90 minuta larg historisë, Lushnja do rekordin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2017 | 14:58

90 minuta larg historisë, Lushnja do rekordin

Portieri i Lushnjës, Mikel Spaho, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” thotë se skuadra do të kërkojë fitoren në ndeshjen e fundit të fazës së dytë ndaj Pogradecit. Verdhejeshilët synojnë të mbyllin me fitore këtë fazë dhe të mbeten në krye të Grupit B.

Spaho i Lushnjes

“Ne po përgatitemi për të fituar ndeshjen. Jemi të motivuar për t’i bërë një mbyllje me tri pikë fazës së dytë të kampionatit. Skuadra është nën ritmin e fitoreve dhe ne do të insistojmë për suksesin e radhës”, u shpreh portieri veteran i verdhejeshilëve.

Njeriu që ka 16 vjet midis tri shtyllave, megjithatë thotë se Lushnja duhet të tregojë kujdes ndaj Pogradecit. “Është e vetmja skuadër që nuk e kemi mundur dhe e vetmja që na ka shënuar tre gola. Kemi marrë një barazim spektakolar në Pogradec dhe mendoj se kemi të bëjmë me një kundërshtar cilësor. Këtë e tregon vendi i tretë në tabelë. Jemi të qetë edhe para fazës së tretë. Do të vazhdojmë udhëtimin drejt Superiores. Mendojmë çdo javë për vendin e parë dhe realizimi i objektivit është një rrugë pa kthim për ne”, thotë Spaho.

Lushnja feston

Ecuria

Nëse Lushnja do të arrijë rezultatin pozitiv edhe këtë javë, atëherë për herë të parë në historinë e saj do të regjistrojë një rekord: asnjë humbje në dy faza të kampionatit. Skuadra e teknikut Artan Bano ka 10 muaj kalendarik (17 ndeshje) që nuk humbet në kampionat duke regjistruar rezultate të jashtëzakonshme.

Për herë të fundit, skuadra ka humbur në 14 majin e vitit të kaluar (Butrinti-Lushnja 3-0). Verdhejeshilët thyen rekordin e katër sezoneve më parë kur kishin gjashtë muaj pa humbur. Nga 29 shtator 2012 (Tërbuni-Lushnja 2-0) deri më 6 prill 2013 (Lushnja-Pogradeci 0-1) dhe vijojnë pa limite rezultatet e tyre pozitive.

Ndërkaq, sekretari i klubit, Olsi Stambolliu, në një komunikim me mediat sportive, tha se ndeshja Lushnja-Pogradeci nuk do të luhet ditën e hënë, siç është njoftuar në fillim, por ditën e shtunë. Ndërsa orari nuk ka ndryshuar dhe takimi do të luhet në orën 14:00.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"