EKSKLUZIVE/ Klubi i Kategorisë së Parë me projekt ambicioz, “ëndërrohet” Magani për sezonin e ri. Trajneri i ndjek nga afër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2020 | 13:08

EKSKLUZIVE/ Klubi i Kategorisë së Parë me projekt ambicioz, “ëndërrohet” Magani për sezonin e ri. Trajneri i ndjek nga afër

Në kompleksin “Internacional” të Pezë-Helmës, ku të shtunën u luajt ndeshja Dinamo-Egnatia, i pranishëm ishte edhe trajneri i njohur peqinas Gugash Magani. Gazeta “Panorama Sport” mëson se prania e tij në këtë ndeshje nuk ishte e rastësishme, ai ka ndjekur nga afër atë që mund të jetë stacioni i radhës në karrierën si trajner. Magani ka marrë një propozim nga klubi rrogozhinas për të drejtuar Egnatian sezonin e ardhshëm.gugash magani (1)

Për momentin nuk ka një marrëveshje mes palëve, por prania e peqinasit në ndeshjen me Dinamon lë të kuptohet se ai e ka marrë në konsideratë këtë propozim. Drejtuesit e Egnatias kanë një projekt serioz për sezonin e ardhshëm dhe normalisht duan t’ia besojnë një trajneri të njohur dhe me përvojë si Magani. Këtë sezon Egnatia e nisi me Ndriçim Kashamin trajner, më pas vazhdoi me Artan Banon dhe tani drejtohet nga Eduart Thartori.

BESA – Gjatë këtij sezoni, Gugash Magani ka drejtuar Besën në Kategorinë e Parë, por për arsye të ndryshme nuk ia doli të ndërtonte skuadrën e denjë për të pretenduar ngjitjen në Superiore. Për shkak edhe të paqëndrueshmërisë financiare, kavajasit mbetën larg pretendimeve dhe Magani u largua nga Besa para disa muajsh dhe gjatë kësaj periudhe ka qëndruar pushim.

Mbetet për t’u parë tashmë, nëse trajneri peqinas do të bindet nga projekti i rrogozhinasve, apo do të shohë ndonjë skuadër tjetër për sezonin e ardhshëm. Më parë Magani ka drejtuar skuadra me emër në futbollin shqiptar si Tirana, Flamurtari, Teuta dhe Shkumbini. Po ashtu, ai ka pasur një përvojë edhe në kampionatin kosovar.

magani barushi (1)

Magani duke folur me administratorin e Dinamos, Barushi, në Pezë-Helmës        FOTO: F. HAZISLLARI

EGNATIA – Egnatia gjatë këtij sezoni ishte në garë për të qenë në minigrupin e “play off”-it, por në fund mbeti në gjysmën e dytë të renditjes së Grupit A. Javën e fundit doli pa pikë në kryeqytet, ku u mund minimalisht nga Dinamo. Ishte një ndeshje shumë e fortë, ku rrogozhinasit luftuan deri në sekondën e fundit për të marrë të paktën një pikë, por nuk ia dolën. Rrogozhinasit humbën edhe shansin për të marrë sërish kryesimin në minigrupin e “play out”-it, duke mos përfituar nga pushimi i Burrelit. Tani e gjithë vëmendja ka kaluar te ndeshja me Veleçikun.

FATJON RUPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"