9 vite nga aksidenti tragjik në Alpe, ja informacionet e dhëna për shëndetin e Majkëll Shumaker

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2022 | 23:46

9 vite nga aksidenti tragjik në Alpe, ja informacionet e dhëna për shëndetin e Majkëll Shumaker

Koha fluturon. E enjtja e 29 dhjetorit shënoi përvjetorin e nëntë të aksidentit në ski që ndryshoi rrënjësisht jetën e ikonës së Formulës 1, Majkëll Shumaker. Piloti legjendar gjerman pësoi lëndime të rënda në kokë pasi u rrëzua në një shkëmb në resortin francez të skive në Meribel.

Shumaker

Një aksident i rëndë, që tronditi të gjithë botën, të frikësuar për jetën e Shumit, por ai luftoi me sukses për ta fituar betejën me jetën, pavarësisht se qëndroi në koma për një kohë të gjatë.

Gjithsesi, që prej atij aksidenti të tmerrshëm Shumaker mbetet në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa nuk është parë asnjëherë në publik. Informacionet rreth gjendjes së tij të saktë shëndetësore janë shumë të kufizuara, pasi familja e tij ka kërkuar gjithmonë të ruajë privatësinë e pilotit që bëri histori duke fituar shtatë kampionate botërore në Formula 1, duke e çuar Ferrarin në epokën më të lavdishme.

Është një ironi mizore që Shumaker nuk pësoi dëmtimin e tij të rëndë në një pistë F1, por në një aksident të dhimbshëm në një kohë kur ndodhej me pushime në Alpet Franceze.

Asokohe ai ishte 44 vjeç, ndërsa tashmë është 53 vjeç, ndërsa më 9 janar do të mbushë 54. Gruaja e tij Korina dhe fëmijët Mik e Xhina flasin herë pas here për Majkëllin, duke treguar lidhjen e tyre emocionale me të, por pa dhënë asnjëherë detaje për gjendjen shëndetësore të ish-pilotit.

8798

Vetëm disa muaj më parë u shfaq edhe një dokumentar në “Netflix” kushtuar Majkëll Shumakerit, teksa bashkëshortja, Korina, tepër e emocionuar shprehej: “Më mungon Majkëll çdo ditë. Por nuk më mungon vetëm mua, u mungon fëmijëve, babait të tij, të gjithë familjes dhe njerëzve rreth tij. Dua t’u them të gjithë atyre që u mungon Majkëll, se ai është këtu. Edhe pse ndryshe, ai është këtu dhe kjo na jep forcë. Ne përpiqemi të mbajmë një familje ashtu siç i pëlqente Majkëllit. ‘Privatësia është privatësi’, siç thoshte ai vetë gjithmonë. Për mua është shumë e rëndësishme që ai të vazhdojë ta shijojë sa më shumë jetën e tij private. Majkëll gjithmonë na ka mbrojtur në këtë gjë, dhe tani ne po e mbrojmë atë”, deklaronte Korina.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"