83 ditë pa pikë, Lushnja kërkon të trembë Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2018 | 14:20

83 ditë pa pikë, Lushnja kërkon të trembë Partizanin

Lushnjarët vijojnë të përgatiten për ndeshjen me Partizanin, që do ta luajnë të shtunën në stadiumin “Roza Haxhiu”. Verdhejeshilët duken të harruar në fund të tabelës me 10 pikë, në 30 ndeshje. Lushnja ka 12 humbje radhazi dhe nuk merr pikë, prej 83 ditësh.

partizanilushnja

E fundit, 4 shkurt 2018, Lushnja-Luftëtari 0-0. Për ndeshjen me Partizanin, lushnjarët do të mundohen të gjejnë rezultatin pozitiv. Edhe për atë që u mungon prej një kohe të gjatë, por edhe për të bërë një kundërpërgjigje, pas humbjes 0- 6, të fazës së tretë. Kjo është humbja më e thellë e lushnjarëve në këtë sezon, nga 24 disfata në total.

Infrastruktura- Lushnja rrezikon të mbetet pa fushë stërvitore deri në fund të vitit 2018. Burime nga Bashkia e Lushnjës thanë për “Panorama Sport” se nuk do të ketë asnjë investim në infrastrukturë deri në fund të vitit 2018. Alternativat për një ndërhyrje në stadiumin e Plugut apo në një nga anekset pranë stadiumit “Roza Haxhiu” kanë rënë për shkak të mungesës së financave. Momentalisht, lushnjarët po stërviten në aneksin e tyre përmes pluhurit.

Edhe pse punonjësit e stadiumit e lagin çdo ditë me ujë, nga temperaturat e larta, pluhuri është i pashmangshëm. Terreni jashtë çdo standardi ku stërvitet skuadra është bërë shkak edhe për dëmtime të tjera të futbollistëve lushnjarë.

E ardhmja – Futbollistët kanë kontrata njëvjeçare me Bashkinë e Lushnjës, të cilat u skadojnë më 31 maj.  Mendohet që 50-60 për qind të qëndrojë përmes rinovimit të kontratës. Gjithashtu, pritet të ofrohen lojtarë nga skuadra e të rinjve. Lushnja e Kategorisë së Parë pritet të mbështetet më shumë te futbollistët vendës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"