Atletikë/ Ruli, bashkëpunim me trajnerin e madh amerikan Loren Seagrave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2020 | 23:07

Atletikë/ Ruli, bashkëpunim me trajnerin e madh amerikan Loren Seagrave

Një lajm i madh për atletikën shqiptare, pasi FSHA tashmë ka nisur kontakte bashkëpunimi me një prej emrave më të mëdhenj të sportit siç është trajneri i yjeve Loren Seagrave. Amerikani, siç dihet, është një prej ikonave të trajningut të sportistëve të shpejtësisë, teksa nga duart e tij kanë dalë dhjetëra medalistë olimpikë dhe botërorë.

-1200-630-3657a0ddb5cb5434891fb72b43e83a23

Federata Shqiptare e Atletikës bën të ditur se prej kohësh është në kontakt me trajnerin Seagrave dhe se pritet të bashkëpunojë për t’i ardhur në ndihmë atletit elitar kuqezi, Izmir Smajlaj. Këtë e konfirmon vetë kreu i FSHAsë, Gjergj Ruli, i cili është njëkohësisht edhe trajner personal i 27- vjeçarit shkodran.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Ruli zbulon bisedat që ka pasur me teknikun nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mundësinë e këtij bashkëpunimi: “Loren Seagrave është kryetrajneri i ekipit olimpik dhe i ekipit kombëtar amerikan. Bëhet fjalë për një prej pedagogëve dhe yjeve të shkencës sportive në SHBA. Duke llogaritur që ne kemi mungesë kushtesh bazike dhe materialesh didaktike, të gjitha videot e stërvitjeve dhe punës së bërë me Izmir Smajlajn gjatë këtyre 4 viteve ia kam përcjellë për t’i analizuar shkencërisht në laboratorin e tij.

Ndërsa kam marrë një konfirmim të mrekullueshëm, ku ai shprehet se është i gatshëm që të bashkëpunojmë për vitin 2021 për Olimpiadën e Tokios, në mënyrë që Izmiri të jetë medalist. E kam pritur me padurim këtë lajm kaq të madh, pasi është një ëndërr jo vetëm për atletikën, por për të gjithë sportin shqiptar, që njeri me famë botërore vlerëson punën tonë, por edhe pranon që të vijë në Shqipëri e të bashkëpunojë për Izmir Smajlajn. Ai madje na ka bërë ftesën që edhe ne të shkojmë në Xhorxhia, por problemi më i madh është pandemia, pasi nuk mund të lëvizim dot në këtë periudhë”, rrëfen Ruli.

0af06c40cc757c672219314f7b8978a7

Më tej presidenti i FSHA-së rikthehet të flasë për Izmir Smajljan, duke e cilësuar atletin e kërcimit për së gjati si sportistin më të mirë të shekullit, ndërsa u bën thirrje institucioneve shtetërore dhe sponsorëve që të investojnë te shkodrani:

“Jam shumë optimist për Izmirin dhe garantoj që do të marrë sërish medaljen e kampionit të Europës. Gjendja e atletit është e mrekullueshme dhe me këtë rast dua t’i bëj thirrje biznesit dhe qeverisë që ta vlerësojnë këtë margaritar dhe këtë punë të përbashkët që po bëjmë, pasi kjo nuk bëhet vetëm me fjalë, por kërkon investim. Duhen doktorë, masazhatorë dhe një skuadër nga pas, sepse për mua bëhet fjalë për sportistin më të mirë të shekullit. Duhet patjetër që të investohet te ky atlet nga ana monetare, që të mbetemi në histori me rezultatet e arritura në evente madhore ndërkombëtare”, përfundoi Ruli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"