90% e ekipit në kontratë, ja situata e merkatos tek Luftëtari. Priten vetëm afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2018 | 20:54

90% e ekipit në kontratë, ja situata e merkatos tek Luftëtari. Priten vetëm afrime

Kristal Abazaj ka firmosur për Anderlehtin dhe do të largohet nga Luftëtari menjëherë pas përfundimit të sezonit, por e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Dejvi Bregun, pavarësisht se ky i fundit duket i varur nga fati i klubit të Skënderbeut. “Panorama Sport” mëson nga burime zyrtare në klubin gjirokastrit se drejtuesit kanë nisur të mendojnë që tani për Europën.

90% e ekipit është nën kontratë minimalisht edhe për një sezon, çka do të thotë se trajneri Hasan Lika ka garanci dhe në qershor pret vetëm afrime. Zyrtarizimi i parë pritet të jetë ai i mesfushorit nga Pogradeci, Jugers Liçkollari, i cili ka firmosur një parakontratë me gjirokastritët në janar.

Luftetari

Europa – Përtej çdo parashikimi, Luftëtari i Hasan Likës është gjithnjë e më pranë ëndrrës europiane. Nga një skuadër me “precedent” rënien në një kategori më poshtë, bluzinjtë dy javë para uljes së siparit të Kampionatit të 79-të, është më afër se kurrë për arritjen e Europa Ligës. Për bërjen realitet të kësaj ëndrre, Luftëtarit më së pari i kërkohet të hedhë hapin e duhur që në takimin e radhës. Kampionët e vendit, korçarët, do të jenë kundërshtarët në shtëpi për takimin që do të luhet të shtunën.

Një ndeshje në dukje e lehtë për bluzinjtë, për faktin që korçarët janë shpallur kampion, por jo e tillë pritet të jetë në fushë. Gjithsesi, rezultati pozitiv me Skënderbeun nuk do të mjaftonte, nëse në mesjavën e ardhshme gjirokastritët e Hasan Likës do të bënin “vetëvrasje” në Lushnjë. Përpos hamendësimeve, Luftëtari luftën nuk e ka thjesht me veten, por dhe me rezultatet e kundërshtarëve ndjekës si Laçi dhe Partizani.

Sfidat direkte – Përballjet e katër javëve të luajtura, ato ndërmjet Luftëtarit, Laçit dhe Partizanit flasin në favor të bluzinjve, por për aq kohë sa matematika është në lojë, për gjirokastritët s’ka kohë për të festuar. Laçi është skuadra që synon ta lërë pas në renditje, por nëse kurbinasit fitojnë trofeun e Kupës së Shqipërisë, atëherë bileta europiane për Luftëtarin është e garantuar. Në katër përballjet direkte mes Luftëtarit dhe Laçit, gjirokastritët kanë triumfuar dy herë dhe barazuar dy herë.

Përgatitjet – Me predispozicion për të mbyllur çdo llogari në fushë, gjirokastritët sot në orën 16:00 startojnë përgatitjet antiSkënderbeu me objektiv vazhdimësinë e serisë së rezultateve pozitive. Fitorja në shtëpi të shtunën ndaj kampionëve është detyrim për gjithë tifozërinë e Luftëtarit. Tifo-grupi “Shqiponjat Bluzi” është duke përgatitur një dekor të bukur festiv, teksa kërkon mbështetje masive të Luftëtarit.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"