75 vjet më parë themelohej në Tiranë “Kombëtarja” e Kosovës… (PJESA II)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2018 | 22:44

75 vjet më parë themelohej në Tiranë “Kombëtarja” e Kosovës… (PJESA II)

… Nuk ka dyshim se ndeshja ka karakterin e saj politik, natyrisht nën vëmendjen e qarqeve fashiste, po nga jashtë ajo ka një pamje të rrallë shqiptare. Shtypi shkruan se ishin 8000 shikues që rrethonin në të katër anët fushën sportive të Shallvares. Thuhet se ishte një ndeshje e organizuar nga e ashtuquajtura Vepra Kombëtare e Mbaspunës Shqiptare. Për çka, Shallvarja ka një pamje tejet zyrtare në tribunën e saj të autoriteteve.

Ndodhet Ministri i Tokave të Lirueme, Eqrem Bej Vlora, Nënsekretari i PKF (Partia Kombëtare Fashiste) Qazim Bllaca, Komisari i Jashtëzakonshëm i Tiranës (Kryetari i Bashkisë) Omer Fortuzi, Federali i Pejës, kryetari i Bashkisë së Prishtinës, një “delegacjon i tanë i ardhur nga Kosova për kremtimet e 30-vjetorit të pamvarësisë shqiptare”, siç thuhet fjalë për fjalë. Ndeshja ka një ceremoni zyrtare tejet të parashikuar. Kryetari i Veprës Kombëtare të Mbaspunës Shqiptare, Vasil Alarupi, bën nderimet e rastit dhe vetëm mandej nis futbolli.

vcv

Skuadrat kanë emërtimet e tyre edhe këto të parashikuara. Nuk kemi të bëjmë me Sportklub Tiranën, por me Përfaqësuesen e Tiranës përballë Përfaqësueses së Kosovës. Është ora 14:30 e 29 Nëntorit 1942 dhe, për herë të parë, Përfaqësuesja e Kosovës e sheh veten të marrë udhë në histori.

Ajo ka qenë një nga ndeshjet më tërheqëse që ishte parë në Tiranë në ato kohë. Gjithçka fillon me gol, madje qysh në të 5′, kur Përfaqësuesja e Tiranës e sheh veten në 1-0 duke shuar menjëherë një shpresë kosovare. Është një kombinacion që lind mbas pritjes së portierit Daci të Kosovës dhe Zyber Lisi sapo kishte lëshuar një nga goditjet e tij të papritëshme.

vxc vc

E mbas pak lind kombinacioni DemneriKoxhaj-Balla-Bylyku-Visha. Është një gol spektakolar i Ali Vishës, dëshmorit të ardhshëm, i cili fluturim, pa e lënë topin të bjerë në tokë, gjuan fort dhe tund rrjetën e Dacit. 1-0! Kronika e lojës natyrisht që nuk merr fund këtu. Ajo është tejet e pasur dhe përshkohet në gjysmëfushat e të dyja skuadrave.

Laçej pret gjuajtjen e rreptë të Mazllum Xërxës, për të cilin shtypi shkruan “se është gjithmonë ai i vjetri”, me kuptimin e forcës së mirënjohur të tij si ishlojtar i Vllaznisë në vitet ’30 dhe pjesëtar-themelues i Kombëtares së Shqipërisë së 1936-ës. Pjesa e dytë fillon me gjuajtjet e Ballës e të Bylykut. Kronika thotë se “mbrojtësit kosovarë Zaimi dhe Ballanca janë shumë të mirë” dhe largojnë rreziqe. Dhe ja ku del në skenë Bajrami, gjysmësulmues i majtë, “me ide të shkëlqyeshme loje dhe jep kalime shumë të matuna”.

Por minuta e 9-të i përket Dulatahit. Gjithçka përsoset prej Hamzës e Xërxës, kalim te Bajrami, Henci dhe Dulatahu i vetëm para Laçejt, çka duket një gol i sigurt, por… shtyllë! Këtu nis epërsia e Kosovës. Vijnë dy goditje këndi dhe në të 14′ prapë Dulatahi e ka golin ndër këmbët e tij. Është sërish krejt i vetëm përballë Laçejt, teksa gjuan jashtë. Dhe, pa kaluar pak sekonda, përsëri i vetëm po ky Dulatah, te flak tej topin gjithnjë i vetëm para portës!

fvfv
Nisin ndërkaq e tronditen shtyllat. Në të 20′, Zyber Lisi godet fort shtyllën e Dacit. Në të 23′ është Ramadan Vraniqi pranë golit: gjuan pa mëshirë, topi prek duart e Laçejt, mandej qeth shtyllën dhe përfundon në goditje këndi! Në të 27′ i takon Bajramit të realizojë gjuajtjen e tij të shkëlqyer: dhe prapë shtyllë!

Mbrojtja e Tiranës me në krye Xhavit Demnerin, Muc Koxhjen e ardhur nga Shkodra, Himën, Qirin, Kuranin e Laçejn, të shumtë në numër jashtë taktikës së kohës, tashmâ kërkojnë të ruajnë vetëm 1-0. Por ja minuta fatlume e 44′ dhe 2-0 për Përfaqësuesen e Tiranës! Është një kryevepër e kohës. Ali Visha e çon topin te Hasan Balla, ky Akil Deranit, i cili harkon për në qendër të mbrojtjes mike, e aty kërcen Zyber Lisi dhe me krye tund rrjetën e Dacit. 2-0 për Përfaqësuesen e Tiranës, e cila merr një fitore të bukur, të mundimshme përballë një 11-shi befasues nga Kosova.

Për fatmadh, falë shtypit të kohës, kemi skedën e ndeshjes themeluese. Vetëm mbiemrat. Mandej nga Kosova, falë kolegut Agim Binaku, më pat mbërritur edhe foto e 11-shit të Kosovës. Por gjithnjë kërkoj të shkoj përherë e më fort te të vërtetat sa më absolute që të jetë e mundur.. Cilët janë këta djem? Cilët janë emrat e tyre?

Dhe përsëri një digresion tjetër. Para kësaj ndeshjeje më pat mbetur mendja tek emri një futbollisti: Sinan Hasani. A është ky personazhi i mirënjohur i politikës dhe qeverisjes jugosllavo–kosovare, Sinan Hasani, presidenti i Jugosllavisë i vitit 1987?

cv c

Mû ai, i cili, siç ka shkruar Prof. Petrit Imami – autori i trilogjisë së rrallë, madje unike “Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj”, e sapobotuar në tre vëllime në Beograd në serbisht dhe shqip, bëhet edhe protagonist i një episodi krejt të jashtëzakonshëm. Në vitin 1987, në mënyrën më të habitshme, me cilësinë e presidentit të Jugosllavisë, Sinan Hasani i ka dorëzuar dekoratën deri një njeriu me emrin Vaso Çubriloviq, i cili me ligjeratën e tij famëkeqe “Shpërngulja e shqiptarëve” të vitit 1937, na ka hyrë fort keq në historinë e kombit tonë.

A janë këto trillet e pamëshirshme të historisë: që një shqiptar t’i dorëzojë dekoratën më të lartë një ideologu i njohur për teorinë e tij raciste të boshatisjes së Kosovës prej shqiptarëve? Prof. Petrit Imami nuk ndal këtu, teksa shkruan në librin e tij se, për paradoksin më të madh, po ky Vaso Çubriloviq, “në Jugosllavinë socialiste krejtësisht i ndryshoi qëndrimet e veta të deriatëhershme dhe është një nga akademikët e rrallë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Serbe, i cili kundërshtoi në vitin 1986 ‘Memorandumin’ e grupit të akademikëve të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të arteve për pozitën e popullit serb në Jugosllavi”, siç shkruan fjalë për fjalë Prof. Imami, i cili me trilogjinë e tij të pashlyeshme, jo vetëm i lë Shqipërisë një histori të rrallë, por mbi të gjitha një shembull të shkëlqyeshëm të trajtimit me paemocione e panjëanshmëri të historisë.

csxcx

Të ketë qenë i kundërshtuari i madh prej shqiptarëve të Kosovës, shkrimtari i mirënjohur, presidenti i Jugosllavisë, Sinan Hasani i vitit 1987, futbollisti 20-vjeçar (e mosha e tij përkon me të vërtetën) i skuadrës së Prizrenit në kampionatin Mbarëkombëtar të vitit 1942? Nuk e vërtetoj assesi, edhe pse ndodhem përballë autenticitetit grafik të emrit të tij: Sinan Hasani! Enigmë!…
Kështu, unë që prej kaq kohësh kërkoj të mbërrij te vërtetësia e emrave të themeluesve të Përfaqësueses së Kosovës. Dhe kam mbërritur jo pak. Pikërisht këto kohë të fundit kam zbuluar se sulmuesi Henci është Mustafa Henci. Tre të tjerë nuk ua gjej emrat, ndonëse mbiemrat nuk thonë pak. Njohim kështu tetë nga 11 emrat e plotë të themeluesve të Kombëtares apo Përfaqësueses së Kosovës të 75 vjetëve më parë.

Po çka është më e rëndësishme, u zbulua foto e 11-shit historik të Kosovës që luajti ndeshjen themeluese të 29 Nëntorit 1942 në Fushën e Shallvares së Tiranës. Janë Daci, Ballanca, Zaimi, Xërxa, Veseli, Hamza, Dulatahi, Vraniqi, Barbaroga, Bajrami, Henci. Me emra të plotë njohim këta protagonistë: Mustafa DACI, Ahmet ZAIMI, Mazllum XËRXA, Hajdar HAMZA, Nebil DYLATAHU, Ramadan VRANIQI, Dobrica BARBAROGIQ (Barbaroga). Mustafa HENCI. Ende nuk arrij të saktësoj mbiemrat e tre futbollistëve të tjerë: Ballanca, Veseli, Bajrami, ndërkohë që Dobrica Barbarogiq, serb nga kombësia (shtypi e jep Barbaroga), të duket se është shprehje bashkëjetese paqësore me pakicat kombëtare edhe në Kosovën e asokohe!…

Ndërkaq, futbollistët e Përfaqësueses së Tiranës, njëri më i shquar se tjetri e të cilët më mbas do të bëjnë një histori të shkëlqyeshme, i njohim të gjithë. Ashtu si dhe gjyqtarin e mirënjohur Abdurrahman Toptani – figurë e shquar e sportit tonë kombëtar, i cili, si dhe shumë të tjerë, vazhdon të injorohet pa mëshirë! Nga ana e vështrimit apo e zhvillimeve historike, mpleksja e këtyre 22 djelmoshave është plot trille. Ka midis tyre komunistë e partizanë, ballistë e zogistë, të arratisur politikë të mëvonshëm. E midis tyre një dëshmor, Ali Visha – një nga futbollistët më të shquar të asokohe. Skeda e ndeshjes historike mbetet të jetë kjo:

Capture
Tiranë, Fusha e Shallvares, 29 Nëntor 1942 PERFAQËSUESJA E TIRANËS – PËRFAQËSUESJA E KOSOVËS 2-0 TIRANA: Halit LAÇEJ, Ramazan HIMA, Dik QIRIQI, Bajram KURANI, Muc KOXHJA, Xhavit DEMNERI, Hasan BALLA, Akil DERANI, Zyber LISI, Tas BYLYKU, Ali VISHA. KOSOVA: Mustafa DACI, …..BALLANCA, Ahmet ZAIMI, Mazllum XERXA, ….. VESELI, Hajdar HAMZA, Nebil DYLATAHU, Ramadan VRANIQI, Dobrica BARBAROGIQ, …… BAJRAMI, Mustafa HENCI. GOLAT: Ali VISHA 5′, Zyber LISI 89′. GJYQTAR: Abdurrahman Toptani.

Tashmâ Përfaqësuesja e Kosovës, edhe pse në humbje, ishte përuruar në themelimin e saj në një ditë të paharrueshme të 29 Nëntorit 1942, në ditët e festimeve të 30-vjetorit të Pavarësisë. Thotë kronika e shtypit: “Nji mot i butë dhe shumë i favorshëm për lojën e topëkambës desht me e shoqnue përzemërsisht ndeshjen aq të randësishme ndërmjet skuadrave Përfaqësuese të Kosovës dhe të kryeqytetit…

Skuadra kosovare humbi 2-0. Por me lojën që zhvilloi, sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes, provoi se nuk e meritonte nji humbje kaq të thellë. Nji përfundim prej dy golash me nji, në fitim të Tiranës, do t’i ishte përgjegjë ma mirë e ma besnikisht lojës që zhvilluen dy skuadrat”. Duket se ka qenë një ndeshje e bukur nga të dy palët dhe, ndërsa çmohet përvoja e kryeqytetasve, theksohet së përbërja e Kosovës “me elementë të katër qyteteve, tre pejanë, tre gjakovas, tre prishtinas dhe dy prizrendjanë, nuk kanë pasë shumë kohë që të stërviten së bashku”. Për çfarë nuk ia arritën të shkëlqejnë sidomos në pjesën e parë, teksa në të dytën ata erdhën duke përforcuar harmoninë e një loje, që mund t’i kishte çuar edhe te barazimi. “Tre topa kosovarë rrahnë shtyllën e tiranasve”, thotë kronika. Dhe më poshtë: “Lojtarët e të dyja skuadrave meritojnë lavdatat ma të shqueme pse i dhanë jetë nji ndeshjeje të shpejtë dhe krejt vllaznore”. Dhe mbyllja përsëri zyrtare. Mëkambësi i “Vitor Emanuelit të Tretë, Shkëlqesa Jacomoni pret përzemërisht skuadrat”.

bhggh

Edhe kjo hyn në historinë e kohës. Pritja është bërë ditën e nesërme të ndeshjes, 30 nëntor 1942. Skuadrat të prira nga Kryetari V.K.P.SH., Këshilltari Epror, Vasil Alarupi që iu prin, paraqiten te Jacomoni, ku janë të pranishëm edhe kryeministri Mustafa Merlika Kruja, Ministri i Tokave të Lirueme, Eqrem Bej Vlora, Këshilltari i Përhershëm i Partisë Fashiste Shqiptare, Lugini, z,. Bllaca e z. Fortuzi. Më mbas dreka e dhënë për të dyja skuadrat nga Bashkia e Tiranës në prani të Ministrit të Tokave të Lirueme, Eqrem bej Vlora, organizatori kryesor i këtij themelimi.

Nuk ka dyshim se në skenë dhe në mbrapaskenë ishte pushtuesi fashist, tejet i aftë për ta shfrytëzuar këtë përvjetor për synimet e tij. Po nga ana tjetër, shqiptarët dinë ta shfrytëzojnë edhe ata gjithçka për afshin e atdhetarisë së zemrës së tyre. Mjafton të përimtosh programin e Radio Tiranës së 28 Nëntorit 1942: “Ora 7:05: Këngë atdhetare; 8.15: Kangë popullore;12.30: Kangë atdhetare; 12.45: Kangë popullore; 13.45: Orkestra popullore; 17.00: Vargje atdhetare; 19.20: Kangë nga malet shqiptare; 23.00: Kangë atdhetare.”.

Ndërkaq, nga vështrimi i historisë së gazetarisë së folur, Radio Tirana vendos padyshim një rekord që i bën nder në Europë. Mbrenda një dite të vetme,atë 28 Nënor 1942, ajo ka patur katër transmetime të drejtpërdrejta: “12.10: Lidhje me Pallatin Mbretnuer për të transmetue radiokronikën dhe zhvillimin e ceremonisë. 14.00: Ligjerata kremtuese e Kryeministrit Shk. Mustafa Merlika Kruja dhe kumtimi i Ministrit të Arsimit për pagëzimin e shkollave dhe rrugëve me emna patriotësh. 21.00: Lidhje me Theatrin Savoia, transmetim i zhvillimit të Mbrambjes artistike”.

Cilët mund të kenë qenë radiokronistët? Tejet interesante për t’u hulumtuar edhe këto themelime të jashtëzakonshme në sferën e gazetarisë së folur në Shqipëri mbas sensacionit po të rangut europian, të transmetimit të drejtpërdrejtë për herë të parë në histori të ndeshjes së shtatorit 1938, SK Tirana–Iraklis e Kavallës 7-0, prej Anton Mazrekut.

bfgbg
RISITË BEFASUESE PREJ BEKIM FEHMIUT, FADIL HOXHËS DHE RAMADAN VRANIQIT Historia kishte shkruar kështu, ditën e themelimit të Përfaqësueses së Kosovës. Ishte themeluar në një ditë të shënuar të kremtimeve të 30-vjetorit të Pavarësisë, ndonëse për fat me dekadat që do të vinin, gjithçka do të harrohej, madje do të fshihej nga historia, për të rihyrë në histori mbas dekadash të tanâ e për t’u pasuruar tejet në plot risi në këtë Dossier të sotëm të gazetës “Panorama”. Pikërisht në ditët apo vitet e rikthimit të madh, historik të Përfaqësueses së Kosovës, tashmâ në lirinë e konsakruar. Ka qenë 1942! Plot 75 vjet më parë.

Shqipëria kishte zhvilluar të parin dhe të vetmin Kampionat Kombëtar me pjesëmarrjen e skuadrave të Kosovës. E madje, një pjesë e turneut ishte zhvilluar po në tokën e Kosovës, pikërisht në Prizren, skuadra e të cilit ishte renditur e treta, duke tronditur Shallvaren e Tiranës me ndeshjet e saj të bujshme, që për kohën qenë të papërmbajtshme: Prizreni Peja 2-1, Prizreni – Prishtina 5-0, Prizreni – Shkodra 3-1, Tirana – Prizreni 2-2, Tirana – Prizreni 2-1.

Kishte lënë mbas jo dokëdo, por një Durrës e një Korçë, një Berat e një Gjirokastër! Ai ka qenë një qershor historik i ndërkombëtarizimit befasues të talenteve të futbollit shqiptar. Më 14 qershor 1942, Naim Kryeziu bëhet Kampion i Italisë me klubin Roma, duke qenë titullar i palëvizshëm i 11-shit të saj. Më 28 qershor 1942, Riza Lushta me 3 golat e tij të pandalshëm i jep fundoren dhe Kupën e Italisë Juventusit përballë Milanit në 4-1-shin famëmadh që ishte i tani vepër e tij. Por në Itali luajnë edhe Loro Boriçi e Sllave Llambi. Loro Boriçi luan si “half”, me Lazio të Romës. Sllave Llambi me Fanfulla-n, ndërsa Lushta si Lushta!

Capture

Në vitin e tij të madh 1942 kur arrin në 15 gola të tij juventinë, dhe një vit më vonë kryeshënuesi më i mirë i Serisë A për lojtarët e huaj: 17 gola duke qenë thuajse në një vijë me Piola-n (21) – më i miri i botës! Qysh atëherë ADN-ja e futbollit shqiptar…

Ndërsa në Tiranë themelohej Kombëtarja e Kosovës… Dhe pjesë e saj një tjetër emër. Krejt i shquar nën origjinalitetin e rolit të tij. Është Mazllum Xërxa. Një protagonist unik: ai është në 11-shin themelues të Kombëtares së Shqipërisë më 1936 së bashku me Lushtën dhe Kryeziun, por është edhe në 11-shin themelues të Përfaqësueses së Kosovës më 1942.

Ky është i vetmi shqiptar themelues i dy Kombëtareve, Shqipëri dhe Kosovë! Më pat mbetur në mëndje ndërkaq, aktori i madh Bekim Fehmiu, i cili vite më parë në një transmetim në TVSH, tha se nëna e tij ishte nga familja Xërxa. Pata menduar: “Mos është një afërm i ngushtë i tij futbollisti Mazllum Xërxa për të cilin teksa e studioja në foton ku ai ka dalë me kostum civil me Vllazninë në Prizren, para ndeshjes së vitit 1942, më ngjasonte jopak me Bekim Fehmiun, sa që për një çast më dukej se mund të ishte daja i aktorit të madh.

E për Xërxën më kishte folur miku im dhe i familjes, i paharrueshmi Prof. Ramadan Sokoli, sepse Xërxa kishte jetuar në shtëpinë e tij në Shkodër. Duhej të vinte viti 2011 dhe Bekim Fehmiu të botonte librin e tij biografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” në vëllimin e parë të të cilit e ka personazh jo të rrallë pikërisht dajën e tij, protagonistin tonë të këtushëm me emrin Mazllum Xërxa. Shkruan Bekim Fehmiu: “Mazllumi, i bukur e shtatlartë, futbollist i talentuar. derisa ishim në Shkodër e patën ftuar të luante për skuadrën “Roma” të Italisë, por gjyshja nuk e pat lejuar”…

cv c

Kështu pra, gjithnjë e më të reja zbulon shkrimi e rishkrimi i historisë. Dhe në parantezë, e reja më e fundit për futbollin është ajo çka ka shkruar Fadil Hoxha në librin e tij të kujtimeve, kur flet për vitet e tij në Konviktin “Malet tona” të Shkodrës. Shkruan Fadil Hoxha: “… Në konvikt ka pasur futbollistë të mirë: Riza Lushta, Mazllum Xërxa, Skender Gjinali, Naim Kryeziu…”. Deri më sot këtë askush këtë nuk e ka ditë. Është një lloj përmbysje e hollësive historike, sidomos për më të mëdhenjtë tonë, Lushtën e Kryeziun, për të cilët deri më sot dinim se e kanë filluar futbollin vetëm në Tiranë.

Dhe kurrë nuk ma kishte marrë mendja se prej udhëheqësit apo figurës më të madhe të Kosovës së periudhës, e pakta deri andej nga 1988-ta, po dhe të Nënpresidentit të Jugosllavisë, Fadil Hoxha, do të më dilte ky përcaktim dhe kjo e dhënë historike për katër futbollistët më të famshëm të Kosovës së para e gjatë Luftës së Dytë Botërore – personazhe të spikatun të shkrimeve e librave të mi. Është një zbulim, që ndërkaq i bën një nder befasues Shkodrës sportive, e cila iu paska dhënë hapat e para të futbollit edhe Lushtës e Kryeziut të Sportklub Tiranës, Juventusit, Romës!…

Ky është shkrimi dhe rishkrimi i vazhdueshëm i historisë, që përherë të shpalos të reja. Dhe i kthehem protagonistit të prologut të këtij shkrimi: Ramadan Vraniqit (1922-2000) – një prej themeluesve të Përfaqësueses së Kosovës më 1942, ndër të fundit të ndarë nga jeta prej 11 protagonistëve të Përfaqësueses themeluese historike të Kosovës të 29 Nëntorit 1942. Do të mbeste mbas kjo ndeshje, madje do të mbulohej nga pluhuri shekullor i harresës.

Po prej saj do të rridhte një afsh i pashueshëm futbollistik. Prej atij 11-shi të Pasluftës do të dilte edhe vetë kryetari i Lidhjes së Futbollit të Kosovës – organizatori i shquar edhe në këtë fushë, Ramadan Vraniqi. Mbasi në këto vite ’40 kishte qenë “strategu mesfushor” i futbollit të Kosovës dhe më mbas “organizatori, përgjegjësi, kapiteni, madje jorrallë dhe trajneri i bashkëlojtarëve në fushë”, siç ka përcaktuar për të gazetari i shquar sportiv, Gani Ajeti, do të vinin kohëra edhe më paradoksale kur pjesëtari i atij 11-shi të 1942, Ramadan Vraniqi, mbas 25 vjetëve, më 14 maj 1967, do të mund të ndodhej në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” si pjesë e drejtuesve të Kombëtares së Jugosllavisë në ndeshjen kundër Shqipërisë për Kampionatin Europian! Natyrisht i detyruar edhe ai si shumë të tjerë prej bashkim-vëllazërimit. “….

gbgb

Është 14 maj i vitit 1967, – ka shkruar Gani Ajeti. – Ora 17:00. Stadiumi ‘Qemal Stafa’. Të dy përfaqësueset janë rreshtuar në mesin e fushës… Dëgjohen tingujt e himnit kombëtar… Emocionet nuk kanë fund as të ndalur. Sytë e Ramadanit vezullojnë nga mburrja dhe gëzimi. Është hera e parë që qëndrojmë gatitu para flamurit tonë…”.

Një vit më vonë, më 1968, Ramadan Vraniqi i ndeshjes së 1942-shit, bind sekretarin e Përgjithshëm të UEFA-s, Hans Bangerter, që Prishtina, Prizreni, Mitrovica, Peja, Gjakova mund t’i organizojnë ndeshjet e Grupit A të Kampionatit Europian të nën 18-vjeçarëve, duke flakur tej gjithë dyshimet e pakënaqësitë e Beogradit, sepse Kosova ishte, përveç të tjerave, edhe një tokë e pasur futbolli.

Natyrisht pa përmendur, se më 29 Nëntor 1942 në Tiranë ajo kishte themeluar Përfaqësuesen e saj… Figurë e mirënjohur e jetës politiko-shoqërore dhe kulturoro-sportive të Kosovës, ambasador i Jugosllavisë në Turqi, kryetar disavjeçar i Lidhjes Futbollistike të Kosovës, themelues i klubit “Liria” të Prizrenit, lojtar, kapiten, drejtues dhe trajner, kryetar i Komitetit Organizativ të Kampionatit Evropian të të Rinjve të UEFA-s (1968, Grupi B) zhvilluar në Kosovë.

Dhe, i cili, së bashku me shokët e tij, kishte themeluar në Tiranë Kosovën e futbollit më 1942. Ndërkaq, si në një fatalitet të politikës sa sportive aq edhe jo sportive, mû këtij Ramadan Vraniqi do t’i takonte të ishte njeri prej kryesuesve të delegacionit të Jugosllavisë në Lojërat Olimpike të Romës më 1960, ku ekipi jugosllav me Jusuf, Galic, Kostic Soskic, Takac me shokë fitoi titullin e Kampionit Olimpik. Shtatë vjet më vonë, Ramadan Vraniqi do të jetë pjesë e kreut drejtues të Jugosllavisë së Rajko Miticit në ndeshjen e saj me Shqipërinë, 0-2 më 1967 në Tiranë.

I ndodhte kjo një njeriu, një shqiptari të Kosovës, një ish-futbollisti po dhe kryetari të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili 25 vjet më parë me shokët e tij kishin themeluar Përfaqësuesen e Kosovës po në këtë Tiranë, vetëm treqind metra më larg prej këtij stadiumi, aty, te Fusha e Shallvares. Ramadan Vraniqi nuk mundi të përjetonte çastet e pashlyeshme të vitit 2002, kur në stadiumin piktoresk të Prishtinës, dy Përfaqësueset, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, dilnin në fushën e lojës para mizërisë së mijëra shikuesve të Prishtinës në Ndeshjen e Lirisë. Kishin pritur 60 vjet, qysh nga ndeshja themeluese e Tiranës më 1942. Nuk ia arriti. Ishte ndarë nga jeta në vitin 2000. Duke lënë emrin. Dhe jo vetëm ai…

vf
2017 I SHEKULLIT XXI: 39 FUTBOLLISTË TË KOSOVËS NË KOMBËTAREN E SHQIPËRISË! Rrënjët e themelimit të Kombëtares së Shqipërisë më 1936 dhe të themelimit të Përfaqësueses së Kosovës më 1942, sot duken që janë një. Sepse futbolli kurrë nuk është thjesht një lojë, bile as vetëm një sport. Është diçka më shumë. Është zemër, ndjenjë, atdhetari dhe kulturë kombëtare. E megjithatë, “Kombëtarja” apo Përfaqësuesja e Kosovës, pak ka qenë vëmendje e Jugosllavisë teksa Kombëtaret e Republikave të tjera jorrallë, qysh më 1945 më shpesh dilnin në fushën e lojës për një kampionat jugosllav ndërepublikan.

Por, siç kemi botuar dy vjet më parë në gazetën “Panorama Sport”, në prag të ndeshjes Jugosllavia–Shqipëria 4-0 të 12 Nëntorit 1967, në Prishtinë është zhvilluar ndeshja më e paprecedent që mund të mendohet, ajo Jugosllavia – Kosova, një 3-3 spektakolar. E këtu nuk do të zgjatemi. Por, gazetari i shquar i Kosovës, Azem Brovina – radiokronisti i madh, në librin e tij “1282 transmetime e komente në RTP & RTK” na ka befasuar kur na njeh suksesin e Përfaqësueses së Kosovës në Turneun Futbollistik “Vllazërim – Bashkim” më 1975 :

Kosova – Mali i Zi 2-0, Kosova – Bosnjë Hercegovina 2-1, Kosova – Sllovenia 2-0 dhe ndeshja finale Kosova – Maqedonia 1-0. Kur më parë Mali i Zi kishte eliminuar 2-0 Serbinë, Sllovenia 3-1 Kroacinë dhe Maqedonia 3-0 Vojvodinën. Me përjashtim të Vojvodinës – sot të gjitha janë shtete të pavaruna që me Kombëtaret e tyre marrin pjesë rregullisht në Kampionatet e Europës dhe të botës.

trhrwe

Për hir të së vërtetës historike duhet thënë se formacionet e Kosovës në këto ndeshje janë të mbushur me futbollistë të kombësive të tjera që jetonin në Kosovë. Dihet, mbas Brioneve Kosova kishte fituar jo pak, por “pushtimi” jugosllav ende vazhdonte. Historia do të përmbysej edhe për gjeopolitikën e futbollit po mbas rënies së Murit të Berlinit. Në Europë për Kosovën më vonë se të gjithë të tjerët. Ishte fati dramatik i kombit shqiptar. Liria e vetvetishme e futbollit të Kosovës do të vononte, pra. Disi papritmas do të shfaqej 19 qershori 1993, kur në Tiranë Seleksioni i Shqipërisë ndeshet me atë të Kosovës. Është 3-1.

Ishte Kosova e Beselicës, Berishës, Sadriut, Seferit, Llapashticës, Jerliut, Munishit, Ajetit, Sahitit, Hoxhës, Koznikut, Idrizit, Rafunës, Osmanit, Bejtes, Nushit. Ishte 51 vjet mbas ndeshjes themeluese Tirana – Kosova e 29 Nëntorit 1942. Largësitë po afroheshin edhe për shqiptarët e të dy anëve. Duke mbërritur me ndeshjen kulmore, atë të 6 shtatorit 2002 të Prishtinës: Kosova–Shqipëria 0-2. Dhe në të dy këto ndeshje spikat prania e një emri të madh të futbollit të Kosovës: Adrian Kozniku – i treti në botë me Kroacinë më Kupën e Botës 1998. Nuk do të ishte ky kulmi megjithatë. Janë dy kulme të tjerë.

Është pranimi i Kosovës në UEFA e FIFA. Është pjesëmarrja e saj në kualifikimet e Kupës së Botës. Dhe kulmi tjetër, ai më i fundit i shtrirë në gjithë këto vite 2000 të Shekullit XXI. Në të vërtetë me një sensacion të pashembullt: plot 39 djem të Kosovës në këto 24 vite 1998-2017 kanë veshur fanellën e Kombëtares së Shqipërisë! Një histori që fillon me portierin Arian Beqaj më 1998. Dhe me të deri më sot plot 39 futbollistë shqiptarë të Kosovës nën Kombëtaren e Shqipërisë. Për nderin e tyre dhe tonin po rreshtojmë emrat e tyre duke ruajtur rendin e ardhjes së tyre në Kombëtaren e Shqipërisë: Beqaj, Hasi, Dragusha, Cana, Dallku, Curri, Kastrati, Berisha, Rustemi, Ujkani, Januzi, Sallaj, Mavraj, Brahimi, E.Berisha, Kukeli, M.Basha, Rama, Abrashi, V.Basha, Gashi, Mehmeti, Lenjani, Aliti, Rrahamni, T.Xhaka, Ajeti, Shala, V.Rama, Fejzullahi, Djimsiti, Veseli, Rashica, Llullaku, Latifi, Grezda, Ahmedi, Ajdarevic, Qaka.

fdsbvrrw

Ky është një rast botëror. Ashtu siç është rast botëror edhe ndeshja e 29 Nëntorit 1942 e 75 vjetëve më parë. Edhe prej këtyre të 39-ve dolën ata që e çuan Shqipërinë në finale për herë të parë në finalet e një Kampionati të Europës. Ky qe kulminacioni tjetër i markës së shqiptarëve të Kosovës për Shqipërinë. E, për këtë ata patën një mik të madh: për çudinë e historisë, një Italian me emrin Gianni De Biasi, i cili besoj ndaj tyre më shumë se askush tjetër. Ky nuk është një paralelizëm me Kosovën e themeluar nën Italinë më 1942. Është thjesht një përkim, siç e pat plot trille të historisë së futbollit tonë të dy shekujve: atij XX dhe këtij XXI.

Dhe vetëm kaq. E pra, cila është e ardhmja e kësaj historie krejt të jashtëzakonshme për ne? Këtë nuk e marrim me mend, ndonëse prapë guxoj të them: përpara është një e ardhme plot shpresë e Kosovës dhe e Shqipërisë. Dhe jo vetëm në Kombëtaret e futbollit, në shumës. Ndonëse kombi shqiptar është i vetmi komb që ka dy Kombëtare të futbollit. Nuk mund ta harrojmë kurrë 29 Nëntorin e vitit 1942, më i veçanti në gjininë e vet midis tre 29 Nëntorëve me të cilët u përshkuam në këtë Dossier tonin… Siç kam premtuar me kohë, do të ritakohemi së bashku, por tashmâ në “Panorama Sport”, për një 50-vjetor, atë të Shqipëria – Gjermania 0-0 të 1967-tës, të vështruar krejt ndryshe nga deri më sot…
Fund

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"