75 vjet më parë themelohej në Tiranë “Kombëtarja” e Kosovës… (PJESA I)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2018 | 16:31

75 vjet më parë themelohej në Tiranë “Kombëtarja” e Kosovës… (PJESA I)

NJË VIT PARA 29 NËNTORIT TË JAJCËS SË AVNOJ-it Ky është një jubile që nuk mund të mos i kushtoheshim, madje me plot të reja. Sigurisht, nuk është hera e parë që shkruaj për themelimin e Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Dhe jo vetëm në një kapitull të tejet të shkurtër të librit tim të vitit 2004, “Historia e Kampionateve të Shqipërisë” (vitet 1939-‘42).

E vërteta është se ky themelim aty ka qenë, pavarësisht nga trajtimi i errët e thjesht kronikal, disi si një episod i shpejtë i asokohe. Më 29 Nëntor 2017 u bënë plot 75 vjet të themelimit të Kosovës parësore të futbollit: Tiranë. 29 Nëntor 1942! Një themelim që, sa duket sportiv, po aq është edhe politik, gjeopolitik madje, shoqëror e kulturor po e po, që vetvetiu na çon te jeta shqiptare e kohës së luftës me të cilën historiografia shqiptare merret shumë pak.

Dhe gjithnjë duke u gozhduar te formimi i PKSH, i Luftës Nacionalçlirimtare, i formimit të Brigadës së parë, te kuislingët, te Çlirimi. Dhe shumë pak si ka qenë ajo jetë, si ka jetuar ai popull, si ka qenë pra ditët, muajt e jetës shqiptare të asokohe. Në kërkesat e këtij vështrimi jam përpjekur ta trajtoj edhe këtë Dossier pak a shumë të një historie universale të fragmenteve të jetës shqiptare, aq pak e njohur sidomos prej brezit të ri.

E lashë këtë Dossier që të kalonin disa kohë mbas ditës përkatëse të 29 Nëntorit 2017, që të heshtte sadopak zhurma e përvitshme, gjithnjë e më monotone – çka edhe një herë tregon indroktrinimin e pashembullt dhe varfërinë tematike, sidomos të historianëve të palës tjetër, që kujtojnë se marrin një njollë partiake e të karrierës së tyre, nëse pranojnë 28 Nëntorin si datë të çlirimit, atë që Enver Hoxha e pat sanksionuar fjalë për fjalë në mitingun çlirimtar para hotel “Dajtit” të 28 nëntorit 1944, kur ai deklaroi: “Në çdo 28 Nëndor është derdhur gjak i bijve heroikë që përlesheshin me bajonetat e okupatorit e të tradhëtorëve.

cv c

Dita e flamurit, u bë dita dy herë e shejtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar”. (Siç – Enver Hoxha – Nga fjala e mbajtur ditën e 28 Nëndorit 1944). Më duhet ta falënderoj Enverin, teksa në fjalën, të cilën drejtshkrimi i sotëm i thotë “Nëntor”, ai bën një bashkim gjuhësor tejet interesant midis tosknishtes dhe gegnishtes, teksa i thotë “Nëndor”. jo me “t”, por me “d”, pra. Kaq për këtë temë fort të konsumuar, pa dashur që më tej të futem edhe në nja dy dokumente autentikë që, për fat, i zotëroj edhe unë, për të vërtetuar edhe në këtë rast, mû këtë.

Dhe ja pra që ka edhe një 29 Nëntor tjetër, që për çudinë më të madhe i bie të jetë pikërisht një 29 Nëntor i kohës së luftës. Është 29 Nëntori 1942, ditë kur në Tiranë krejt papritmas themelohet “Kombëtarja” – Përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Dhe jemi mû në ditët e plota të jubileut të 75-vjetorit të këtij themelimi krejt të jashtëzakonshëm.

Ky është 29 Nëntori i parë prej tre “29 Nëntorëve” që aq fort kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë e të Kosovës. 29 Nëntori i parë është sa sportiv, aq dhe gjeopolitik, sa shoqëror, aq dhe “strategjik” për sa i përket jo vetëm politikës, por edhe vetë kulturës kombëtare. I jashtëzakonshëm, sepse është një themelim që bëhet në Tiranë, më 29 nëntor 1942, plot 1 vit para 29 Nëntorit 1943 të Jajcës së Jugosllavisë së re të Josip Broz Titos që po lindte, ditës së Asamblesë së Dytë të AVNOJ-it (“Antifašistièko Vijeèe Narodnog Oslobodjenja Jugoslavije” – “Asambleja Antifashiste Nacional Çlirimtare e Jugosllavisë”).

Asambleja apo Mbledhja që “me unanimitet, duartrokitje e pa diskutime”, siç thotë një historian i shquar italo-sloven Jože Pirjevec (lindur Giuseppe Pierazzi) – libra të të cilit kanë një vend të nderuar edhe në bibliotekën time vetjake – teksa e përcakton AVNOJ-in e Jajcës si: “formim të Jugosllavisë federale e republikane – natyrisht me atribute krejtësisht të tjera – por në mënyrë mjaft të ngjashme me atë të Karagjorgjevicve”.

bfgbg

Ose siç, shton më tej ai, në këtë AVNOJ të Dytë Tito proklamoi “përfaqësimin suprem të sovranitetit të popujve dhe Shtetit të Jugosllavisë unitare”. Duke u paraprirë e gjitha kjo deri dhe me rrênën e bujshme të Titos, i cili, në fjalën e tij përuruese, deklaron pa pikë zori se nuk është e vërtetë që Lufta Nacionalçlirimtare “qenka një zhvillim komunist që synon bolshevizimin e Shtetit dhe që kërkon të sjellë në pushtet komunistët”! Gjithnjë e më fort po e merrnin fuqinë edhe këtu mashtrimet e mëdha. Dhe janë vërtet fantastike dy telegrame, ai i Molotovit, “i cili thoshte afërsisht se ne, me vendimet tona në Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it, i patëm ngulur thikën në shpinë Bashkimit Sovjetik”; ndërsa telegrami i dytë, është ai i Churchillit, ku “ai natyrisht nuk i aprovoi vendimet e Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it”, siç i thotë këto në kujtimet e tij protagonisti i madh i Jugosllavisë Komuniste, Edvard Kardel-i. Ndërkaq, në Shqipërinë e pushtuar nga Italia fashiste, 12 muaj para Jajcës – çka, edhe pse pa u marrë assesi me të, sanksiononte mbajtjen e Kosovës nën Jugosllavi – në Tiranë të Shqipërisë pra, ndonëse ishte një kulm i Luftës së Dytë Botërore, plot hare e gëzim dilte në fushën e lojës së futbollit për herë të parë në histori, Përfaqësuesja e Kosovës!

Të duket si të jemi në një film të fantashkencës gjeopolitiko–olimpiko–futbollistike, nëse mund të përcaktonim kështu.. Përfitova pra, prej këtij shkrimi, që të merresha pak edhe me Jajcën, sepse të vjen keq që edhe intelektualë të Shqipërisë ende të thonë se 29 Nëntori ynë ka të bëjë me 29 Nëntorin e çlirimit të Jugosllavisë. Kur dihet se 29 Nëntori i Jajcës nuk është dita e çlirimit të Jugosllavisë, por u bë festa kombëtare e Jugosllavisë së Titos ngaqë më 29 Nëntor 1943 pra ajo proklamoi ndërtimin e Jugosllavisë Komuniste.

E imituar prej komunistëve shqiptarë në 24 majin 1944 të Kongresit të Përmetit, datë që u përjetua përmbi 40 vjet e stampuar në stemën e Republikës sonë. E, më mbas, 29 Nëntori – festë kombëtare për të dy: Jugosllavinë dhe Shqipërinë. Ndërkaq, nuk duhet harruar pra se Jajca e vitit 1943 e pat injoruar Kosovën.

Askush prej të sajëve nuk qe aty. Profesori i shquar Vehap Shita në librin e tij kushtuar jetës dhe veprimtarisë të të paharrueshmit profesor Zekirja Rexha, ka pohuar se në Jajcë “për Kosovën nuk ishte folur asnjë fjalë”… dhe për atje “ishte nisur pikërisht Zekirja Rexha”, i cili “nuk arriti kurrë” në Jajce, ndonëse “duke udhëtuar nëpër shkrepa e male”. Kishte mbërritur deri në Malin e Zi. Kosova qe bashkuar me Shqipërinë… nën pushtim.

Dhe mû nën pushtim do të krijonte në Tiranën e Shqipërisë edhe Përfaqësuesen e saj të futbollit. Ndërkohë, Partia Komuniste e Jugosllavisë nuk rrinte duarkryq, teksa organizonte partizanerinë kosovare në luftë kundër pushtuesit fashisto– nazist. Për të mbërritur në fund të luftës me “9 brigada kosovare me 50.000 njerëz”, siç ka shkruar Fadil Hoxha! E pabesueshme!…

vcv

Por, më 29 Nëntor 1942 ishin ende herët për të mbërritur te 50.000 partizanët kosovarë të fillimit të vitit 1945. Më 1942 luhej futboll. Sidomos në Shqipëri. Madje në Shqipëri u luajt futboll deri në gushtin, shtatorin a tetorin e vitit 1944, ku ndeshjet me skuadrat e improvizuara të Wehrmahtit – e në to kishte edhe lojtarë të Kampionatit gjerman – mbushnin në mijëra njerëz rrethin e Fushës së Shallvares. Edhe këto janë të vërteta historie. Nuk i dinë apo bëjnë sikur nuk i dinë?… Siç kam shkruar diku më herët, dëshiroj të thyej një heshtje me këtë tregim historie, pa ndikimet apo paragjykimet e partizanerisë fanatike apo të historianëve politikë, që ende kërkojnë që, me periudhën e Luftës së Dytë Botërore, ku edhe populli shqiptar me ndjenjë të lartë atdhetare rrëmbeu pushkën për liri, të spekulojnë midis të pavërtetave dhe të vërtetave për hir të një interesi tejet të ngushtë që të çon te një monopolizim i papamë aksionesh e ngjarjesh, dukurish dhe kundërshtinash, spekulimesh apo falsifikimesh, e deri te një egoizëm i pangjashëm partiak. Ky tregim kronikal sa sportiv, aq dhe historik e gjeopolitik, natyrisht nuk njeh ndikimin e atyre, të cilët një koleg i huaj, autor i disa librave të vlefshëm rreth të vërtetave të Luftës së Dytë, Gianpaolo Pansa, me të drejtë, i quan “xhandarët e kujtesës”.

KOSOVA NË KAMPIONATIN MBARËKOMBËTAR Kur kemi nderuar me çmimin “Anton Mazreku” njërin prej gazetarëve sportivë më të shquar të Kosovës, të paharrueshmin Veli Vraniqi, papritmas do të shkoja paksa edhe te vëllai i tij Ramadan Vraniqi, partizan i vjetër, njeri i politikës kosovare dhe me role qeverisëse të Mbasluftës. E kisha “takuar” në një foto sportive të nxënësve të Normales së Prishtinës të viteve të Luftës së bashku me njeriu tim, mësuesin e tyre Feti Dizdari, për mua “axha Feti” i shtrenjtë, përveç të tjerave, figurë e madhe e arsimit dhe sportit shqiptar, atlet rekordmen i Paraluftës dhe pa dyshim trajneri më i madh i këtij sporti për vajzat në Shqipëri – shkollë e kampioneve e rekordmeneve të pafund.

E vështroja Ramadan Vraniqin e ri me kostumin sportiv së bashku me mësuesin e tij të sipërpërmendur në një fotografi ku ishin gjashtë nxënësit Hasan Kaleshi, Xheladin Softa, Fuad Grapci, Ramadan Vraniqi, Hamit Thaçi dhe Nijazi Deva. Gjithë mjegullën më në fund do të ma qartësonte familja e Veli Vraniqit, më saktë bija e tij, studentja Lydra Vraniqi, e cila, kur u takuam, më premtoi se do të më sillte librin e sapobotuar kushtuar xhaxhait të saj të ndarë nga jeta në vitin 2000. E libri mbërriti në duart e mia. Kjo e bënte edhe më tepër Ramadan Vraniqin personazhin tim të Kampionateve të Luftës. Tash me emër e mbiemër.

Që më qartësonte edhe më fort vetë themelimin e Përfaqësueses së Kosovës 75 e më vjet të shkuara, për çka ai kishte qenë protagonist. Mbi të gjitha, për të kuptuar më mirë mjedisin futbollistik të Kosovës së asokohe. Edhe nga libri del se organizimi i veprimtarisë sportive në këtë kohë në Kosovë – frymëzuar dhe organizuar nga Ministri i Tokave të Lirueme, Eqrem Bej Vlora – është pa dyshim edhe në duart e italianëve.

Ndërkaq, lëvizja për rezistencë kundër fashistëve ishte në rend të ditës edhe në Kosovë. Rindërtimi i skuadrave të futbollit del kësisoj, se ndeshë në një mëdyshje. Kampioni i mirënjohur i viteve ’30të Sportklub Tiranës, Skender Gjinali, i rikthyer asokohe në Kosovën e tij, tregon se ka qenë pikërisht Ramadan Vraniqi një nga mbështetësit e krijimit të klubeve të futbollit. Gjinali shkruan se ishte pikërisht Vraniqi ai që mbështeti këtë organizim, duke thënë se, nëpërmjet futbollit, fshihej veprimtaria e rinisë kosovare kundër fashistëve.

fvfv

Kështu apo ndryshe, e vërteta tregon se skuadrat kosovare, ku sidomos Prizreni ishte forcë e parë, u krijuan, luajtën dhe mbërritën deri te themelimi i Përfaqësueses së Kosovës. Ato morën pjesë në Kampionatin Mbarëkombëtar të Shqipërisë 1942 dhe ka qenë pikërisht ky Kampionat që, 75 vjet më parë, na çoi te themelimi i jashtëzakonshëm, historik i Përfaqësueses së Kosovës pikërisht më 1942. Skender Gjinali, Mazllum Xërxa, Ramadan Vraniqi, Bezat Shporta, Sezai Gota, Sezai Surroi, Reshat Isa janë protagonistë, ndonëse nuk arrij të kuptoj përse disa prej këtyre, nuk u gjenden mandej në ndeshjen e madhe të Shallvares nën fanellën e Kosovës.

Dihej, që pesë shqiptarë të Kosovës, futbollistë ndër më të mëdhenjtë e kohës, ishin përshkuar në Kampionatet e Shqipërisë të viteve ’30: Riza Lushta e Naim Kryeziu, Skender Gjinali, Mazllum Xërxa, Fisnik Xhara. Dy të parët origjinarë të Sportklub Tiranës, tre të dytët me Vllazninë e Shkodrës. Ndërsa Gjinali, përveçse edhe me Besën e Kavajës, është gjithashtu titullar i Sportklubit, madje Kampion i Shqipërisë me të më 1936, por dhe i Vllaznisë. Më duhet të kujtoj edhe një herë se tre prej tyre, Riza Lushta, Naim Kryeziu dhe Mazllum Xërxa janë pjesë e 11-shit themelues të Kombëtares së Shqipërisë më 5 mars 1936, ditë kur ajo doli për herë të parë në fushën e blertë nën drejtimin e hungarezit Samo Singer.

Nuk ka dyshim se është Kampionati Kombëtar i vitit 1942 ai që na çon te themelimi i Përfaqësueses së Kosovës. Në këtë kampionat marrin pjesë edhe tri skuadrat nga Kosova, Prizreni, Prishtina e Peja. Dhe, çuditërisht, mungon Gjakova! Në të vërtetë, veprimi ka karakter administrativo-politik. Ndonëse më 1942, Gjakova ka popullsi më të madhe se Peja e Prizreni, ajo ishte përcaktuar nga ana juridike si Nënprefekturë e klasit III të Shqipërisë së Bashkuar, siç quhej, dhe këto nënprefektura nuk mund të merrnin pjesë në “Kampionatin e top-kambës”, siç shkruhet.

Më duket me shumë kuptim ky pasazh i shtypit të kohës të cilin po e paraqes fjalë për fjalë: “Ata që merren me drejtimin e Sportit, duhet t’ishin informue mirë para se me caktue qytetet e Kosovës që do të merrshin pjesë në kampionat. Qyteti i Gjakovës, si në çdo fushë tjetër veprimi (ata që e njofin Kosovën, e dijnë mirë se ç’peshë ka çue Gjakova në Historinë Kombëtare), në kohënat e përparëshme ka qenë kampjone edhe në sport.

Për me provue se ishte ba një padrejtësi sportive, skuadra e Gjakovës, e ekipueme, e veshun, e mbathun me lekun e popullit dhe të zyrtarëve të Gjakovës, pa asnjë fond të caktuem nga “Qendra për Sport”, fton në tri ndeshje miqësore, gjatë muajit gusht, qytetet që kanë marrë pjesë në kampionat. Ndeshja e parë bahet në Pejë, në fitim të Gjakovës. Në ndeshjen e dytë vjen Prizreni në Gjakovë dhe mundet. Në të tretën ndeshje Gjakova ban lojën në Prizren me datë 30-VIII-42…”

cv c
Ndeshja e madhe, një “derby” – premierë për futbollin e Kosovës, ka nisur në orën 17:30 minuta të 30 gushtit 1942 dhe spektatorët tashma janë të barabartë, sa prizrenas aq dhe gjakovarë! Skeda e ndeshjes është kjo: PRIZRENI – GJAKOVA 02PRIZRENI – GJAKOVA 0-2 PRIZRENI: Shahini, Mazllumi (Grushti), Sinani, Shporta, Mehmeti, Islami, Sala, Kabashi, Rama, Xhemajli, Gota. GJAKOVA: Luzha I, Zajmi I, Zajmi II, Lleshi II, Naça, Zanuni, Hadri, Xharra, Dylatahu, Lleshi I, Luzha II. GOLAT: Dylatahu 84’, Hadri 87’GOLAT: Dylatahu 84’, Hadri 87’ “Rrallë herë, – lexoj në reportazhin autentik të ndeshjes, analet e Sportit Shqiptar kanë regjistrue lojë ma të rrebtë e ma të shkathët se këte. Të dyja skuadrat kundërshtare luftojnë me tërbim.

Prizreni don me e mbajtë epërsinë. Gjakova ia konteston, don me ia grabitë nga duert, me çdo kusht”. Përfundimisht 2-0 për Gjakovën në këtë ndeshje të paharrueshme, historike të një feste madje, të paparë futbolli. Futbolli i Kosovës kishte marrë udhë për formime edhe më të vyeshme. Prej këtu do të lindte themelimi historik i Përfaqësueses së Kosovës.

Po më parë mbërrin “revanshi” i Prizrenit… Dhe, papritmas, njoftohet se pritej të mbërrinte edhe një herë Shkodra në Prizren. Ndeshja ka vend në orën 17:00 të 13 shtatorit 1942 para rreth 2000 shikuesve, çka për kohën është krejt e jashtëzakonshme! Midis personaliteteve të pranishëm në ndeshje, spikat Gjeneral D’Arle, Komandant i Divizionit të Puglia-s, që në Kosovë kishte marrë famën e një pasionanti të madh të ndeshjeve sportive. Gjyqtari italian Villa, i cili njëkohësisht është një ushtarak i xhenjos, thërret në fushën e lojës skuadrat dhe ndeshja që ka këtë pamje skeduese:

csxcx
PRIZRENI – SHKODRA 2-1 PRIZRENI: Riello; Ismaili, Zaimi; Shporta, Xharra, Xhaferi; Gota, Vraniqi, Gjinali, Vehbiu, Osmani. SHKODRA: Nuti; Laçej, Dibra; Alibali, Ademi, Pelingu; Nehani, Halepiani, Abdija, Osmani, Berisha. GOLAT: Gjinali 15′, Osmani (P) 28′. GJYQTAR: Giogio Villa (Italia).
Prizreni është përforcuar me të famshmin Skender Gjinalin, dikur lojtar i Shkodrës dhe minuta e 15-të ka protagonist pikërisht atë, teksa po ai përcakton fatin e ndeshjes me golin e tij. E me Gjakovën është dhe lojtari tjetër më parë i Shkodrës, Fisnik Xharra. Së bashku me Ramadan Vraniqin ata janë ndër më të mirët.

Dhe 2-1 përfundimtar për Prizrenin! Fusha e Prizrenit shpërthen prej gëzimit të tifozëve vendës. Shkodra dorëzohet përsëri në Prizren ashtu si tre muaj parë, më 21 qershor 1942, kur në ndeshjen e madhe të kampionatit ishte përkulë 1-3. Muhamet Dibra, Latif Alibali, Isuf Pelinku, Beqo Osmani me shokë, të cilët, mbas tre vjetëve, do të shpallen Kampionë të Shqipërisë së Mbasluftës, ndërsa Dibra – Kampion i Ballkanit, janë të detyruar të njohin epërsinë prizrenase përballë tyre. Ata do ta kishin revanshin shumë vonë, mbas tre vjetëve, më 1945, kur në turneun e tyre të paharrueshëm për herë të fundit në Kosovë, do të fitonin 3-0 kundër Prizrenit mbasi kishin dhënë shfaqjen 6-0 në Prishtinë me skuadrën me të njëjtin emër! Ajo ishte Shkodra e Loro Boriçit…

Capture
Dhe ja një digresion. Te kujtimet e Fadil Hoxhës, botuar tash së fundi, ka një foto të bukur, që ka lidhje me këtë prani të Vllaznisë në Prishtinë. Është Vllaznia 1945 në Prishtinë. Me një gabim tjetërsimi: Dixhitura thotë se në foto janë rinia antifashiste e Shqipërisë dhe e Kosovës duke vënë kurorë lulesh në Kampin nazist të përqendrimit në Prishtinë. Në të vërtetë, është Vllaznia e futbollit. Dodë Tahiri, Beqir Osmani, Mustafa Nehani, Ibrahim Dizdari, Rifat Rusi, Muc Koxhja, Fahri Fani, Xhelal Juka, Prengë Gjeloshi, Ernest Halepiani, Muhamet Dibra, Lutfi Hoxha. Shefqet Puka, Adem Smajli… Shumica, bashkëlojtarë me shokët e tyre të skuadrave të Kosovës në Kampionatet e Luftës, që kishin themeluar Përfaqësuesen e Kosovës.

Askush nuk mund të shpëtojë prej gabimeve të shtypit. Puna është me i ndreqë gabimet. Rasti i kësaj fotoje, sigurisht nuk vlen as për autorin e këtushëm dhe aq më pak për botuesit e Kosovës. Vlen vetëm për të pandershmit e shkrimeve gjoja historike.

Dhe këtë nuk e them kot… Vllaznia 1945 do të kthehet në Shqipëri, pa i shkuar ndër mend asnjerit se Kosovën do ta shkelnin vetëm mbas nja katër dekadash! Ishte ndalesa e madhe, thuajse shekullore, midis Kosovës e Shqipërisë, të cilën as fashizmi nuk e bëri. E, kohët e fundit, një klub i Kosovës është emërtuar me emrin “Vllaznia”. Është Vllaznia e Pozheranit – debutuesja e Kampionatit të parë Kombëtar të Kosovës 2017-18…

bhggh
KRYEMINISTRI MUSTAFA KRUJA PERURON “RADIO KOSOVEN”. .. Dhe pikërisht në ditët e qershorit 1942, kur po përfundonte Kampionati Mbarëkombëtar, në Prishtinë shkon për vizitë kryeministri Mustafa Kruja. Saktësisht, më 27 qershor 1942 dhe pikërisht në ditën e ndeshjes së fundit të Kampionatit, që i jep titullin Sportklub Tiranës mbas dy ndeshjeve (27 e 29 qershor) 2-1 e 1-1 ndaj Prizrenit.

Mustafa Merlika Kruja e ka vizituar, pra, Kosovën më 27 qershor 1942. I shoqëruar prej protagonistit të madh të ngjarjes sonë, Ekrem bej Vlorës, ministër i Tokave të Lirueme, siç ishte emërtimi i zyrtar germë për germë, si dhe prej ministrit të Punëve Botërore, Iljaz Agushi, kryeministri shqiptar mbërrin në aeroportin e Prishtinës me avion, në të vërtet janë dy avionë tremotorësh, mbas një udhëtimi, që asokohe zgjati 1 orë e 30 minuta.

Kruja ndodhej në avionin e tij, ndërsa dy ministrat në avionin tjetër, të shoqëruar me gazetarë, fotografë dhe stenografë! Ai ishte i pari kryeministër shqiptar, që shkelte tokën shqiptare të Kosovës në jetë të jetëve. Dhe “përshëndetja që i blatoi Prishtina, ishte e flaktë”, siç thotë kronikani i kohës. Në aeroport e presin një grup i tanë autoritetesh, të prirë prej prefektit Riza Drini dhe kryetarit të Bashkisë së Prishtinës, Hysen Prishtina. Në 12 kilometra të tanë nga aeroporti deri në qendër të qytetit, qindra e qindra shqiptarë të Kosovës përshëndesin kryeministrin, që kalon përmes tyre në të dy anët e tokave, apo “të fuqisë së madhe prodhimtare të Kosovës kreshnike, ai popull që s’ka lanë asnji pëllëmbë tokë të papunueme”.

Është kuptimplotë për synimin e tregimit tonë, kur mëson se përshëndetja e parë e korteut të gjatë të veturave në të hymë të Prishtinës, “iu dha pjesëtarëve të Qeverisë nga nji radhim i gjatë i djelmnisë sportive të Prishtinës”. Dhe mbas pak, aty, tek ai që quhej “Sheshi Skanderbeg”, mû në zemër të Prishtinës, flet shkëlqesa Kruja. Një fragment i fjalës së tij, përzgjedhur prej meje në të folmen autentike të kryeministrit, është ky: “Kosovarë! Mirëse u gjeta! Asht e dyta herë në jetë t’eme qi kam gzimin e madh, gzimin e pa shoq e pa masë me e vizitue Kosovën.

E kam vizitue për të parën herë, plot tridhetë vjet para ksaj dite. Ishte qershori i vjetit 1912. Shqypnija mbarë ishte çue më kambë me kërkue të drejtat e veta kombtare të grabituna e të shkeluna për mo se katërqind vjet. Shqypnija donte lirinë e vet. E kush kje atëherë pararoja e Revolucjonit Shqyptar? Kush kjenë trimat qi e dërmuen ushtrinë anmike dhe e banë me ra në gjuj e me lypun paqë? Kosovarët. Kah Kosova ishin drejtue sytë e tonë Kombit. Prej Kosove pritej shpëtimi, lirija e tij. Fati i Shqyptaris po dahej në Shkup.

Edhe Kruja e Skanderbegit kishte çue n’atë Kuvend burrash përfaqësuesin e vet. Por shka bamë atje? Kurgjo. Fitues në fushë të luftës me gjakun e derdhun prej popullit, dolme të mujtun në tavolinë. E pse? Këto ka për t’a thonë historija. por nji gjo asht e sigurtë.

T’i kishim pasë da hesapet me Tyrkin qysh në Qershorin e 1912-s, t’i kishim pas da me to kufijtë e Shqypnis me katër vilajetet t’ona, të kishim pasë ngrehë flamurin t’onë në Shkup e në Manastir, në Janinë e në Shkodër, para se t’u lidhshin anmiqtë t’onë balkanikë tue na njehë si pjesë të Tyrkis, ndryshe do t’ishte konë da fati i Atdheut t’onë.” Një kuintesencë e paqortueshme e një gjykimi historik.

Të njëjtat skena përsëriten edhe në mitingjet në Ferizaj e Gjilan, për të mbërritur më 29 qershor te përurimi i “Radio Kosovës”. Është një vizitë që përshkohet në spitalin e vendit, në Shkollën Normale të Prishtinës dhe që kulmon me përurimin e Stacionit të “Radios Kosova”, 27 qershor 1942 – një tjetër datë historike për jetën kulturore dhe të botës së komunikimit për Kosovën. Kësisoj, në këtë vit, 2017, qenkemi edhe në 75-vjetorin e themelimit të “Radio Kosovës”.. E nuk e dimë nëse dikush në Prishtinë do të jetë kujtuar për këtë. Mirëpo, kujtesa historike është tejet e shkurtër si në Shqipëri e po ashtu edhe në Kosovë…

E përuron më 29 qershor 1942 me fjalën e tij, kryeministri Mustafa Kruja, i cili, përveç politikanit, ushtroi plot pasion edhe njeriun e kulturës, studiuesin dhe madje, shkencëtarin e gjuhës shqipe. Dhe thotë: “Radio nuk asht një gja që i përket trupit, por shpirtit, e jo shpirtit të një njeriu, por shpirtit të Kombit. Duhet me u ndigjue në botë zani i Kosovës, zani i Kosovës shqiptare, zani i Kosovës ilire, i Kosovës kreshnike… Jam kryenaltë qi tue pëurue këte stacjon, po më takon mue të parit me e dhanë këte za nëpër valët qellore prej ksaj vegle të mrekullueshme qi ka sajue gjenija e nji italjani të madh, Guljeljm Marconit.”

Natyrisht, nuk harrojmë që këto janë fjalimet e kryeministrit nën pushtim, po dhe nën bashkimin Shqipëri–Kosovë. Dhe merret me mend, që nuk mund t’iu shpëtonin lavdeve për Italinë fashiste. Qoftë në fjalimet e jashtëzakonshme të pritjeve të rralla, gati të papërshkrueshme, në Ferizaj, në Gjilan e Prishtinë. As që mund të mendohej ndryshe në atë kohë të udhëkryqeve të mëdha shqiptare e europiane.

Ndonëse të theksuara në të rrallë dhe shkurt, pa ditirambet që aq të papërmbajtshme do të bëheshin për “pushtuesit” e rinj të Shqipërisë së mbasluftës. Kjo ishte në stilin e kryeministrit Mustafa Kruja, i cili assesi nuk mund t’i shpëtojë gjykimit të historisë për këto vite kundërshtuese dhe të habitshme, në të cilat përshkohej edhe Shqipëria e viteve të Luftës së Dytë Botërore.

“Zoti m’a ka falë jetën e, qoftë lëvdue, bashkë me tê, edhe shëndeten, por në të njâjtën kohë më ka edhe ndëshkue tue më lane gjallë në shkreti!”, do të shkruante ai pesë vjet më vonë, maj 1947, nga Bolzano e Italisë.. Por atë 1942, ishte një Shqipëri vërtet e rrallënë gjithë këto “kundërthënie” të pamëshirshme të historisë. E, ajo do të guxonte të kërkonte edhe sportin, edhe futbollin.

vxc vc

FESTIMI MADHËSHTOR I 30-VJETORIT TË PAVARËSISË DHE NJË “28 NËNTOR” I SHNDËRRUAR NË “29 NËNTOR”. Në mënyrën më befasuese, Italia i bën një festim të bujshëm 30-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1942.

Është një program impresionues. Festime që nisin në orën 8 të mëngjesit të 28 nëntorit 1942 dhe që pa ndalur, përfundojnë përtej orës 22:00 të mbrëmjes. Të shtieme topash, ceremoni fetare në xhami e kisha, paradë ushtarake, ngritje e flamurit në Sheshin “Skënderbej”, manifestim popullor po në këtë shesh, përshëndetje e kryeministrit në “Radio Tirana”, pagëzim të shkollave në gjithë Shqipërinë me emra atdhetarësh, shfaqje madhështore në teatrin “Savoia”, organizuar nga Ministria e Kulturës Popullore.

Po në këtë skemë, edhe festimet në qytete të tjera, të cilat mbyllen mbasdite me shfaqje sportive. Jemi në vitin 1942, kur revolta shqiptare kundër pushtimit fashist sa vjen e rritet, por ajo ende nuk ka një shpërthim të mirëfilltë. Nga ana e jashtme, gjithçka të duket si një jetë më se normale, ndonëse nuk mund të thuhet se është plotësisht kështu. Ky vit, që përkonte me 30-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, do të shfrytëzohej me dinakëri nga pushtuesi fashist edhe për të vërtetuar se ky nuk ishte një pushtim, por thjesht një bashkim.

Mbërrijmë kështu në një episod krejt të pazakontë: Ministri i Jashtëm i Italisë, Conte Galeazzo Ciano, shndërrohet në editorialist i gazetës “Tomori”, të numrit të 28 nëntorit. Editoriali i tij mban titullin “28 Nanduer” dhe i kushtohet mû 30-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Duket një absurd i tanë! Shkruan Ciano:

“Më 28 Nanduer 1912, Shqipëria zgjohet nga nji gjumë shekujsh… Populli shqiptar fis autokton asht në formimin e vet kulturuer i ngjitun me Romën nga lidhje të fuqishme. Bashkimi mbështetet kështu, mbi dy shtylla të patrandshme: ndiesije dhe interesi politik.” Dhe teksa Ciano me fjalët e fundit bën mirë edhe diplomatin e rreptë, nëse mund të përcaktonim kështu – atë që Italia fashiste e quante “bashkim”, jo pushtim paradoksalisht shqiptarët përjetonin nën këtë “pushtimbashkim”, edhe një bashkim tjetër, atë Shqipëri – Kosovë.

Po, ndërkohë, edhe Duce në telegramin e tij dërguar kryeministrit Mustafa Merlika Kruja, nuk shkon më tej asaj çka thotë dhëndri i tij, Ciano: “Festimi i tridhjetë vjetorit të pavarësisë shqiptare, që na gjen në luftën për lirinë e popujve, asht ma kuptimplotë se çdo herë tjetër”, thotë Mussolini në telegramin e tij, që “Tomori” e vë lart, në krye të faqes së parë.

Dhe duam apo s’duam ne, festimet për 30vjetorin e Pavarësisë në atë vit të çuditshëm 1942, ku është përfshirë në mënyrë sensacionale edhe futbolli, janë zhvilluar, përjetuar, organizuar në mënyrën më të përsosur të mundshme. Italia dhe personalisht Conte Ciano, i deziluzionuar për pasojat antiitaliane që vinin edhe prej shumë ngjarjeve e dukurive të mëparshme të tyre, kërkon të qetësojë zemra shqiptarësh. Tash, Tirana priste shfaqjen e saj të fundit të këtij 30-vjetori, që do ta kishte të tërën sportive, madje, krejt origjinale.

E nesërmja e 29 nëntorit 1942 është ditë e diel, e, si një zgjatje e festimeve, ajo lihet kështu për ndeshjen e madhe e futbollit. Kjo ishte ajo, diçka tjetër, siç kishte thënë mendja e ndritur e Ekrem bej Vlorës, Ministrit të Tokave të Lirueme, një universal i madh i kulturës kombëtare, po aq sa dhe i politikës, i cili qysh në rininë e tij të parë, ishte përshkuar në një jetë e kulturore e sportive në shkollat e Perandorisë Austro-hungareze.

Po bashkonte Shqipërinë me Kosovën edhe në futboll. I kishte sjellë Kampionatit Kombëtar edhe tri skuadra të Kosovës mû në vitin jubilar të 30-vjetorit të Pavarësisë. Ndërsa këtë të diel të 29 nëntorit 1942 po i sillte ndeshjen unikale…

Nga:Besnik Dizdari Pjesa I 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"