Mërgjyshi eksperimenton, sulmi i Apolonisë në formë. Fierakët 5 gola në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2019 | 17:00

Mërgjyshi eksperimenton, sulmi i Apolonisë në formë. Fierakët 5 gola në miqësore

Apolonia e trajnerit Mërgjyshi ka fituar 5-0 kundër Apolonisë U-19 të trajnerit O.Çuko, që merr pjesë në Kategorinë Superiore këtë edicion.

mergjyshi

 

Trajneri Mërgjyshi ka bërë disa modifikime në formacion, teksa ka aktivizuar mbrojtës të djathtë Omerin, mbrojtës të majtë Zogën, dy mesfushorë me tipare ofensive. Ai ka zhvendosur përpara Sotën dhe ka luajtur me 3 sulmues, ku risia është Sharavolli, i cili, bashkë me Mihanën, kanë mbështetur Gjatën në “majë” të vijës së parë. Loja ka folur për skuadrën e parë dhe këtë e dëshmon edhe rezultati. Gjata, Mihana, Sharavolli dhe Hysenshahaj humbën raste deri në momentin e zhbllokimit të rezultatit.

Apolonia-gezon-me-trajnerin

Një prekje me dorë brenda zonës nga të rinjtë fierakë dhe nga pika e bardhë kapiteni Hysenshahaj u tregua i saktë. Goli i dytë do të vinte pas një krosi të Sharavollit, ku Sota gjuajti saktë me këmbë dhe dyfishoi rezultatin. Të rinjtë e trajnerit Çuko prodhuan futboll, por nuk arritën ta gjenin rrugën e rrjetës. Në pjesën e dytë pati shumë zëvendësime, sidomos te 19- vjeçarët, ndërsa trajneri Mërgjyshi ruajti disa lojtarë për testin e të premtes ndaj Egnatias. Lojë e bukur dhe ndeshje e luftuar edhe në fraksionin e dytë, ku u shënuan edhe 3 gola të tjerë.

aplonia

Mario Gjata, pasi krijoi shumë raste, shfrytëzoi një kros nga e djathta dhe shënoi golin e tretë. Pastaj Branica, i cili gjuajti fort nga jashtë zonës dhe pas një devijimi të papërfillshëm të mbrojtjes, topi pushoi në rrjetë. Dhe goli i fundit do të shënohej nga Sharavolli, i cili finalizoi një inkursion personal nga e majta. Është fitorja e tretë radhazi e fierakëve dhe ajo që spikat ka të bëjë me golat e sulmuesve. Të premten Apolonia do të luajë në Rrogozhinë kundër Egnatias, që këtë sezon merr pjesë në Grupin A të Kategorisë së Parë.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"