Shqipëria e Volejbollit Europian 1955

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2020 | 21:03

Shqipëria e Volejbollit Europian 1955

BESNIK DIZDARI

65 vjet më mbas

Nga PETRIT MURZAKU 65 vjet më parë

 

Besnik-Dizdari

Mbas fitores së shtrën guar, por plotësisht të merituar, kundër ekipit të Belgjikës, një ditë më vonë volejbollistët tanë u gjenden përballë ekipit të Egjyptit. Kjo ndeshje përfundoi me fitoren e thellë të ekipit tonë 3-0 (10-2- 11). Të rrjeshtuar në një anë të fushës, shikonim për të katërtën herë me rradhë të valëvitej në majë të shtizës flamuri jonë kombëtar. Ndeshja e fundit e kampionatit. Kemi përballë ekipin e Italisë dhe që të dy luftojmë për të zënë vendin e nëndë dhe të dhjetë në klasifikimin e përgjithshëm. Këtë rradhë volejbollistët tanë qenë të mobilizuar si kurrë ndonjëherë për të arritur fitoren.

Ndeshjet e zhvilluara deri në këte takim të fundit, e kishin ndihmuar mjaft ekipin tonë në arritje të një niveli më të lartë teknik e taktik. Këtë gjë na e vuri në dukje edhe trajneri N.Terkila, i cili për këte ndeshje na caktoi si detyrë kryesore që të formonim barikada kompakte, shutime mesatare dhe të siguronim në një mënyrë të përsosur dublazhin. Fillim qe i shpejtë dhe me pasime të sigurta. Rezultatet kalonin në avantazh herë në njërin herë për tjetrin ekip. Më në fund seti i parë u mbyll në favor të italianëve 15-13. Setin e dytë arrijtëm ta fitojmë lehtë 15-8. Setin e tretë e fitoi ekipi kundërshtar 15-13 dhe të katërtin15-8 në favorin tonë. Setin e fundit, të pestin e humbëm 17-15. Në këte ndeshje influencoi mjaft në disfavorin tonë arbitrimi nga ana e B.Florian, i cili ranë disa gabime. Si e metë kryesore për ekipin tonë në setin e fundit u konstatua sidomos nervozizmi, shutimet me frikë dhe pasimet jo të rregullta. Në përfundim të kampionatit zumë vendin e dhjetë, duke lënë prapa Belgjikën, Austrinë, Finlandën dhe Egjyptin, ekipet e të cilëve kishin një eksperiencë shumë më të madhe takimesh ndërkombëtare. Kampionati evropian qe një shkollë e vërtetë për volejbollistët tanë.

Në takimet e shumta ndërkombëtare ekipi ynë pati rastin të mësojë mënyrën se si luhet volejbolli i përparuar: koncepti në zhvillimin e lojës, dublazhi, vendosja e lojtarëve në fushë dhe mënyra më e drejtë e futjes së lojtarit të katërt në vijën e parë. Takime të tjera miqësore dhe ndëkombëtare prisnin ekipin tonë mbas kampionatit evropian. Para nisjes në lojërat e dyta ndërkombëtare të rinisë e studentëve në Varshavë, ekipi ynë zhvilloi disa ndeshje miqësore me skuadrat e ndryshme të Rumanisë të cilat na vlejtën mjaft për një pregatitje më të mirë për takimet që do të zhvillonim në Varshavë. Gjatë qëndrimit në Rumani, ekipi ynë zhvilloi tre ndeshje në Arad, TërguMuresh dhe Kraiovë, të cilat i përfunduam me dy humbje dhe një fitore. Mbas pregatitjeve të mira në Rumani, ekipi ynë u nis për në festival. Simbas shortit, neve na takoi të zhvillonim ndeshjet në grupin e parë, ku bënin pjesë ekipi kampion i Europës, Çekosllovakia, Polonia dhe R.D.Gjermane. Takimin e parë e patëm me çekosllovakët. Në fillim të setit të parë rezultati arrijti deri në 9- 9, por pastaj miqtë u mobilizuan si duhet dhe përfunduan ndeshjen 3-0 në favor të tyre (10-10-5). Edhe ndeshjen e dytë me Rumaninë e humbëm 3-0 (10-7-8). Pamvarrësisht nga rezultati, mund të themi se në këte ndeshje ekipi ynë zhvilloi një lojë shumë të mirë. Dy humbjet e para e detyruan ekipin tonë së bashku me atë të R.D.Gjermane që të kalojë në grupin e dytë, ku luftohej për të zënë vedin e shtatë deri te i dymbëdhjeti.

5

Ndeshjet në këte grup të ri mund të konsiderohen si suksesi ynë më i madh. Ne arrijtëm të fitojmë të gjitha ndeshjet e zhvilluara dhe si përfundim të meritojmë vendin shtatë në klasifikimin e përgjithshëm. Takimet i përfunduam me këto rezultate: me R.D.Gjermane 3-1, (15-9, 11-15, 15- 11 dhe 15:8); me Finlandën 3:0 (10- 11-12); me Mongolinë 3:0 (8-7-8) dhe me Norvegjinë 3:0 (2-1-0). Gjatë zhvillimit të ndeshjeve volejbollistët tanë përdorën kombinime dhe taktika të ndryshme të mësuara nga trajneri rumun nga ekipet me eksperiencë. Te lojtarët tanë lindi besimi për fitore. Ata arrijtën të bëjnë pasimet, shërbimet dhe shutimet në një mënyrë më të përsosur dhe më të sigurtë. Brënda një kohe relativisht të shkurtër, ekipi ynë bëri një hap përpara në ngritjen dhe kuptimin e konceptit të zhvillimit të lojës. Vetë ndeshjet gjatë kampionatit kombëtar të volejbollit, që u zhvilluan gjatë muajit shtator, treguan përparimin e bërë nga lojtarët e ekipit tonë: N.Llala, F.Meka, V.Koja, J. dhe A.Kona, Q.Gjinali, Sh.Kau dhe E.Gjadri, Në 15 ndeshje ndërkombëtare të zhvilluara në Bukuresht dhe Varshavë, 8 përfunduan me fitore dhe 7 humbje. Ky qe bilanci i takimeve të para të zhvilluara nga volejbollistët tanë të rinj. Tani ata i pret një tjetër detyrë akoma më e rëndësishme: ti përvishen një pune më të shëndoshë, të perfeksionojnë akoma më shumë mjeshtrinë e tyre, në mënyrë që që ti përgjigjen me fitore të reja kujdesit të vazhdueshëm që tregon për ta partia dhe pushteti ynë popullor.

PETRIT MURZAKU

Mjeshtër sporti dhe kapiten i skuadrës X X X Bukureshti 1955: themeli i revolucionit volejbollistik të Shqipërisë Kështu mund ta përcaktoj mendimin përfundimtar mbas mbylljes së botimit të shkrimit në katër pjesë të Petrit Murzakut. Dhe pa asnjë mëdyshje. Ka pra, përherë momente kyçe që e bëjnë një sport të marrë rrugën e madhe të përparimit. Kësisoji, nëse na duhet të pranojmë se Ballkaniada 1940 vuri themelin e modernizimit të futbollit shqiptar; nëse fundi i viteve ’60 dhe vitet ’70 modernizuan basketbollin shqiptar; nëse fillimi i viteve ’70 tregoi se qitja dhe peshëngritja mund të bëheshin sporte ndërkombëtare për Shqipërinë; nëse pjesëmarrja dinjitoze e Shqipërisë në Olimpiadat Botërore të shahut ka qenë diçka vërtet e jashtëzakonshme në fuqizimin e këtij sporti të mendjes; po kështu mund të themi se viti 1955 i Kampionatit të Europës në volejboll, vulosi mendimin se ky sport mund të bëhet po ashtu, një dukuri e nivelit ndërkombëtar në Shqipëri. Të shohim tash pasqyrën e plotë të këtij Kampionati Europian 1955 të volejbollit, për të kuptuar më mirë rëndesën e tij në një gjithë këtë histori të pashlyeshme.

;kl

Ai është një kampionat ku marrin pjesë14 shtete. Ishte i katërti Kampionat Europian: Romë 1948, Sofje 1950, Paris 1951, Bukuresht 1955. Duke kulmuar ky i Bukureshtit me numrin më të madh të deriathershëm të shteteve pjesëmarrëse. Skuadrat do të ndaheshin në 4 grupe, pasqyra përfundimtare e të cilave është kjo:

GRUPI A

1. BRSS 6 3 0 9-0

2. Franca 5 2 1 6-3

3. Shqipëria 4 1 2 3-7

4. Finlanda 3 0 3 1-9

GRUPI B

1. Çekosllovakia 6 3 0 9-0

2. Jugosllavia 5 2 1 6-3

3. Egjipti 4 1 2 3-8

4. Austria 3 0 3 2-9

GRUPI C

1. Hungaria 4 2 0 6-2

2. Bullgaria 3 1 1 5-3

3. Belgjika 0 0 2 0-6

GRUPI D

1. Rumania 4 2 0 6-2

2. Polonia 3 1 1 5-3

3. Italia 2 0 2 0-6

Në përfundim të këtyre ndeshjeve, dy skuadrat e para të secilit grup formonin 8 skuadrat të cilat do të garonin për titullin dhe vendet 1-8. Të tjerat, ku bënte pjesë edhe Shqipëria, do të garonin për vendet 9- 14. Tek janë dhe renditjet përfundimtare të këtyre dy grupeve të mëpastajmë:

GRUPI PËR VENDET 1-8

1. Çekosllovakia 13 6 1 20-5

2. Rumania 12 5 2 18-11

3. Bullgaria 12 5 2 16-12

4. BRSS 11 4 3 16-12

5. Jugosllavia 10 3 4 15-16

6. Polonia 10 3 4 12-15

7. Hungaria 9 2 5 9-19

8. Franca 7 0 7 5-21

GRUPI PËR VENDET 9-14

9. Italia 10 5 0 15-5

10.Shqipëria 8 3 2 13-8

11.Finlanda 8 3 2 13-8

12.Belgjika 8 3 2 11-9

13.Austria 6 1 4 6-14

14.Egjipti 5 0 5 2-15

Kështu, renditja e përgjithshme e Kampionatit Europian 1955, me në krye skuadrën e Çekosllovakisë e cila fitonte për herë të dytë (1948, 1955) titullin e kampiones së Europës, është kjo: Kampionati Europian i Volejbollit: Bukuresht, 15-26 qershor 1955 Renditja përfundimtare:

1. Çekosllovakia 13 6 1 20-5

2. Rumania 12 5 2 18-11

3. Bullgaria 12 5 2 16-12

4. BRSS 11 4 3 16-12

5. Jugosllavia 10 3 4 15-16

6. Polonia 10 3 4 12-15

7. Hungaria 9 2 5 9-19

8. Franca 7 0 7 5-21

9. Italia 10 5 0 15-5

10.Shqipëria 8 3 2 13-8

11.Finlanda 8 3 2 13-8

12.Belgjika 8 3 2 11-9

13.Austria 6 1 4 6-14

14.Egjipti 5 0 5 2-15

Shqipëria renditet pra, në vendin e 10-të në Europë me këto përfundime tanësore të ndeshjeve:

BRSS – Shqipëria 3-0 Franca – Shqipëria 3-0

Shqipëria – Finlanda 3-1

Finlanda – Shqipëria 3-2

Shqipëria – Egjypti 3-0

Shqipëria – Austria 3-0

Shqipëria – Belgjika 3-2

Italia – Shqipëria 3-2nmj

Çka do të thotë se në tanësinë e 8 ndeshjeve të luajtura, ajo ka fituar 4, kjo, gjithçka në arësyen e vet. Me përjashtim të humbjes dramatike në ndeshjen e dytë me Finlandën 3-2, të cilën e kishte mposhtur 3-1 në ndeshjet e Grupit A. Në fund të fundit, Shqipëria ishte në 10 shtetet më të mira në Europë qysh në pjesëmarrjen e saj të parë, thuajse pa asnjë përvojë në takimet ndërkombëtare! E rrallë, krejt e rrallë!… Them se duke u botuar kjo histori statistikore sot për herë të parë në shtypin shqiptar përmes gazetës “Panorama Sport”, ndoshta ia vlen që, njerëzit e volejbollit, drejtues e specialistë, volejbollistë e dashamirës të këtij sporti, ta vërejnë me vëmendje. Jam i bindur se vetvetiu atyre do t’u lindë pyetja: si ka mundësi? Jo thjesht për kuriozitet, por ngaqë duke kërkuar përgjigjen e kësaj pyetjeje, ata do të kuptojnë një revolucion, do të kuptojnë një shpërthim cilësor befasues të këtij sporti, për fat të keq sot i ndërprerë trishtueshëm për një tufë shkaqesh…

Ndeshje të tilla të Bukureshtit 1955 si ato Italia – Shqipëria 3-2 dhe Shqipëria – Belgjika 3-2 pa dyshim që hyjnë në fondin e artë të historisë së volejbollit shqiptar. Të bashkuara në një, ato janë ndeshje triumfuese pavarësisht se njëra është humbje dhe tjetra fitore. E, në qoftë se do ta shohim më me imtësi, për shembull, humbjen me Italinë, do të zbulojmë se në pikaverazhin e përgjithshëm të seteve, ajo është 65-64 për Shqipërinë! E tregon qartë përmbajtja e seteve që është kjo: Italia – Shqipëria: 15-8, 9- 15, 16-14, 9-15, 15-13 . Dhe Italia e 9- ta, Shqipëria e 10-ta!

Ndërkaq, Petrit Murzaku përshkruan paksa edhe pjesëmarrjen e menjëhershme të skuadrës shqiptare në Festivalin e Rinisë në Varshavë, ku ajo demostron edhe një herë rritjen e saj. Zë vendin e shtatë dhe merr 4 fitore. Dhe e vërteta është se në turneun e Festivalit të Varshavës, ashtu si dhe Shqipëria, edhe shumica e skuadrave të tjera paraqiten me kombëtaret e tyre. Çka nuk të bën ta nënvleftësosh kurrsesi arritjen e Varshavës. Me Varshavën do të mbyllet gati një periudhë dymujore e këtyre volejbollistëve të pashlyeshëm shqiptarë jashtë Shqipërisë, kohëzgjatje “maratonomake” që nuk do të përsëritej më kurrnjiherë. Ndërkaq, historia na thotë se tre vjet më vonë, në 1958-ën, në Kampionatin Europian të Pragës, Shqipëria dhe Italia do të renditen gjithnjë pranë njëra-tjetrës: Italia në vendin e 10-të dhe Shqipëria në vendin e 11-të. Ndonëse një vend më poshtë se në Bukuresht, Kampionati i Pragës tregon rritjen edhe më të fuqishme për Shqipërinë, sepse tashmâ nuk janë 14, por janë plot 20 shtete pjesëmarrëse.

Kjo do të thotë se Shqipëria kishte lënë mbrapaTurqinë, Holandën, Finlandën, Egjiptin, Tunizinë, Belgjikën, Austrinë, RF të Gjermanisë dhe Danimarkën. Dhe me një medalje krejt origjinale, siç mbetet në histori, ajo e volejbollistit të papërmbajtshëm shqiptar Napoleon Llalla, për stilin e shërbimit më të mirë. Për mundësitë e Shqipërisë, edhe Praga 1958 mbetet vërtet tejet historike. Shqipëria do t’i rikthehet pjesëmarrjes në Kampionatin Europian në atë të vitit 1967 në Stamboll, ku renditet e 13-ta. La mbrapa Turqinë, Holandën, Gjermaninë Perëndimore e Greqinë me të cilat sot absolutisht nuk mund të matet. Kjo është dhe rënia jonë e madhe! Përveç të tjerave, është një rënie që ka ardhur edhe ngaqë pjesëmarrjet e Shqipërisë nuk kanë qenë kurrë të vazhdueshme. Ndonëse në 19620- shin ajo ka pjesëmarrjen e saj befasuese në Kampionatin Botëror të Moskës. Shqipëria renditet e 16-ta në botë, midis 19 skuadrave pjesëmarrëse. Krejt normale. Dhe prapë Italia, që do të thoshte Italia – Shqipëria 3-1! Shqipëria e 16-ta, Italia e 14-ta. Një Itali që për çudi të dukej se mbetej njohësja më e mirë e volejbollit shqiptar. Kjo edhe falë të njëjtit trajner të saj, serbit të Jugosllavisë, i famshmi Ivan Trinajstic, autor librash, sa teorik aq dhe praktik i madh i volejbollit modern të kohës. Dhe për 13 vjet trajner i Italisë: 1953-1966.

“Hakmarrja” shqiptare kundëritaliane ishte lënë të niste në 1966-ën në Kupën e Kampioneve të Europës me Dinamo – Virtus e Bolonjës 3-0 e 0-3, vepër e gjashtëshes sonë mitike: Ylli Shehu, Asllan Rusi, Anastas Panteqi, Kreshnik Tartari, Ali Bushati, Fatmir Sharofi. Pranë të cilëve ishte gjithnjë e gatshme dyshja e denjë Todi Driza – Ali Lullolli. Trajneri dihej: Vangjel Koja i madh. Të gjitha këto pjesëmarrje të mbas Bukureshtit 1955, meritojnë një studim analitik tejet të rëndësishëm për historinë e volejbollit shqiptar të Kombëtares së tij. Çka sigurisht ma nxit fort dëshirën. Po nga ana tjetër, këtë u takon ta bëjnë akademistët e këtij sporti, universiteti përkatës, katedrat e tij të historisë. Jo amatorët, tregtarët e paskrupuj të shkrimeve të një interesi tejet të ngushtë që çon jo rrallë deri te shtrembërimet e pafalshme të historisë. E dimë të gjithë, që vetëm studimet, ato historike, si dhe përshkrimet problemore të tyre, të çojnë te planifikimet përsëmbari të një përparimi. Në të gjitha fushat e jetës së një kombi. Kështu edhe në sporte. Ndoshta koha do të premtojë për t’iu rikthyer këtij arkivi, deri para pak vitesh tejet i pasur për sportin shqiptar. Natyrisht, pa harruar shpalosjen e shpërthimit të volejbollit shqiptar në Kupat e Europës që nis nga mesi i viteve ’60 e fillimi i atyre ’70, duke mbërritur madje, deri në finale të këtyre Kupave.

kjfcgb

Natyrisht së bashku me volejbollin e femrave, i gjithi i një suksesi të pamatë të nivelit më të lartë europian. Çka për fat të keq gjithçka u mbyll me vitin 1990. Sigurisht hap mbas hapi, me mend në krye e me të vërteta të sigurta do t’u kthehemi këtyre ngjarjeve si dëshmitarë okularë e gazetarë të kohës. E pra, ku jemi sot? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do të na mjaftojë vetëm fakti i dhimbshëm i zhdukjes së dy Dinamove të famshme të Tiranës. Më saktë, zhdukja e shkollës dinamase shqiptare. Ajo që u bë shkollë edhe falë një protagonisti të shquar të Bukureshtit 1955 me emrin Vangjel Koja dhe nxënësit të tij të mëvonshëm Kreshnik Tartari. Pranë modelit të të cilëve do të qëndrojë edhe një tjetër “bukureshtas” 1955, siç qe i paharrueshmi Andon Kona i Partizanit po ashtu europian. Natyrisht, që nuk mund të mos veçohet Fatmir Meka, gjithashtu i Bukureshtit 1955 – i madhi i të mëdhejve sa në basketboll e po aq në volejboll, sport për të cilin edhe ai mbeti një nismëtar i trajningut modern te 17 Nëntori i tij. Mos jemi 65 vjet mbrapa në gjithë këtë histori? Pyetje e pamëshirshme.

Ndoshta për shumëkënd edhe e palogjikshme… Sidoqoftë, do të thosha se më parë se gjithçka, na duhet të nderojmë fort Shqipërinë e Bukureshtit 1955. Shqipërinë që aq me vërtetësi e kompetencë na e pasqyroi mbas 65 vjetëve, jo thjesht volejbollisti i madh e kapiteni i Kombëtares, por dhe universali i pamatë i sporteve shqiptare, i paarritshmi Petrit Murzaku me shkrimin e tij në katër kapituj. Kjo ka qenë Shqipëria e volejbollit të Petrit Murzakut, Fatmir Mekës, Napoleon Llallës, Jorgji Konës, Vangjel Kojës, Andon Konës, Qemal Gjinalit, Egon Gjadrit e Shevqet Kaut – qytetarë të hijshëm, simpatikë, djem të rrallë të një plejade që, siç shkrova kapitullin e kaluar, zbukuronte tejet pamjen sportive dhe sociale të rinisë shqiptare. Duke pasë në krye një figurë të madhe të drejtimeve të sportit shqiptar, siç ishte profesor Nexhmi Kadiu. Pse jo, Shqipëria e Bukureshtit 1955 vetvetiu ishte edhe Shqipëria e trajnerëve të saj, sovjetikes Zora Korjak dhe rumunit Nikollaj Terkila, të cilët sot e kësaj dite, për 65 vjet me radhë, Shqipëria nuk i kishte përmendur kurrnjëherë!… I risolli në skenën e madhe të historisë sportive mbas 65 vjetëve, Petrit Murzaku me rievokimin e shkrimit të tij. Ne vetëm sa morëm mundimin për ta rishfaqur në faqet e gazetës “Panorama Sport”. Tash i mbetet dikujt tjetër për një nderim të posaçëm. Kurrë nuk është vonë për të nderuar veprimtarët atdhetarë të një kombi. Sepse në thelb, veprimtaria e këtyre djemve datuar 1955, përveç të tjerave, është dhe një veprimtari atdhetare në shumanshmërinë e vetë jetës shqiptare.

FUND —————– * Për vazhdimësi shih “Panorama Sport” të 8 dhe 18 korrikut 2020.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"