Luftëtari nuk do të përfaqësohet në kampionat për herë të parë në historinë e klubit, drejtuesi i ri: Ju tregoj detajet e ringritjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2020 | 10:27

Luftëtari nuk do të përfaqësohet në kampionat për herë të parë në historinë e klubit, drejtuesi i ri: Ju tregoj detajet e ringritjes

Si asnjëherë tjetër në historinë e tij 90-vjeçare, Luftëtari s’do të përfaqësohet në kampionat. Rrënimi i ekipit do memorizohet si një njollë në historinë e bluzinjve. U largua trajneri Marko Jovanoviç, i cili mbështeti bojkotin e lojtarëve për mosshlyrje të detyrimeve financiare nga drejtuesit. Më pas ekipi u shkërmoq përfundimisht. U larguan të gjithë futbollistët, të gjithë nën kontratë.

Luftetari1

Një situatë e paprecedentë për një klub që ka lënë shenjë në historinë e futbollit shqiptar, nënkampion në sezonin 1977-1978, pjesëmarrës në kupat ballkanike në vitin 1978 dhe pjesëmarrës në Kupat e Europës në sezonin 2017-2018. HYSI – Në Gjirokastër prej disa ditësh po punohet për ringritjen e Luftëtarit. Mustafa Hysi, i cili në Gjirokastër është etiketuar si “kamerdarja” e shpëtimit, do të drejtojë projektin e rindërtimit. Për “Panorama Sport” ai sqaron gjithçka që ka të bëjë me të ardhmen e futbollit gjirokastrit.

“Jo më larg se dy ditë më parë komunikova me profesor Hito Hitajn, për të cilin fjalët janë të tepërta. Prej tij mora udhëzimet e duhura për mënyrën si do të operohet për vazhdimësinë. Mendimet dhe idetë e tij do jenë për mua “busull” orientimi për ringritjen e Luftëtarit. Për ekipin e parë prezantimi në garë është mision i vështirë, nuk kemi asnjë mundësi. Jemi të fokusuar në ringritjen e tij, në pritje të vendimit të organeve të drejtësisë. Brenda muajit janar, gjithnjë duke marrë në konsideratë zgjidhjen e kontratave me lojtarët e rinj, kryesisht të moshës 19 dhe 20-vjeçare që kanë nënshkruar me ekipe të Qarkut të Gjirokastrës.

mustafa hysi

Sa i përket përfaqësimit në garë të ekipeve zinxhir, nga FSHF-ja kemi marrë të drejtën e përfaqësimit në kampionat për ekipet U13, U-15 dhe U-17. Është për të ardhur keq shkrirja e ekipit U-19. Prej ditësh po kontaktoj me trajnerët e këtyre moshave dhe njerëz që për fanellën e Luftëtarit kanë dhënë shpirtin në fushë. Duam apo s’duam, Luftëtari me dhimbje dhe sforco do të ringrihet. Prioritet do të jetë akademia e Luftëtarit, ku nuk do të ketë më një trajner të vetëm edhe për moshat. Teknikisht, një trajner i vetëm s’mund të bëjë asgjë. Nga kjo akademi do të rilindë dhe Luftëtari i projektit tonë”, u shpreh Mustafa Hysi, ish-trajneri i Luftëtarit.

TOMOR SHEHU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"