721 minuta pa pësuar, një gol i prish rekordin portierit Sherri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2018 | 12:30

721 minuta pa pësuar, një gol i prish rekordin portierit Sherri

Vllaznia ka fituar përballjen me Vorën me shifrat 3-1, por ky rezultat duket se nuk i ka gëzuar të gjithë. Gardiani i portës, Alen Sherri, ka dalë i mërzitur nga kjo sfidë, pasi pas 721 minutave pa pësuar gol, ai ndëshkohet pikërisht kur të gjithë prisnin vërshëllimën e fundit të takimit.

Vllaznia

Kjo, me sa duket, e ka bërë më të madhe mërzitjen e tij. “Të them të drejtën jam mërzitur për vetë mënyrën sesi e pësuam këtë gol. Normale që të vjen keq që nuk dolëm përsëri pa pësuar gol, pasi mendoj se duhet të mos pësonim. Nuk u rrezikuam asnjëherë, por gabuam vetë.

45285481_1934112123332471_7644493152052576256_n

Shumëkush mendoi se mërzia ime ishte se kërkoja të thyeja rekord në paprekshmërinë e portës. Këtë nuk e kam menduar në ato momente që u pësua goli, por vetëm për arsyen pse e morëm golin në ato momente. Dëshira ime është që në Superiore me ekipin e Vllaznisë të thyej rekorde të paprekshmërisë së portës. Këtu mendoj se porta do të na preket rrallë, të paktën me atë që kam parë në fushë”, u shpreh fillimisht portieri Sherri në prononcimin e tij.

Alen Sherri

VAZHDIMËSIA

Për gardianin e portës shkodrane, vazhdimësia nuk do të jetë e lehtë, ashtu siç edhe kaluan këto tetë javë. Sipas tij, lufta do të bëhet e fortë për çdo skuadër. Objektivat që ato kanë, do të bëjnë që edhe ndaj Vllaznisë, çdonjëra nga skuadrat të kërkojë që të marrë maksimumin. “Nuk e vë në dyshim që takimet në vazhdim do të jenë më të vështira për ekipin tonë. Disa skuadra kërkojnë që të na zënë vendin, ndërsa disa do të kërkojnë mbijetesën, prandaj lufta do të jetë më e fortë. Gjithsesi, kjo nuk do të na pengojë që të arrijmë objektivin që kemi, kthimin në Superiore”, vijoi ai në prononcimin e tij për gazetën.

ILIRIA

Në fund të fjalës së tij, portieri Sherri ka folur edhe për takimin me Ilirinë, i fundit për këtë fazë të parë. Sipas tij, Vllaznia do të shkojë edhe në këtë sfidë për tri pikët e radhës, pavarësisht se nuk do të jetë një përballje e lehtë. “Nuk ka asnjë përballje të lehtë për ne dhe sidomos në transfertë. Të gjithë mobilizohen dhe kërkojnë që të tregojnë vlerat e tyre më të mira. Por, ne e kemi objektivin e qartë, si në çdo takim do të kërkojmë vetë marrjen e pikëve maksimale”, përfundoi prononcimin e tij, portieri i Vllaznisë, Alen Sherri, i cili është titullar i padiskutueshëm.

Sherri2

Pas ndalesës një javë më parë në transfertën e Shënkollit në një barazim pa gola, Vllaznia është rikthyer te fitorja, duke mundur Vorën me rezultatin 3-1. Një sfidë ku shkodranët nuk e kanë diskutuar për asnjë moment 3-pikëshin ndaj ekipit të vendit të fundit. Këtë fundjavë, shkodranët do të luajnë në transfertën e Fushë-Krujës ndaj Ilirisë ku do të kërkojnë të marrin maksimumin. Të besuarit e trajnerit Hasan Lika janë të bindur se në fund të këtij kampionati, do arrijnë të rikthehen në Superiore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"