EKSKLUZIVE/ Nis eksodi te Flamurtari, mesfushori “zhduket” nga Vlora

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2019 | 22:15

EKSKLUZIVE/ Nis eksodi te Flamurtari, mesfushori “zhduket” nga Vlora

Historia përsëritet në Vlorë dhe duket se Flamurtarin e pret një dimër i acartë. Semir Bajraktareviç duket se është largimi i parë nga Flamurtari. Lojtari nuk është paraqitur dje në stërvitje.

Semir_Bajraktarevic_2018

Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se mesfushori është larguar drejt Bosnjë-Hercegovinës. “Po iki në Bosnjë-Hercegovinë”. Ky është mesazhi që Bajrakateriviç i ka dërguar një zyrtari të klubit vlonjat, por pa dhënë shpjegime të mëtejshme apo pa marrë leje. Lojtari nuk ka pasur probleme me dëmtime së fundmi dhe as ndonjë problem familjar. E ndërsa janë paraqitur në stërvitje paraditen e djeshme, të gjithë kanë vënë re mungesën e Bajraktareviçit. Të habitur kanë qenë drejtues të stafit teknik dhe futbollistë, pasi lojtari kishte ikur pa leje.

Bajraktareviç ishte edhe lojtari i parë që hapi merkaton vlonjate, ndërsa u prezantua nga klubi më 5 gusht. Lojtari 32-vjeçar duket se është larguar drejt vendlindjes, për shkak të problemeve financiare dhe pagave të pamarra. E ndërsa situata nuk është rregulluar ende te Flamurtari dhe pagat nuk po duken në horizont, Bajraktareviç duket se ka vendosur ta mbyllë këtu aventurën te Flamurtari. Mbetet për t’u parë nëse drejtuesit do të tentojnë rikthimin e tij, por çka dihet është se boshnjakut iu sos durimi pa u paguar. Ndërkaq, qysh javën e ardhshme është larguar drejt Greqisë edhe Jorgos Sarris. Edhe pse ende nuk po kthehet, Sarris ka ikur me lejen e klubit, me justifikimin se pret që të bëhet baba. Madje, këtë shkak e konfirmojnë edhe burime nga klubi, të cilat thonë se greku pritet që të mbërrijë në ditët në vijim dhe t’i bashkohet ekipit. Por, frika e largimit ekziston edhe për grekun.

jorgos sarris flamurtari1

SITUATA

Në Vlorë lojtarët dhe stafi teknik presin zgjidhjen e situatës ekonomike. Janë mbushur tre muaj tashmë nga nënshkrimi i kontratave të lojtarëve me klubin. Pas tre muajsh që ekipi nuk është paguar, lojtarët tashmë mund të dalin të lirë dhe të largohen. Por deri më tani kjo gjë nuk ka ndodhur dhe për këtë një meritë të veçantë për mbajtjen në ritëm të skuadrës dhe futbollistëve larg problemeve jashtë fushës ka edhe trajnerit Luan Birçe.

Kreu i pankinës vlonjate po bën të gjitha përpjekjet për të mbajtur lojtarët pozitivisht edhe në aspektin psikologjik. Në çdo takim që bën me lojtarët, por edhe në çdo seancë stërvitore, trajneri Birçe u kërkon atyre që t’i lënë mënjanë problemet, por të shikojnë fushën e lojës, si dhe të tregojnë veten e tyre si futbollistë profesionistë. Por, duket se bomba sapo plasi me largimin e Bajraktareviçit.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"