Luajti në Shqipëri për 3 vite, Haxhibuliç: Fierin e kam në zemër, ja si ia del Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2021 | 11:40

Luajti në Shqipëri për 3 vite, Haxhibuliç: Fierin e kam në zemër, ja si ia del Apolonia

Ish-qendërsulmuesi boshnjak, Sead Haxhibuliç, ka kaluar në Shqipëri një periudhë 3-vjeçare gjatë karrierës së tij sportive. Fieri ka qenë “stacioni” i parë në futbollin shqiptar, ku Haxhibuliç luajti një sezon e gjysmë, duke u bërë dhe kapiten i Apolonisë, përpara se të kalonte në Shkodër te kuqeblutë e Vllaznisë.

HAXHIBULIC

Me fierakët, Haxhibuliç shënoi 10 gola në 30 ndeshje, ndërsa me shkodranët u aktivizua 13 ndeshje dhe shënoi vetëm 1 gol. Ai ka nostalgji për vitet që kaloi në Shqipëri dhe flet me konsideratë për përvojën në vendin tonë. “Ruaj ende mbresat më të mira nga Shqipëria, nga Fieri, Shkodra dhe Kavaja, – thotë Haxhibuliç. – Tek Apolonia i mbaj mend thuajse të gjithë shokët e skuadrës, si: Shoshi, Meto, Dhrami, Kaçi etj., por edhe te Vllaznia ka pasur një grup cilësor, që nga Bekim Balaj i Kombëtares, Grima, Alikaj, Smajli etj. Në Fier luajta një sezon e gjysmë, ndërsa në Shkodër vetëm gjysmën e sezonit të dytë. Atëherë Apolonia ishte rivale e fortë, një skuadër e frikshme për çdo kundërshtar, ndërsa sot situatat janë përmbysur”. Në prag të sfidës së radhës mes dy ish-skuadrave të tij në Shqipëri, Haxhibuliç bën parashikimin e vet, duke mos fshehur dhe simpatinë që ka për skuadrën fierake.

unnamed

“Do të jetë një ndeshje e bukur, edhe pse skuadrat ndodhen në ekstreme të renditjes. Vllaznia ka qenë një ekip shumë i bukur, surpriza e këndshme e këtij kampionati dhe meriton fjalët më të mira nga të gjithë, sepse ka arritur gjithçka me djersë. Apolonia, një skuadër e re, pa shumë përvojë, por tepër simpatike, po vuan në fundin e tabelës, por shoh forca dhe mundësi brenda saj. Unë kam luajtur për të dyja qytetet, por zemra më rreh më shumë për Fierin dhe do të uroja e dëshiroja një rezultat pozitiv për Apoloninë, edhe pse e shoh si ndeshje shumë të vështirë për fierakët. Por, nëse luan pa trysni, Apolonia mund ta surprizojë Vllazninë edhe brenda në Shkodër”, thotë për “Panorama Sport” ish-sulmuesi Sead Haxhibuliç.

BUJAR RAMA-PANIORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"