Kolela zgjedh formacionin dhe pret shpërthimin: Partizanit i japim përgjigjen në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2020 | 12:37

Kolela zgjedh formacionin dhe pret shpërthimin: Partizanit i japim përgjigjen në fushë

Apolonia u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve të veta dhe janë gati për t’u përballur me Partizanin, në ndeshjen e javës së katërt të Superligës. Kjo sfidë do të luhet në “Loni Papuçiu” dhe bardhejeshilët janë të karikuar për të regjistruar fitoren e parë në kampionat, çka duket edhe nga intervista e trajnerit Xhovani Kolela, ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Kolela Apolonia

Nga java e parë në të tretën, si e vlerëson Kolela nivelin e lojës së Apolonisë, krahasuar me kërkesat që ju keni?

Niveli i lojës sonë po rritet pas çdo jave. Ne po njihemi me Superioren, që është një kampionat shumë konkurrues. Përballja e kundërshtarëve, sado të fortë dhe të vështirë të jenë, kërkon prej nesh profesionalizëm dhe vëmendje maksimale në të gjitha ndeshjet për ta përmbyllur siç duhet takimin. Ekipi po përshtatet dhe po funksionon në bazë të kërkesave që kemi ne si staf teknik.

Rezultat i drejtë barazimi me Kastriotin, sipas jush?

Nuk mendoj se barazimi ishte rezultati i duhur ndaj Kastriotit, duke marrë parasysh cilësinë e lojës dhe mundësitë që kishim. Ne ishim në avantazh dhe nuk duhet ta kishim lejuar kundërshtarin që të barazonte, edhe pse goli i tyre ka ardhur nga një penallti e dyshimtë. Por, futbolli shpesh nuk pyet për logjikë loje dhe ndeshja u nda në barazim, ndonëse meritonim fitoren, po të ishim treguar më të kujdesshëm në minutat e fundit.

E dyta ndeshje që Apolonia shënon e para, por nuk e ruan dot avantazhin. Çfarë nuk shkon te skuadra në këtë pjesë?

Është e vërtetë që në dy ndeshje kemi shpërdoruar avantazhin dhe e kemi dorëzuar fitoren. Ne jemi një ekip që luan hapur, pa pengesa dhe keqdashje. Së pari, duhet të mësojmë të luajmë me intensitet maksimal, pastaj edhe të “prishim” lojën e rivalëve, kur është e nevojshme.

Ende nuk keni një formacion titullar fiks. Pse?

Mendoj se në një kampionat ku luan çdo 3 ditë, të flasësh për një formacion të qëndrueshëm është e vështirë. Janë shumë ndeshje dhe ka një kalendar shumë të ngjeshur dhe normal që ndikon edhe në formën fizike të lojtarëve. Sipas mendimit tim, ato skuadra të cilat do të jenë në gjendje të shfrytëzojnë sa më shumë potencialin e lojtarëve që kanë në dispozicion, do të bëjnë më mirë në këtë kampionat.

apol

Përpara keni Partizanin, skuadër që ju eliminoi në Kupë. E njihni mjaftueshëm tani? A jeni gati për ta sfiduar këtë kundërshtar në ndeshjen e radhës në kampionat?

Sigurisht që tani kemi njohje më të plota për kundërshtarin dhe e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet të luajmë. Ne edhe në Kupë ishim të gatshëm, por përvoja rritet nga ndeshja në ndeshje dhe ndaj them se këtë herë jemi gati t’i japim përgjigjen e duhur në fushë Partizanit.

A e keni skuadrën të plotë për këtë ndeshje apo do të ketë mungesa?

Shqetësim për ne është gjendja e Gjatës, i cili vazhdon të vuajë problemet e tij të vjetra dhe nuk është në kondicionin e duhur. Shpresojmë që ai të jetë gati sa më parë, sepse është një lojtar i rëndësishëm për sulmin tonë, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është grup i plotë dhe pa asnjë problem.

Çfarë duhet të presim nga Apolonia në këtë ndeshje me Partizanin? Në çfarë rezultati besoni?

Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë dhe e rivalizuar, sepse Partizani është një ekip që luan futboll të mirë dhe me pretendime për ta fituar këtë ndeshje. Por, me të njëjtët objektiva futemi edhe ne në fushë. Po kërkojmë fitoren e parë në Superiore, me të gjitha forcat tona dhe me besim të plotë, ndaj mendoj se Apolonia do të dalë me 3 pikë nga kjo sfidë.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"