madrilene, Reali ka njohur vetëm sukses. Ngushtoi diferencën me Barcelonën dhe tani do të luajë dy finale të rëndësishme, kampionatin dhe Champions-in.

2. Eksperienca- Historia peshon shumë në ndeshje të tilla. Reali ka fituar 32 tituj kampionë, më shumë se të gjitha skuadrat e tjera. Në këto sfida eksperienca është shumë e rëndësishme dhe Reali mund ta përballojë presionin e madh.

3. Ekspert finalesh- Dy sfidat e sotme janë si dy finale që do të përcaktojnë fatin e kampionatit. Madrilenët janë ekspertë të finaleve sepse në historinë e tyre kanë luajtur shumë të tilla.

4. Efekti “Kasemiro”- Prezenca e brazilianit në ndeshjet e fundit i ka dhënë ekuilibër dhe forcë fizike skuadrës së Zidanit. Që nga momenti kur ai u aktivizua si titullar, skuadra mori rezultate shumë pozitive. Zidan e ka forcuar shumë mesfushën dhe është më e sigurt kur hidhet në sulm.

5. Karvahal për Danilon- Braziliani është mbrojtës shumë i fortë, por asnjëherë nuk arriti të shkëlqente me fanellën madrilene. Karvahal është mbrojtësi i duhur për skemat e Zidanit dhe francezi e kuptoi shumë shpejt se prezenca e tij në fushën e lojës është e domosdoshme.

6. Navas, një “mur”- Sa herë është dashur ndërhyrja e tij, ai ka bërë maksimumin duke mbajtur të paprekur portën. Gjithmonë vendimtar, edhe në rastet kur ndeshjet nuk janë të sigurta për Realin.

7. Ronaldo- Arsyeja e shtatë sigurisht që lidhet me numrin shtatë të Realit. Kristiano Ronaldo gjeti rrugën e duhur me Zidanin dhe kërkon të bëjë histori. Kaq e vështirë ishte për Benitezin të kuptonte se në ekip kishte një meteor.

8. BBC- Krahasimi me treshen e Barcelonës duket se u ka bërë mirë dhe janë forcuar akoma më shumë. Bejl-Benzema dhe Ronaldo kanë shkëlqyer sa herë kanë luajtur bashkë dhe kanë siguruar gola. Më shumë se kurrë, Reali ka nevojë për ta dhe Zidan do t’ia besojë të gjithë peshën e sulmit këtij trinomi.

9. Granada- Në këtë skuadër ka shumë ishmadrilenë (Barral, Fran Rico, Edgar, Fernandez…). Granada është tokë madrilene dhe në stadiumin “Carmenes” të gjithë duan triumfin e Realit. Aty do të bëjnë gjithçka për të ndalur Barcelonën. Edhe pak ditë më parë, portieri i tyre tha se të gjithë lojtarët duan triumfin e Realit në këtë kampionat.

10. Presioni- Presionin e ka Barcelona. Djemtë e Luis Enrikes thuajse e kishin të sigurt fitoren e kampionatit falë diferencës së madhe të pikëve, por e çoi kampionatin në javën e fundit. Sigurisht që presioni është te katalanasit, që duhet të shmangin turpin e madh që i pret pas humbjes së këtij kampionati.

Pse triumfon Barcelona

1. Sezoni që bëri- Ekipi katalanas ka qenë konstant thuajse në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni. Me përjashtim të 3 ndeshjeve ku skuadra nuk po shprehej ashtu siç duhej, Luis Enrike, Mesi dhe shokët e tij kanë qenë dominuesit e këtij kampionati. Mëkat nëse u ikën nga duart tani.

2. Luis Enrike ka të drejtë- Gjithmonë ka thënë se skuadra e tij është gati për të bërë një finale të madhe në këtë fund sezoni. Kur ai thotë që ekipi është mirë, atëherë ata bëjnë vetëm goleada. Këtë herë e ka pranuar që futbollistët janë në formë të shkëlqyer.

3. Kalendari- Ndeshjet mund të luheshin nesër. Dita e nesërme quhej “San Isidro”, e lidhur ngushtë me Realin e Madridit. U vendos përfundimisht që dy sfidat e titullit të luhen ditën e sotme, në ditën që quhet “San Matias”. E shenjtë si vëllai i Leo Mesit (quhet Matias).

4. Për inat të Ronaldos- Në rast se Barcelona do të fitojë titullin kampion, atëherë Munir El Hadadi do të ketë dy tituj, ndërsa Ronaldo vetëm 1 titull në Spanjë. Kjo fitore duhet të shërbejë edhe për të treguar se Barcelona është një kantier ndërtimi që zbulon gjithmonë talente, ndërsa Reali i blen ata.

5. Për Revolucionin- Më 14 maj të vitit 1928 lindi Ernesto Che Guevara, në Rosario të Argjentinës. E ëma e tij quhet Celia. Sa shumë ngjashmëri me Lionel Mesin, i cili duhet të triumfojë ditën e sotme.

6. Festë e madhe- Barcelona ka fatin që në dy ditë të bëjë dy festa të mëdha, titullin kampion dhe organizimin e garës së Formula 1. Katalonja do të jetë e gjitha në festë.

7. Të harrojnë Tenerifen- Një fitore në javën e fundit të kampionatit do t’i shërbente Barcelonës për të harruar dështimin me Tenerifen disa vite më parë. Ky triumf do të qetësonte ata, të cilët e përjetuan shumë keq atë humbje.

8. Marketingu- Futbolli në kohët moderne sheh përtej fushës së blertë. Një logo e artë në fanellën katalanase do të shtonte sa më shumë të ardhurat. Do të ishte një tjetër triumf historik për Barcelonën.

9. Rinovimet- Shumë lojtarë të Barcelonës janë në momentin kur duhet të rinovojnë kontratat e tyre. Nejmar, Buskets dhe të tjerë duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë aventurën e tyre me fanellën katalanase apo jo. Sigurisht që një titull kampion do të motivonte drejtuesit, por edhe ata vetë për të vazhduar rrugën drejt historisë.

10. Për Krujfin- Nëse Barcelona do ta fitonte titullin me 12 pikë diferencë, atëherë do të ishte homazhi i duhur për Krujfin, por në këto momente rëndësi ka vetëm triumfi. Legjenda holandeze u nda nga jeta këtë vit dhe Barcelona duhet ta fitojë titullin edhe për të.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"