E tanishmja dhe e ardhmja e gazetarisë sportive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2020 | 21:28

E tanishmja dhe e ardhmja e gazetarisë sportive

MATTEO MARANI1550790979-checkpoint-trieste-marani

1.Pak zotësi të shkruari, pak kompetencë

Shkruan ADALBERTO BORTOLOTTI, komentator në zë i “Guerin Sportivo”:

“Çfarë ka të gabuar në gazetarinë e sotme sportive? Nëse me gjithë mend duhet të flasim për gabimet, më i madhi do të kishte qenë ai që bazohet në një krahasim me gazetarinë e djeshme. Jemi në dy botë të ndryshme, ndërsa duket një revolucion që vjen prej televizionit, me të gjithë “pay-tv” dhe “pay-per-view” të tijat, teksa mbërrin ndërkaq interneti dhe derivatet e tij edhe më ngatërrues. Dhe më duket një kontradiktë e madhe fakti që shtimi i vazhdueshëm i faqeve të gazetave, i korrespondon një zvogëlimi të kohës së të lexuarit. Gazetat sportive kanë prirje t’i ngjajnë gjithnjë e më tepër televideos, një kalim te titujt dhe mjaft. Kërkesa për të pasur gjithçka dhe më shumë për hir të konkurrencës, lë një hapësirë gjithnjë e më të paktë për t’u thelluar. Ndiej nostalgji për historitë e një frymëmarrjeje të gjerë, të shijimit të çasteve (të rralla vërtet) të relakseve, të oazeve të vogla të shkrimeve të mira në detin e madh të informacionit. Por mandej lind dyshimi: sot një gazetë lexohet apo shihet?

Besoj se shihet. E megjithatë, besoj ende se mënyra më e mirë për të mbijetuar ndaj sulmit të mediave në kohë reale, që gëzojnë qysh në nisje përparësi të mrekullueshme, mbetet cilësia. Dhe për t’ia arritur, duhet të jesh më i besueshëm, më autoritar, më i saktë. Është e panevojshme të tregosh një histori që tashmã të gjithë e dinë qysh nga dita e parë (shembulli më i fundit: Olimpiada e Australisë. Çfarë donim të merrnim nga kronikat e garave? Interpretimin e tyre, doemos). Përkundrazi, sidomos në disiplinat jofutbollistike, po ballafaqohesh gjithnjë e më shpesh me një përafërsi të vajtueshme. Ka sporte – më vjen keq që e them, por është e vërtetë – për të cilat lexuesi është më i përgatitur dhe më kompetent se gazetari që shkruan. Kjo me gjithë mënd është e mjerueshme”.

2. Kriza e moshës së tretë e shtypit sportiv

Shumë futboll, shumë intervista të panevojshme, shumë epërsi e televizionit. Kështu thonë ata që i bëjnë gazetat çdo ditë për miliona lexues. E megjithatë mjedisi i madh i shtypit nuk lëviz nga thatësira. I vënë nën akuzë për pazotësinë për të kuptuar fenomenet e reja, pas mbarimit të narracionit epik dhe arshivimit palumbian, ai jeton krizën e moshës së tretë. “Por përpara këtij hapi, – thotë ALDO GRASSO, kritiku “i urryer” i TV dhe akademik i mediave, – gazetaria e shkruar është e dënuar të shkatërrohet nga video”. Sindroma e Vllaut të Madh-Futboll me intervista dhe me zhurmën shfrenuese të pasndeshjes e me të ftuarit e potershëm qysh mbrëmjen e parë, do të shkatërrojë gjithë mendimin kritik të atij që shkruan”. VITTORIO FELTRI, drejtor i “Libero”-s nuk kërkon paqe: “Ka vite që qëndroj mbi tryezë për të kërkuar diçka të re për ta përfshirë në faqet sportive.1515759822764_marani-su-crisi-italia_videostill_1

Po përjashto notat për lojtarët dhe tregun e futbollit, fantazitë e fundit të një kohe, nuk gjen asgjë tjetër. Gazetarët e specializuar dinë histori shumë të bukura, po që mjerisht i tregojnë duke ngrënë darkë dhe jo në gazetat e tyre. Një gjë është e sigurt: duhen shkurtuar intervistat dhe duhen shtuar shkrimet”. Dukuria tjetër është ajo që, thuajse kurrë gazetarëve nuk u pëlqen të flasin në publik për veten. Përjashtim bën MARIO SCONCERTI, prej vitesh i vëmendshëm për të regjistruar se çka ngjet në redaksitë: “Vërej një vlerë dhe një të metë në gazetarinë e sotme. Më del se gazetarët janë përmirësuar në cilësi, apo që brezi i ri i 40-50-vjeçarëve, që është i diplomuar, njeh gjuhët dhe shfrytëzon teknologjitë; dhe nga ana tjetër vërehet mungesa e personaliteteve të forta në këtë brez.

Mungojnë forcat që mund të dalin mbi grupin dhe këtë e tregon fakti që drejtorët janë po ata”. Është kjo një temë të cilën e rimerr një dekan si GIANNI DE FELICE: “Nuk arrij të kuptoj se si mundet që kur flitet për pasardhësin e Cannavò-s në krye të “La Gazzetta dello Sport”, të japin gjithnjë emra gazetarësh josportivë. E pra, një kohë ishim ne që i dhamë Fattori-n revistës “Europeo”, Ghirelli-n TG2- shit, Palumbon “Corriere-s””. De Felice ndalon një çast dhe mandej nis bataren: “Nuk më pëlqejnë këto gazeta. Ka shumë mbështetje për pushtetin. Përse gjërat e Juventusit gjithmonë zvogëlohen? Ose: Përse nuk flitet për rektorin Ferrara nën hetim e sipër, i cili ishte beniamini i CONIt të Franco Carraro-s? Është një situatë e dyshimtë dhe lexuesit ndIejnë me të drejtë shqetësim”.

3. Kush këmbëngul se ka krizë?

Në 1984-ën tri të përditshmet sportive italiane shisnin mesatarisht afër 1 milion kopje, gjë që ka zbritur në vitin që shkoi në 800.000. Por sipas të dhënave të ADS, rënia duket edhe në krahasim me 1992-shin: 60.000 kopje më pak, pra sa tirazhi i një gazete të re që nis botimin. Kështu, pavarësisht nga kriza që ka përfshirë gjithë botimet qysh nga koha e Luftës së Gjirit, në stinën e fundit ka megjithatë përmirësime dhe 1 milion italianë vazhdojnë që çdo të hënë të shpenzojnë 1500 liretat e tyre për të parë notat që u vihen futbollistëve si dhe skedat e formacioneve.

unnamed

Ja dhe e dhëna që jep XAVIER JACOBELLI: “”Tuttosport” është rritur 41 për qind dhe mendoj se edhe gazetat e tjera sportive janë në rritje. Pra, kush këmbëngul se ka krizë? Gazetat sportive italiane janë më të bukurat në botë: Kanë më shumë lajme se të të tjerëve, përmbajtja dhe grafika e tyre janë më të mirat, kanë më shumë fantazi. Kriza e viteve të para ’90 i detyroi të gjithë të rrisin cilësinë dhe brezi i ri është mjaft i kënaqur. Edhe pse ke mosbesim ndaj tyre, të cilët do të dëshironin të shkruanin si Brera, po që nuk do të ishin të denjë t’i mbanin as makinën e shkrimit”. ITALO CUCCI, drejtor i “Corriere dello sport”, ka bërë një kryqëzatë të vogël personale dhe nuk e fsheh: “Shpesh gjithçka e mirë e Zotit e ofruar nga gazetat shoqërohet me një keqtrajtim të gjuhës.

Gjithçka duket e pëlqyeshme, por proza mbetet po ajo. Cila do të ishte gazeta ideale? Një prerje pa paragjykime, e pasur me informacion, me një përdorim të drejtë të fotografisë. Vrulli i informacionit duhet të shoqërohet edhe në të ardhmen me shkrimin e thellë teknik. Në të ardhmen do të jetë e nevojshme të zgjerojmë fushën informative me gjithë të rejat. Pak a shumë ashtu siç ngjet me gazetat e reja që shpërndahen në metro. Në Itali mungon kultura e të përditshmes së dytë, pra që gazeta sportive duhet të marrë përsipër edhe rolin e të të ashtuquajturave, politike”.

GIORGIO TOSATTI, opinionisti kryesor i Domenica Sportiva, ka qenë ndër të parët që pat menduar të çelte dritaret e kronikave në “Corriere dello Sport” të drejtuar prej tij: “Mandej, nuk e bëra më sepse ishte e parakohshme, por futa një faqe të përhershme të Bursës. Jam i bindur se duke qenë që kemi të bëjmë me një dukuri që përfshin gjithë shoqërinë, sporti ka nevojë të tregohet në gjithë pasojat e tij”. Me një fjalë të dish të shkruash për ekonominë, politikën, kulturën, artin. Figurat e para profesionale janë duke u rritur nën shembullin e botës anglosaksone, ndërkohë që janë në perëndim e sipër, duke e mbyllur universin e tyre të pangjashëm, “mbrojtësit” dhe “stoper”-at.

4. Kundër terrorizimit që bën futbolli

“Unë do t’i merrja gazetarët e “Il Sole 24 ore” dhe do t’i vija të merreshin me ekonominë sportive – është kjo diagnoza e GIANNI MURAs të “La Repubblica”-s – do të doja edhe një thellim të mëtejshëm dhe ndonjë titull më pak thirrës. E-mailet dhe sondazhet janë duke e gërryer profesionin tonë; do të më pëlqente më tepër që pyetjet në studio Ancelotit t’ia bënin gazetarët dhe jo Riccardo di Tricase. Mendoj se është e nevojshme të zbulohen ngjarjet e ndryshme që ndodhin dhe që gazetat i mënjanojnë.

E jo të të duket sikur një lajm që nuk është dhënë nga ANSA apo ADN KORONOS, nuk ekziston”. E atëherë? “Më tepër besim: mjaft më me deklarata. Dikur shërbenin ato për të dhënë diçka më tepër në TV, por tani ky rol vetëm ndihmon konkurruesin, kështu që më mirë është t’i kthehesh kritikës. Ëndërroj të lexoj, për shembull, përse Rui Costa është bërë lojtari më i mirë i kampionatit”. Mura është gjithashtu i bindur që futbolli i ka terrorizuar sportet e tjera. Sportsystem ka regjistruar në 2000, hapësirën që u ofrojnë të përditshmet sporteve të ndryshme kolektive. Del që futbolli zotëron 95 për qind të milimetrave të kolonave, basketbolli i meshkujve 2.89 për qind, volejbolli 1.46 për qind. Dhe siç shpjegon Sportsystem, kjo epërsi e futbollit ndaj pjesës tjetër të sportit do të thellohet në vazhdimësi. Analiza i takon nëndrejtorit të “La Reppublica”, PAOLO GARIMBERTI: “Gazetat italiane merren shumë pak me sportet e tjera.Matteo+Marani+Italian+Football+Federation+llaBRkiF8hFl

“L’Equipe”, të cilin e lexoj çdo ditë, shkruan për Grande Slam-in e tenisit dhe gjithë arkipelagun e garave, ndërsa te ne mbetet gjithmonë vetëm topi”. A është e mundur të ndërrohet kjo? “Vështirë, – përgjigjet lidhur me këtë GIORGIO BOCCA, – mjetet e informacionit bëjnë kaseta me futbollin, si TV ashtu dhe shtypi i shkruar, pra duhet të mendohemi mirë se ku po shkojmë”.

5. Heminguej nuk është turpëruar kurrë pse shkruante për sportin!

“Është e nevojshme të dihet mirë se sa dëm mund të bëhet me pendën, – është vërejtja që bën MARINO BARTOLETTI, bashkautor i emisionit televiziv “Quelli che il calcio” – ashtu siç kam bindjen se gazetari i viteve ‘2000 duhet të jetë i pajisur me shumë cilësi të mëdha”. “E meta qëndron në atë që bëjnë disa gazeta lokale, -thotë GIAMPIERO MUGHINI,- sidomos ato romane, e kjo nuk është gazetari, është një kryqëzatë. Ka raste që për hir të partizanerisë ato cenojnë rregullat morale të profesionit.

Problemi tjetër i gazetarëve sportivë është kompleksi i tyre i inferioritetit: Brera ishte i bindur që e kishte çuar dëm jetën e tij duke u marrë me Milan – Inter, kur miliona italianë lexonin me një frymë tregimet e tij. Në Amerikë është ndryshe: Heminguej nuk është turpëruar kurrë pse shkruante për sportin”. Të treguarit e sporteve do të jetë tema e madhe e dhjetëvjeçarit të ardhshëm. Çka do të thotë të riformohet një mënyrë tjetër të të shkruarit dhe të të interpretuarit të sportit.

Image result for MATTEO MARANI

Fantazi, kërshëri, kulturë. Dhe me më pak reverancë për shoqëritë e futbollit, të cilat formojnë futbollistë në transmetimet televizive, edhe këta të nënshtruar po në atë sens. Por shtypi mundet dhe duhet të çlirohet nga ky mekanizëm pervers. Ndërhyrja e fundit është e Candido Cannavò, njeriu i cili nga kuverta e komandës së “La Gazzetta dello Sport”, u jep çdo ditë miliona lexuesve një editorial të vogël: “Duhen gjetur më shumë histori të planit të parë, jo t’i zhdukësh ato nga kronikat. Gjë kjo e rëndësishme. Ne kemi vënë në faqen e parë edhe patinator, edhe një kalë. Futbolli është baza, por një gazetë pa historina të tjera, është e paracaktuar të varfërohet. Dhe ndërkohë kam një urim tejet të rëndësishëm për të gjithë të tjerët: Të mënjanojnë nxitimin dhe sipërfaqësinë që shfaqet në gazeta, vesi më i keq i modernitetit. Duhet kujdes, vëmendje, kompetencë. Është një recetë e vjetër, por prej këtu duhet të rifillojmë”.

E përktheu BESNIK DIZDARI

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"